Kritikë krahasuese–argumentuese

Votreni si vëlla shpirtëror i Mefistofelit, që e grish Rastinjakun drejt aventurës, lavdisë dhe suksesit

Në këtë kritikë krahasuese - argumentuese përballim dy figura, që janë mishërimi i së keqes, të cilat ndonëse vijnë nga botë krejt të ndryshme, kanë në thelbin e tyre një sërë të përbashkëtash. Ese nga nxënësja Orkidea Beqiraj.

Në këtë kritikë krahasuese - argumentuese përballim dy figura, që janë mishërimi i së keqes, të cilat ndonëse vijnë nga botë krejt të ndryshme, kanë në thelbin e tyre një sërë të përbashkëtash. Për të kuptuar psikologjinë që qëndron pas personazheve, është e domosdoshme të njihen në radhë të parë autorët. 


Gëte, autori i Faustit, i konsideruar shekuj më vonë prej Ajnshtajnit si “njeriu i fundit në botë që di çdo gjë”, shprehet se: “Gjërat më të vështira për t’u parë shtrihen para syve tanë”.


Balzaku në ceremoninë e tij përkujtimore është cilësuar nga bashkëkohësi i tij, Hygo, si “një pushtues i shoqërisë moderne, i cili i shkul të gjithëve ndonjë gjë, disave një iluzion, gërmon vesin deri në fund, e hap dhe i futet thellë njeriut, zemrës, trurit, thellësive që ka çdo njeri në vetvete dhe duke parë nga afër revolucionet, e vlerëson më mirë edhe njerëzimin”.


Citatet e sipërpërmendura janë dëshmi e njohjes së përkryer të realitetit njerëzor nga ana e dy autorëve dhe mjeshtërisë së tyre për të shpalosur në letër plagën njerëzore.


Autori realist distancohet më tepër prej personazheve të veta, prezanton një profil dhe një gjuhë unike për secilin prej tyre, këto personazhe janë krijime të lindura si pasojë e influencës dhe ngacmimit, që i vjen autorit prej botës së jashtme. Balzaku përfshin në komedinë e tij kukullat e teatrit të madh, që është shoqëria parisiene e shekullit XIX. Për romantikët vlen e kundërta, ata jo rrallë herë personifikohen me personazhet e tyre duke i paraqitur lexuesit një alter ego, që jeton në qenien e tyre, Bajroni rrëfen përvojat e tij nën mantelin e Çajld Haroldit, De Rada e vesh Milosaon me elemente personale dhe vuajtje intime, po ashtu edhe Fausti e Gëte qëndrojnë të pandarë.


Mefistofeli dhe Votreni janë dy figura që kanë qenë gjithnjë dëshmitarë të anës së errët të njerëzimit duke u bërë vetë një pjesë e kësaj errësire. Ata nuk janë burimi i së keqes, por viktima të saj. Nuk duhen gjykuar si dy fenomene të shkëputura, që rrjedhin në drejtim kontravers me rrymën e shoqërisë, ata, përkundrazi, janë shembuj të natyrës njerëzore në formën e saj të zakontë. Mefistofeli i përmasave artistike të Gëtes, ka gjetur strehë në një Evropë të tronditur nga revolucionet industriale e borgjeze, të zhgënjyer e të lodhur dhe më konkretisht në një Gjermani të përçarë, qe përsiatet të mëkëmbet si një komb i bashkuar.


Votreni është prototipi i shoqërisë të sapoformuar kapitaliste, e cila po mësohet të shijojë frytet e zhvillimit ekonomik dhe mallkimin e ardhur bashkë me pasurimin. Votreni është krimineli me identitet të dyfishtë, që është arratisur nga burgu e ëndërron të pasurohet gjetkë, përtej oqeanit dhe të zërë vend në radhët e shoqërisë së lartë, ku e shkuara e dyshimtë harrohet dhe respekti blihet me monedhat metalike. “Në qoftë se do t’ia dal, - thotë Votreni, - askush nuk do të më pyesë “Kush jeni ju?”. 


Pavarësisht periudhës dhe faktorit historik, duket se ligësia është një sëmundje, që e bren përbrenda njerëzimin, sepse e keqja e njeriut është vetë njeriu, “njeriu për njeriun është ujk” sipas tezës së filozofit anglez Tomas Hobs. Brenda secilit prej nesh ekziston një anë e errët, me të cilën jemi në luftë të vazhdueshme, por, që herët a vonë, na duhet ta pranojmë si një mike të pandarë në udhëtimin tonë. Gëte i mori hua popullit të tij, Mefistofelin dhe me të pagëzoi pikërisht këtë atlerego satanike, që orvatet të sjellë shkatërrim. Mefistofeli manifestohet në të gjithë qenien e Votrenit. Votreni e ka humbur luftën e tij me djallëzoren e brendshme, ashtu siç e patën humbur edhe shumë bashkëkohës të tij. Te Votreni ligësia vjen në një formë mizore, të rrezikshme jo vetëm për individin, por për shoqërinë. Sjellja e moralshme, dashuria, respekti kthehen në një fasadë për të mbuluar tregun e përgjakur të shitjes së dinjitetit, i cili fshihej prapa kuintave.


Mefistofeli dhe Votreni janë vëllezër shpirtërorë, të cilët nënë kanë ligësinë. Për të sjellë Mefistofelin në vepër, autori romantik ka përdorur metodën e deduksionit, Mefistofeli pergjithëson atë të keqe, që është pjesë e terësisë njerëzore. Balzaku realist, për të prezantuar Votrenin, ka përdorur metodën e induksionit, pra ka shkëputur një rast nga e vërteta e përditshme për të përgjithësuar më pas në një nivel më të gjerë këtë fenomen. 


Fatkeqësia qëndron te fakti se Mefistofeli ka shumë vëllezër si Votreni, megjithatë njeriut, që në gjenezën e tij, i është dhënë dhuntia për të arsyetuar dhe liria për të zgjedhur. Ajo çka i takon njeriut, është të vendosë të bie pre e djallëzores apo ta shfrytëzojë si një kontradiktë që ngjall veprimin.


Balzaku i frymëzuar nga Dante Aligieri, e sjell Komedinë Hyjnore pranë njeriut, duke krijuar një seri veprash, që do të bëheshin pjesë e Komedisë Njerëzore. Bota e të gjallëve me veset e saj i përngjan kryekëput Ferrit, por në të, mëkati shpesh nuk dënohet. Djaloshi i ri Eugjen Rastinjak, pa eksperiencë jetësore dhe i ardhur nga një mjedis provincial, bie pre e kthetrave keqdashëse të Votrenit. Ai grishet drejt një suksesi të shpejtë, një pasurie pa lodhje, një rruge të shkurtër drejt salloneve të aristokracisë parisiene dhe tundimi i jetës mondane e dëfrimet, arrijnë ta joshin të riun. Votreni orvatet ta grishë Rastinjakun drejt vorbullës së kësaj mënyre jetese dhe planeve të veta djallëzore, ashtu si Mefistofeli grish Faustin drejt mëkatit. E vërteta qëndron se zemra e Eugjenit është e bardhë, pavarësisht gabimeve të tij dhe, sa më thellë që Votreni e tërheq në hullitë e errëta, aq më tepër ia ndjen ai mungesën dritës. Vdekja e Xha Gorioit ishte ndodhia që i hapi sytë përfundmisht Rastinjakut për të parë të vërtetën.


 “Miku im, shko ndiq fatin modest, me të cilin kufizove dëshirat e tua. Unë jam në ferr dhe duhet që të rri aty. Ndonjë gjë të keqe po të thonë për shoqërinë e lartë, besoje atë! S’ka Juvenal që të mund ta pikturojë tmerrin e mbuluar me ar e gurë të çmuar”- i thotë Eugjeni mikut të tij. Djaloshi, më në fund, arrin ta përdorë “mefistofelin” e tij, zotin Votren, si një shtytje për të kundërvepruar dhe për të mos u përthithur më tej në aventura dashakeqe dhe mbetet i vetmi që i bën nderimet Xha Gorioit, babait të zonjave të nderuara Dë Resto dhe Dë Nysingen. Një rrugë të ngjashme, fillimisht devijante, ndjek edhe Fausti, derisa më në fund, arrin të vendosë vlerat dhe dijet e tij në të mirë të njerëzimit dhe të çlirohet prej zinxhirëve të Mefistofelit, këtij mishërimi të djallit.Teksa Mefistofeli dhe Votreni çjerrin maskën, që mbulon anën më të errët të natyrës njerëzore, grishin “viktimat e tyre” me premtime ftuese, ata, gjithashtu, ngjallin te një shpirt i pastër një ndjenjë kundërpërgjigjëse. Të tundohesh prej së keqes është normale dhe e pranueshme për çdokënd, për sa kohë nuk preket thelbi i njeriut nga kjo e keqe, sipas Gëtes: “Njeriu gabon derisa të frymojë”. Njerëzit e drejtë si Fausti dhe Rastinjaku bëhen imunë ndaj satanikes, të rrezikshëm janë ata njerëz, të cilët udhëhiqen nga ana e tyre e errët në mënyrë të vazhdueshme dhe janë të maskuar nën petkun e pushtetit. Votreni u bën thirrje këtyre njerëzve: “Ne të paktën e kemi poshtërsinë të shënuar mbi sup, ndërsa ju e keni atë brenda në zemër, o gjymtyrë të flashkëta të një shoqërie të gangrenizuar: më i miri ndërmjet jush, nuk do të më bënte dot ballë”.

 

Nga Orkidea Beqiraj, klasa XI, shkolla “Ernest Koliqi”, Tiranë


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,552 Lexime
3 vjet më parë