Shqipja përtej kufijve

Ajrina Hysaj, pedagogia nga Dubai që u mëson të rinjve vullnetarisht gjuhën shqipe

“Eksperienca e mësimdhënies së shqipes te fëmijët e mi dhe eksperienca prej dy dekadash në mësimdhënien e gjuhës angleze më nxiti të hap kanalin tim në YouTube për mësimdhënien e gjuhës shqipe. Me të kam synim t’u mësoj shqip fëmijëve ose të rriturve në emigracion”, thotë Ajrina.

Ajrina Hysaj jeton prej 22 vitesh në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo lindi dhe u rrit në Tiranën e saj që thotë se i mungon gjithnjë e më shumë. Studimet e mesme i ka kryer në gjimnazin Ismail Qemali dhe studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Tiranës, në degën Gjuhë Letërsi. “Që në moshë të vogël më ka pëlqyer mësimdhënia dhe në Shqipëri përpara se të emigroja në Emiratet e Bashkuara Arabe, jepja mësim anglisht”, thotë Ajrina. Ajo u largua në vitin 2000, sapo mbaroi studimet në Fakultetin e Filologjisë, për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.


Kur emigroi në Dubai, në qytetin që tani njihet nga një popullsi e madhe e botës për nga moderniteti dhe mundësitë e punësimit, ishte një qytet shumë më modest. Në atë kohë, autostrada më e famshme e Dubait, Sheikh Zayed kishte vetëm një godinë shumëkatëshe të quajtur Trade Center (Qendër Tregtare), në të cilën organizoheshin konferenca dhe takime shkencore dhe kulturore. Në krahun e kundërt të rrugës Sheikh Zayed ishte godina e njërës nga gazetat më të vjetra në gjuhën Angleze, e quajtur “Gulf News”. 


Ajrona tregon se, “Në ato vite popullsia e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk kishte shumëllojshmërinë e kombeve që ka tani dhe e pata disi të vështirë të gjeja njerëz me të cilët të komunikoja dhe të ndihesha rehat”. Miqësitë e para i formoi me një numër të kufizuar europianësh që jetonin në Dubai në atë kohë, me të cilët takohej vazhdimisht dhe shkëmbente ide dhe këndvështrime për jetën në Dubai dhe mundësitë për të arritur plotësimin e dëshirave personale. Vitet e para të jetesës në Dubai, lindi vajzën dhe djalin e saj, Sarën dhe Adelin dhe iu përkushtua familjes së re. Sidoqoftë, ajo ishte gjithmonë në kontakt pune dhe punonte me kohë të pjesshme në mënyrë që të mos u mungonte fëmijëve të saj të mitur. Në vitin 2008, shoqja e saj irlandeze e nxiti të zhvillojë një trajnim për mësimdhënie në Gjuhës Angleze në Universitetin e Kembrixhit, Angli. Trajnimi ishte intensiv dhe ajo u kualifikua për t’u dhënë anglisht njerëzve që nuk e kishin anglishten gjuhë amtare. 


Pasi mbaroi kursin, studentët e saj të parë ishin inxhinierët e një shoqërie italiane të cilët merreshin me ndërtimin e urave në Dubai. “Në mësimdhënien e gjuhës angleze në shoqërinë Todini, më ndihmoi edhe njohja e gjuhës italiane. Më pas fillova punë në Universitetin e Wollongongut në Dubai, një universitet australian me një reputacion botëror”, thotë Ajrina. 

Në fillim jepte anglisht dhe studentët ishin nga e gjithë bota. Në vitin 2015 mbaroi Masterin për Arsimin e Lartë, pranë një Universiteti Australian, Murdoch University në Dubai.


Pas kësaj aplikoi dhe u bë pedagoge pranë departamentit të inxhinierisë në Universitetin e Wollongongut në Dubai. Dega që jep mësim prej vitit 2016 është “Aftësi Akademike dhe Shkencore” dhe studentët vazhdojnë të jenë nga e gjithë bota. Vitin që kaloi filloi studimet për doktoraturë në Universitetin e Wollongongut. Tema e doktoraturës është: “Përdorimi i Teknologjisë për parandalimin e plagjiaturës në shkrimin shkencor”. Ka shkruar mbi 30 artikuj shkencorë, të botuar në revista prestigjioze shkencore dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare, ku ndan njohuri me shkencëtarë dhe pedagogë nga e gjithë bota. 


Pavarësisht se ka jetuar mbi dy dekada në Dubai, asaj dhe familjes i mungon shumë Shqipëria, Tirana dhe e gjithë familja nga Tropoja dhe Tirana. Edhe pse fëmijët e saj janë lindur dhe rritur në Dubai, ata e flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe ndihen në Shqipëri më mirë se kudo tjetër në botë. “Eksperienca e mësimdhënies së shqipes tek fëmijët e mi dhe eksperienca prej dy dekadash në mësimdhënien e gjuhës angleze më nxiti të hap kanalin tim në YouTube për mësimdhënien e gjuhës shqipe. Kanali ka emrin tim dhe quhet ‘Ajrina Hysaj’. Me të kam synim t’u mësoj shqip fëmijëve ose të rriturve në emigracion ose dashamirësve të gjuhës sonë të mrekullueshme”, thotë Ajrina. 


Me anë të këtij kanali ajo synon të informojë njerëzit rreth rregullave gramatikore dhe fjalorit të gjuhës shqipe si dhe të japë kontributin e saj në informimin e brezave rreth kulturës, zakoneve dhe historisë sonë të lashtë dhe aktuale. “Kam një dëshirë të madhe të bashkëpunoj me pedagogë nga trojet shqiptare dhe në Qershor të këtij viti do të organizoj një sesion special e një konferencë ndërkombëtare që do të mbahet në Suedi dhe të ftuarit do të jenë nga Shqipëria, Kanadaja, Malajzia, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, thotë Ajrina. 


Mesazhi i saj për brezat e rinj shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe kudo nëpër botë është të jenë krenarë për arritjet personale të tyre. 


“Shqipëria jonë është akoma me shumë halle po brezat e rinj janë një burim shprese për ne të gjithë, si në emigracion dhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi. Mësoni sa me shumë gjuhë të huaja dhe përkushtojuni studimeve universitare. Gjyshja ime heroinë që rriti shtatë fëmijë jetimë thoshte: Shkolla e Lartë është byzylyk floriri që nuk të lë kurrë në baltë. Ndaj, mësoni dhe gëzoni për arritjet tuaja, provojeni vetveten si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Formohuni si njerëz dhe si intelektualë dhe mos harroni kurrë rrënjët tuaja, sepse ato janë fuqia juaj”.businessmag.al



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,448 Lexime
2 vjet më parë