Akademiku Shpend Rukiqi: Parregullsi në klasë? Ja disa këshilla!

"Kur nxënësi është i zënë me punë dhe detyra, nuk ka kohë dhe as nuk ndjen nevojën që të shpikë gjëra të tjera dhe të tregojë veten në klasë", një artikull i radhës nga akademiku shqiptar në Suedi, Shpend Rukiqi.

Ka tri momente kur ne mund të reagojmë në sjellje jo të mira: 

• para se ato të ndodhin

• gjatë kohës kur ato ndodhin 

• dhe pas kohës kur ato kanë ndodhur


Shtrohet pyetja se cila nga momentet është më së paku efikase dhe pse?


Reagimi gjatë kohës kur diçka ndodhë, është reagimi më jo efikas, arsyeja është e lehtë për t’u kuptuar, nxënësi është në affekt e gjithashtu edhe ne jemi në afekt nga situata e krijuar dhe të ndikuar nga ajo që ne duam të arrijmë me orën e mësimit. Por, nuk është vetëm kjo.  Një devijim i tillë i situatës në grup/klasë mund të na gjejë të pa përgatitur dhe pa një strategji të menduar mirë për trajtimin të situatës. Reagimet tona të shpejta gjatë kohës kur ngjarja ndodh janë zakonisht të shkurtëra, të shpejta dhe në form të prerë si psh: mjaft, nuk duhet ashtu, e ke gabim, ulu ne vendin tënd, dil jashtë etj. 


Ne zakonisht ndodhemi para dy skenarëve; 

  1. Nxënësi nuk e di që sjellja është e gabuar
  2. Nxënësi e di që sjellja është e gabuar


Në rastin e parë kur nxënësi nuk e di që sjellja ishte e gabuar dhe posedon aftësinë për të kontrolluar emocionet, dhe kuptuar seriozitetin e situatës së krijuar - situata zgjidhet lehtë.

Situata është shumë më komplekse në rastin e dytë kur nxënësi e di që sjellja është e gabuar, por nuk mund ta kontrollojë vetëveten menjëherë (në momentin aktual).


Reagimi pas kohës, kur sjellja jo e mirë ka ndodhur, në shumicën e rasteve merr formën e një "bisede serioze" që në fakt nuk është asgjë më shumë sesa një qortim i vonuar zakonisht me më shumë njerëz të përfshirë që do të thotë: më shumë qortime. Bisedat e tilla, në shumë raste, pjesëmarrës kanë edhe prindërit të cilët dëgjojnë kritika të drejtuara në adresën e nxënësit( fëmijës së tyre që ata e kanë edukuar); një kritikë që, në mënyrë indirekte, vë në pikëpyetje aftësinë e prindit. Shtrohet pyetja: cilën anë duhet prindërit të zgjedhin- "anën e prokurorisë" apo ”të mbrojtjes”?  Nëse presim që prindërit të na mbështesin, atëherë kush do ta mbështesë nxënësin, që ka nevojë shumë për mbështetje, e jo për qortim. Të kërkojmë nga prindërit të zgjedhim njërën anë është jo etike, por mbi të gjitha ekziston rreziku që ata të zgjedhin fëmijën e tyre. Në këtë rast, ne kemi krijuar dy kundërshtarë dhe kemi shkatërruar gatishmërinë për të bashkëpunuar si me nxënësin ashtu dhe me prindërit. Studimet tregojnë se sa më shumë që i kushtojmë vëmendje sjelljes së keqe, aq më i madh është rreziku që ajo të rritet. Në anën tjetër, ne gjithashtu duhet të kuptojmë se qortimi nuk është veprim konkret. 


Para se të ndodhë është absolutisht strategjia më e mirë për trajtimin e sjelljeve problematike. Të jesh një hap përpara dhe të trasosh një rrugë të qartë për nxënësin është metoda më efektive. 

Dallimi në mes të mësimdhënësve në klasat me shumë probleme dhe mësimdhënësve në klasat me më pak probleme qëndron në punën parandaluese të problemeve, e jo me mënyrën se si ata trajtojnë sjelljet problematike që kanë lindur. Studimet tregojnë se ka një efekt jashtëzakonisht të fuqishëm nëse mësuesit shohin edhe prapa shpine, thënë ndryshe; “kanë sy në qafë” dhe drejtpërdrejt dhe në mënyrë objektive vërejnë diçka që është duke ndodhur. Pra, në klasat me rend dhe rreull, mësuesit sigurohen që problemet të mos paraqiten. Dhe kur ato ndodhin, ato trajtohen në mënyrë diskrete dhe para se të rriten të mëdha.



Studimet shkencore kanë treguar gjithashtu se problemet mund të parandalohen, dhe metodat më efektive për parandalimin e tyre janë përmbledhur ne disa pika:

  • Reago drejtpërdrejt: Reagoni menjëherë nëse diçka po ndodh.
  • Reago me maturi: Por mos e zhvendos gjithë fokusin te sjellja shqetësuese, adreso shqetësimin kalimthi me një shenjë/prekje të lehtë ne krahëror ose një shikim derisa mësimi vazhdon. Kurseni kritikat negative në klasës/grup.
  • Mos gjykoni: Mundohuni të jeni sa më objektiv emocionalisht ndaj nxënësit që krijon shqetësim kur flisni për sjelljen e papërshtatshme dhe të papranueshme që nxënësi ka treguar.
  • Sjellja: Ndihmojeni/mësojeni nxënësin të veprojë, në vend se ta qortoni se gjithçka që ai/ajo bën është gabim- pra, ngrit gjërat pozitive.
  • Shtyje para: Mbajini nxënësit të angazhuar/të zënë me një ritëm të shpejtë në mësimdhënie në mënyrë që secili student/nxënës të ketë detyra gjatë gjithë kohës , qoftë në një grup apo individualisht. Pra, planifiko për gjithë grupin dhe të gjitha nivelet, për ata që kanë nevojë për ndihmë dhe ata që kanë nevojë për stimulim. Gjithçka e ka bazën tek planifikimi. 


Suksesi është i pashmangshëm kur:

• nxënësit dinë se çfarë të bëjnë;

• respektohen për të mirat dhe mangësitë e tyre; 

• mësojnë se konfliktet mund të zgjidhen pa u gjykuar;

• nxënësit e zënë nuk kanë kohë për të shkaktuar rrëmuja;

• kur ne e kuptojmë se siguria dhe mirëkuptimi vështirë arrihen vetëm me vërejtje.


Përfundim

Kur nxënësi është i zënë me punë dhe detyra, nuk ka kohë dhe as nuk ndjen nevojën që të shpikë gjëra të tjera dhe të tregojë veten në klasë.


Nga Shpend Rukiqi

Degree of Master of Science filozofi

Postgraduate Diploma in Special Educational Needs

Degree of Master of Education Kimi/ matematik




©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,033 Lexime
6 muaj më parë