Projekt

“Të lexojmë qytetin”, projekti i Albas-it për shkollat 9-vjeçare

Albas-i nxit nxënësit e shkollave 9-vjeçare “Të lexojnë qytetin” nëpërmjet objekteve të ndryshme të trashëgimisë kulturore

“Të lexojmë qytetin” është projekt i Shtëpisë Botuese Albas që po merr jetë falë aktiviteteve që po organizohen me disa nga nxënësit e shkollave të kryeqytetit. Ky projekt ka si qëllim njohjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare me qendrat, objektet, monumentet kulturore të qytetit të Tiranës dhe informimin për to nëpërmjet librit.

Nxënësit ftohen të vizitojnë një objekt kulturor në Tiranë. Pasi njihen nga afër me objektin e përzgjedhur, te nxënësit lind kureshtja për të ditur më shumë rreth tij. Kështu nxënësit drejtohen në bibliotekat e lagjeve apo të qytetit dhe kërkojnë më shumë informacione.

Në bazë të projektit zgjidhen 12 objekte, monumente apo qendra kulturore, si p.sh.:Tyrbja e Et’hem Beut, Galeria e Arteve, Sarajet e Toptanëve, Ura e Tabakëve etj.

Pas vizitës në Urën e Tabakëve nxënësit informohen për bibliotekën më të afërt funksionale pranë qendrës dhe mësohen të kërkojnë informacion lidhur me këtë objekt. Pas grumbullimit të informacionit dhe të librave që janë shkruar lidhur me objektin, nxënësit nxiten të shkruajnë një ese lidhur me objektin, të hartojnë një fletushkë informative për të, ta vizatojnë, të rrëfejnë përshtypjet ose çdo gjë tjetër kreative për objektin.

Në mbyllje të projektit, krijimet më të mira do të vlerësohen me çmime. 

“Të lexojmë qytetin” është një ndër 92 projektet fituese që u përzgjodhën nga Ministria e Kulturës, pasi ushqyrtuan 212 projekt-propozime.

Kolegjiumi, i konsultuar me ekspertë të vlerësimit të politikave dhe strategjisë kulturore, vlerësoi fituese projekt-propozimet që shprehin: zhvillim të krijimtarisë kombëtare, ide novatore dhe garantojnë cilësi dhe profesionalizëm në realizim, hulumtojnë në projekte edukimi që nxisin leximin, aftësitë krijuese dhe zhvillojnë audiencën.

(Portali Shkollor)

3,224 Lexime
7 vjet më parë