“Tout l’univers”, ekspozita e parë me piktura e artistes dhe mësueses Iriana Papamihali
“Një ëndërr e bërë realitet”- kështu ishte për mësuesen dhe artisten Iriana Papamihali finalizimi i punes intensive dy vjeçare i ekspozitës së saj personale të titulluar “Tout l’univers”, një koleksion me piktura të frymëzuara nga imazhet satelitore të Tokës.
Në një mbrëmje të veçantë, mësuesja dhe njëkohësisht autorja e teksteve shkollore, Iriana Halimi Papamihali ka shfaqur një pjesë tjetër të punës dhe pasonit të saj, veprat e paekspozuara më parë.
Finalizimi i punes intensive dy vjeçare i ekspozitës së saj personale të titulluar “Tout l’univers”, është një koleksion me piktura të frymëzuara nga imazhet satelitore të Tokës.
Këto piktura paraqesin imazhe nga vende të ndryshme të globit, ndërthurur me teknikat artistike dhe stilin e artistes. Artistja shkon atje, ku instiktin dhe zemrën i drejton universi, ku ofrohen mrekulli, por nuk është në fuqinë tonë t’i manfestojmë dhe t’i sjellim ato në realitet.
A do të ishim të aftë të pikturonim një tablo kaq të madhe sa Universi, në më pak se 60 sekonda? E pamundr por për një artiste, që e manifeston këtë çdo ditë në krijimtarinë e saj. Të gjitha tablotë të bëra bashkë, janë një pjesëz e këtij universi.
Iriana është diplomuar në vitin 1993, në Institutin e Lartë të Arteve, dega Skenografi. Aktualisht është mësuese a artit, pranë shkollës “Protagonistët”, që prej vitit 2002. Lidhja e artistes me pikturën është e hershme, që në fëmijërinë e saj. Babai, Vilson Halimi, ka qenë mësuesi dhe udhërëfyesi i saj në rrugën e artit.
“Pikturat e mia tashmë nuk janë pasqyrim me vërtetësi të realitetit, por janë të krijuara nga mendimet të ndërthurrura me emocionet dhe rrahjet e zemrës sime. Ato janë unike, sepse kanë një copëz të shpirtit tim brenda, prandaj e kam shumë të vështirë të ndahem prej tyre. Jam shumë e lidhur shpirtërisht me këtë koleksion. Pasqyron stilin, aftësinë, përvojën dhe gjithë qënien time”, është shprehur kështu Iriana teksa, na rrëfen pak se si nisi pasioni për këto piktura dhe puna për finalizimin e kësaj ekspozite.
“Realizova ëndrrën time, duke besuar te vetja, nëpërmjet punës dhe pasionit dhe me mbështetjen e miqve. Ideja për ekspozitën më rrinte në mendje prej kohësh. Kështu nisa të punoj intensivisht prej dy vjetësh, deri sa arrita të kem një numër të konsiderueshëm punësh. E gjitha kjo nisi me dy piktura që unë ja dedikova djemve të mi. Frymëzimi më erdhi nga disa imazhe satelitore të tokës. Më pas nisa të pikturoj disa prej tyre. Mikja ime, arkitekte i pëlqeu shumë këto piktura dhe më nxiti që të bëja disa prej tyre. Ajo, sipas stilit që ato kishin dhe tematikës, e pagëzoi ciklin me emrin Tout l’univers, sipas këngës me të njëjtin titull. Kështu nga 2 piktura u bënë 14. Gjithashtu, punoja ndërkohë edhe subjekte të tjera, që ndoshta mund të jenë më vonë cikël më vete. Më pas hapi i radhës ishte vizita e Anilës në studion time, e cila i pa nga afër pikturat dhe diskutuam gjatë për to. Anila u entuziazmua shumë dhe kështu u vendos të hapej një ekspozitë personale, sepse tashmë ishin pjekur kushtet. Duke qenë se ky vit, përkonte me 20 vjetorin e shkollës, po aq vite kam edhe unë si mësuese në këtë shkollë, mendova që ta kurorëzoja punën time, me një ekspozitë personale në momentin e duhur. Nën kujdesin e veçantë të Anila Zajmit, mbështetjes së shoqeve të mia dhe drejtorisë së shkollës, u bë e mundur realizimi i ëndrrës sime. Kisha ditë që më kishin kapur emocionet dhe natën nuk flija mirë. Mendoja çdo detaj dhe çdo imtësi se si do realizoheshin, që nga ftesat, banerat, të ftuarit, organizimi, etj. E fillova punën kohë përpara, sepse nuk i le për në fund ato që më duhet të bëj. Ajo që dua të theksoj është se nuk bëj asnjë gjë me mendjen time kur bëhet fjalë për projektet e mia. Konsultohem gjithmonë me familjen dhe miqtë. Kështu erdhi dita e caktuar dhe u bëmë gati për vendosjen e punëve dhe nuk ishte e lehtë për kushtet që na ofronte salla. Anila me shumë profesionalizëm dhe korrektësi bëri të mundur, që salla të shndërrohej në një galeri arti të mirëfilltë. Ndjeva një lehtësim të madh dhe emocion kur pashë punët e mia të ekspozuara me aq finesë. Lotët më rrodhën natyrshëm dhe e kuptova në çast se ja kishte vlejtur e gjithë puna ime dhe e harrova lodhjen”.
Inagurimi i ekspozitës “Tout l’univers” mblodhi bashkë kolegë, edukatorë, artistë, familjarë, miq, të cilët me fjalët, shikimet, duartrokitjet dhe buzëqeshjet e tyre, shprehnin admirimin për artin e Iriana Papamihalit.
“Midis tyre ishte dhe e shtrenjta mamaja ime, e cila nuk e mbante dot veten nga emocionet. Me të drejtë, të gjithë ishin të emocionuar ato momente. Do të doja shumë që babi im të ishte aty dhe të shihte arritjet e mia, sepse të gjitha ja dedikoj atij, gjithmonë kam dashur që ta lumturoj”.
Nën tingujt e violinës së Agi Nano, pikturat dukeshin sikur vallzonin. Këto ishin momente magjike mes atmosferës festive që u krijua.
“Nuk e kam ndjerë veten më mirë se atë pasdite, sa shumë dashuri më dhuruan kolegët e mi mes vlerësimeve dhe buzëqeshjeve të tyre. Një punë intensive e finalizuar me sukses dhe duartrokitje nga të ftuarit”.
Ekspozita qëndroi e hapur dy ditë, sepse qëllimi i vërtetë për Irianën ishte që të ndante artin e saj me nxënësit, të cilët nuk i njihnin nga afër pikturat e mësueses së tyre. Nxënësit u surprizuan shumë dhe e shprehën me fjalë të thjeshta që i dilnin nga zemra mirënjohjen dhe falenderimet që u dhashë mundësinë ta shihnin këtë ekspozitë. Madje një djalë në klasën e katërt i tha: “Mësuese, a mund ta marrim një pikturë dhe ta vendosim në klasë?”.
“Sinqeriteti i tyre është cilësia që e çmoj shumë tek nxënësit e mi. Kështu, realizova një ëndër dhe kuptova se, sa bukur është të kesh rrotull miq dhe të afërm që të falin dashuri dhe lumturi. Dhe siç më thotë dhe mikja ime e mirë, Irma Libohova, e cila më nderoi me ardhjen e saj në këtë ekspozitë: ‘Vazhdo përpara me modestinë mbi supe’”.
Ndërkohë kuratorja e kësaj ekspozite Anila Zajmi Katanolli është shprehur se: “Gjithçka nga prezantimi i expozitës personale të Iriana Halimit Tout l’ univers, të cilën e kurova me një kënaqësi të veçantë, ishte e sinqertë dhe në harmoni me natyrën e artistes. Krenare për Irianën si një nga studentet e brezit të parë që kam patur mundësi të drejtoj në rrugën e bukur dhe të veshtirë të artit”.
Pas kësaj ekspozite, artistja Iriana është shprehur se në të ardhmen do ketë edhe ekspozita të tjera dhe se ajo do të vazhdojë me projektin e radhës në një ekspozitë të përbashkët me punët e veta por edhe të babait të saj, gjë që për të do të jetë realizimi i një amaneti.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
I dua dy prindër si ju...