“Tri motrat” e Çehovit, në Teatrin Kombëtar

“Tri motrat”, komedia romantike e Çehov do të ngjitet premierë në janar në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Hervin Çulit

“Tri motrat”, komedia romantike e Çehov do të ngjitet premierë në janar në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Hervin Çulit. Prej javësh regjisori ka nisur punën për të sjellë një Çehov me gjithë dimensionin që mbart si autor. Në role për këtë vepër ai ka zgjedhur aktorë që kanë treguar se dinë të shndërrohen në personazhet që i besojnë.

Gladiola Harizaj, pas suksesit me shfaqjen “Liri në Bremen” me regji të Sesilia Plasarit, dhe disa interpretimeve të tjera gjatë këtij viti, është e zgjedhura e regjisorit Çuli për këtë vepër, bashkë me aktore të tjera si: Elia Zaharia dhe Anila Bisha. Në role të tjera janë:Bujar Asqeriu, Neritan Liçaj, Helidon Fino dhe Gert Ferra.

“Tri motrat” e Çehovit vijon të jetë një ndër shfaqjet më të vëna në teatrot në botë, pavarësisht kohës ku u vendosën ngjarjet. Kërkimi i dashurisë është thelbi i kërkimit të tri motrave simpatike i bën shikuesit të kërkojnë ta shohin shpesh në teatër.

Vepra të zhvendos në një provincë të Rusisë në një familje të thjeshtë ku brenda saj jetojnë tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz; Masha, motra e dytë është martuar me Kulliginin një mësues; Andreji, vëllai i tyre i pasionuar pas violinës, është punonjës në administratën lokale të qytetit i martuar me Nataljen; Irina, motra e vogël, punon telegrafiste.

Motrat janë vajza me botë shumë të pasur intelektuale dhe shpirtërore. Kanë ëndrra dhe pasione për jetën, kërkojnë dashurinë e vërtetë dhe thirrja e tyre e fortë është “të shkojmë në Moskë”. 

1,577 Lexime
8 vjet më parë