Studimi

Abuzimi verbal në fëmijëri lë gjurmë të përhershme

Abuzimi verbal dhe i vazhdueshëm në fëmijëri mund të lërë gjurmë të përhershme te fëmijët duke i shkaktuar atyre efekte që janë po aq të këqija sa dhuna fizike, thotë një studim i ri

Fyerjet, ofendimet, të bërtiturat, fajësimi, kërcënimi, vënia në lojë, kritikat ose poshtërimi mund të jenë po aq të dëmshme sa edhe abuzimi fizik, seksual apo dëshmimi i abuzimit fizik në shtëpi, sipas një raporti të letrës së Shëndetit Mendor nga Universiteti i Harvardit.

Raporti sugjeron se, kur abuzimi verbal është i vazhdueshëm dhe i rëndë, ai krijon një rrezik të çrregullimit të stresit post-traumatik, i njëjti lloj i kolapsit psikologjik që shpesh përjetohet nga trupat që shkojnë në luftë.

Kërkimi në të cilin është bazuar raporti thekson se fëmijët që janë shënjestër e shfaqjeve të shpeshta të keqtrajtimit verbal kanë rreziqe më të larta për agresion fizik, shkelje të ligjit dhe probleme sociale krahasuar me fëmijët e tjerë.

Shumë studime e lidhin abuzimin fizik dhe seksual me efekte që zgjasin në tru dhe në sjellje, por keqtrajtimi emocional nuk ka marrë të njëjtën vëmendje. “Ekspozimi i agresionit verbal ka marrë pak vëmendje si një formë e veçantë e abuzimit”, thekson Martin Teicher, profesor i psikiatrisë në spitalin McLean, i lidhur me Harvardin.

“Kjo pavarësisht faktit se një studim kombëtar ka zbuluar se 63 për qind e prindërve amerikanë raportonin një ose më shumë shembuj të agresionit verbal, që ishin bërë kundrejt fëmijës së tyre”.

Kjo situatë e nxiti Teicher dhe tre kolegët e tij Jacqueline Samson, Ann Polcari dhe Cynthia McGreenery të bëjnë një studim ku krahasojnë ndikimin e abuzimit verbal në prani ose jo të abuzimit fizik dhe seksual, si dhe ekspozimit ndaj dhunës në familje.

Kërkuesit rekrutuan 554 të rinj të moshës 18 deri në 22 vjeç, që iu përgjigjën kërkesës. Rreth gjysma e tyre ishin gra; shumica të bardha. Ato përmbushën pyetsorë rreth fëmijërive jo të lumtur dhe abuzimit verbal.

Shembulli tipik i përgjigjeve ishte Angela, një 18-vjeçare që sapo kishte filluar kolegjin. “Kjo është hera e parë që e mendoj në këto vite”, tha ajo, “dhe hera e parë që flas për këtë”.

Pasojat e mundshme përfshijnë lidhje të pasigurta me të tjerët, ndjesi negative për veten në lidhje me të tjerët, funksionim i dobët social dhe vetëvlerësim të ulët.

Pasojat e dhunës verbale janë më të këqija se dëshmimi i dhunës në familje. Nga 54 personat e studiuar që kishin dëshmuar dhunë në familje, 35 i kishin parë nënat të kërcënoheshin ose të sulmoheshin, 23 kishin dëshmuar keqtrajtimin e motrave ose vëllezërve, ku 13 nga këto sulme kishin qenë rrahje të rënda.

Është e mundur, thekson skuadra, që ekspozimi ndaj abuzimit emocional, fizik dhe seksual është më i madh te familjet me sëmundje mendore. Faktorët gjenetikë mund të kontribuojnë në shtimin e abuzimit brenda familjes. Probleme të ngjashme u gjendën edhe te ata që ishin pak të arsimuar.

(Portali Shkollor)

2,442 Lexime
8 vjet më parë