
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Një bisedë me Evans Drishtin mbi sfidat e adoleshencës dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të të rinjve me veten dhe shoqërinë. Libri “Labirint në tru” sjell një pasqyrë të ndershme e reale të botës së tyre, me qëllimin për të ndihmuar kuptimin dhe afrimin ndaj tyre; thirrje për mësuesit dhe prindërit.
Adoleshenca është një ndër periudhat më të ndërlikuara dhe më delikate të jetës njerëzore, ku përplasjet e brendshme dhe të jashtme formësojnë identitetin, karakterin dhe të ardhmen e individit.
Në një kohë kur shqetësimet për mirëqenien emocionale dhe mendore të të rinjve janë bërë më të dukshme se kurrë, vjen si një reflektim i nevojshëm bashkëbisedimi me Evans Drishtin, në profesion mësues por në fushën e tij të veprimit është publicist, përkthyes dhe njohës i disa gjuhëve të huaja. Ai ndalet te raportet që adoleshentët ndërtojnë me veten, familjen, shkollën dhe shoqërinë, duke sjellë një panoramë të ndjeshme dhe të sinqertë mbi botën e tyre të brendshme.
Pas diskutimeve të shumta publike që kanë pasuar edhe filmin “Adoleshenca”, ky diskutim merr më shumë peshë për faktin se në shqip ka një botim konkret “Labirint në tru”, libër i cili hedh dritë mbi realitete të prekshme të adoleshentëve në vendin tonë, jo si teori, por si rrëfim i drejtpërdrejtë dhe i jetuar, ku Drishti është dhe bashkautor i tij. Prindërit dhe mësuesit duhet të kenë parasysh se kjo është një moshë që kërkon më shumë dëgjim sesa qortim, më shumë mirëkuptim sesa drejtim.
Inervistoi Nanila Allkja Biçaku
Z. Drishti, çfarë ju motivoi të bashkëpunonit në shkrimin e librit “Labirint në tru”? Si lindi bashkëpunimi me Dr. Zojë Jakaj, Endri Beqo, dhe çfarë solli secili prej jush në këtë projekt?
Libri ynë “Labirint në tru” erdhi si një domosdoshmëri e kohës dhe e realitetit në të cilin jetojmë, nisur nga fakti se, kohët e fundit adoleshenca është bërë objekt diskutimi për shkaqe që dihen. Brenda një kohe tepër të shkurtër, por bazuar në eksperiencat tona shumëvjeçare në fushën e arsimit, edukimit dhe të kulturës arritëm të sillnim një vepër me vlerë. Libri nuk është teorik, por sjell realitete të adoleshentëve gjatë procesit të rritjes dhe zhvillimit të tyre në raport me veten, me familjarët, me mësuesit, drejtuesit e institucioneve shkollore e kulturore dhe në raport edhe me njerëzit që i rrethojnë në përditshmëri. Dr. Zojë (Xhoi) Jakaj, vjen për herë të gjashtë si autore, pas sukseseve të arritura më parë me 5 botimet e saj për gratë dhe adoleshentët, kurse personalisht vi për herë të parë përpara lexuesve si autor pas shumë përkthimeve dhe botimeve publicistike të prezantuara ndër vite. Kurse Mjeshtri Endri Beqo, vjen si kurator i librit duke sjellë imazhe të vyera në karikature për situatat që kemi sjellë, me qëllimin e qartë që të ushqejmë te lexuesit imazhin e një rrëfimi.
Pse zgjodhët titullin “Labirint në tru”? Çfarë përfaqëson ai për ju dhe për përmbajtjen e librit?
Kemi të bëjmë me labirinte të mendimeve dhe ideve, botëkuptimeve dhe vizioneve që sjellin proceset e rritjes dhe zhvillimit të adoleshentëve. Shfaqet si një lloj mekanizmi orientues dhe çlirues njëherazi duke u dhënë mundësi prindërve, arsimtarëve dhe mbarë shoqërisë jo vetëm të kuptojnë sjellje, reagime dhe mendime konkrete të adoleshentëve, por edhe orientime praktike si të sillen dhe të komunikojnë me ta.
Libri është adresuar adoleshentëve dhe rrethit të tyre social, si mendoni se ndihmon ky botim në përballimin e sfidave të kësaj moshe?
Teksa lexojmë situatat reale të ofruara, arrijmë të bashkudhëtojmë me ta në çdo prizëm si: në të menduar, në të gjykuar, në të arsyetuar, në sjellje, në krijim të raporteve që plotësojnë përditshmërinë etj. Kjo u mundëson të rriturve, qofshin prindër, motra apo vëllezër, gjyshër, mësues dhe drejtues, të moshave dhe profesioneve të ndryshme të përfshihen lehtazi në botën e mistershme të adoleshentëve. Në këtë mënyrë, hiqet edhe ajo drojë apo ai ngërç që shfaqet si një mur i pathyeshëm mes adoleshentëve dhe të rriturve duke i kuptuar akoma më thellë si gëzimet ashtu edhe hidhërimet e tyre, si brengat ashtu edhe kënaqësitë përkatëse. Kjo është një mënyrë e volitshme për të parandaluar edhe ato situata të pakëndshme, që mund të çojnë edhe në vendime ekstreme.
Gjatë punës për librin, a keni hasur ndonjë histori reale nga adoleshentët që ju ka bërë të ndaleni e të reflektuar më thellë mbi mënyrën si ata përballen me emocionet dhe ndryshimet që përjetojnë?
I tërë libri është ideuar mbi situatat dhe historitë reale të adoleshentëve, siç u theksua edhe në nisje të intervistës. Të tilla histori janë të shumta e të përditshme. P.sh: prezantojmë historinë e një adoleshenteje maturante, e cila është rrekur gjatë gjithë shkollimit të saj të plotësojë kërkesat dhe presionet e së ëmës, për një mesatare model për të kapur mjekësinë, shkrim të cilin e kam titulluar “Mjekësia false”, por ja që ajo ishte mësuar t’i akumulonte njohuritë lëndore vetëm mekanikisht, e për më tepër as që e kishte pasion mjekësinë. Kulmi arrin kur nisin aplikimet për universitet, dhe vajza nuk arrinte të plotësonte as përqindjen më të vogël të kritereve, përveç një mesatareje të stërmundimshme në arritje. Aty e ëma pëson shokimin dhe dështimin e saj të plotë, e për rrjedhojë vajza e saj bie e dërrmuar nga një rraskapitje e tundimshme duke vijuar një degë të ndryshme nga idealja e mamasë së saj.
Ashtu sikurse ka edhe raste të tjera që të dhurojnë emocione të pashlyeshme. Kështu: gjatë procesit të përgatitjes së shkrimeve, një natë, në orët e vona, më vjen një mesazh shumë domethënës nga Amerika e largët. Një ish-nxënësi im, i diplomuar tashmë prej pak vitesh, më tregon me plot vlerësim dhe dashuri për një arritje të tij kulminante duke u punësuar në një nga kompanitë më prestigjioze botërore si ekspert kontabiliteti. Ai shprehte vlerësim për gjithë angazhimet dhe mbështetjen që i kisha ofruar gjatë periudhës së gjimnazit, veçanërisht për inkurajimin dhe motivimin e përhershëm që i kisha ushqyer duke i thënë gjithnjë “S’ka gjë që s’arrihet”, gjë të cilën tashmë e dëshmonte dhe e vërtetonte me vullnetin dhe dëshirën e tij të zjarrtë për të arritur maja të tilla suksesi.
Si kanë reaguar të rinjtë dhe prindërit që kanë pasur mundësi ta lexojnë librin deri tani? Keni marrë ndonjë reagim që ju ka prekur në mënyrë të veçantë?
Reagimet kanë qenë tepët pozitive. Madje duhet thënë se na kanë shprehur edhe habitë e tyre për shumë situata që kanë lexuar, të cilat as nuk i kanë menduar as imagjinuar si ekzistenciale. Njëri prej tyre p.sh: tregon për njërin nga rrëfimet titulluar “E kam të vështirë të jem një adoleshent” nisur nga fakti se gjithçka e pasqyruar në atë rrëfenjë ishte identike me atë që kishte përjetuar vetë si në fëmijërinë e vet, ashtu edhe tashmë si prind, ku fatkeqësisht vazhdonte ti bënte sërish ato gabime në raport me rritjen dhe zhvillimin e vajzës së vet.

Mund të përmendet edhe një tjetër rast, i rrëfimit titulluar “Ju nuk më njihni mua”, ku lexuesi impresionohet tërësisht mendërisht dhe shpirtërisht, pasi të njëjtat situata i kishte përjetuar dhe vetë, por që tashmë ishte i vendosur të mos ia transmetonte të birit që po i afrohej adoleshencës.
Përsa i përket të rinjve, kanë ngelur shumë të impresionuar, pasi gjithsecili gjen veten e tij / të saj qoftë në përgatitjet e tyre të një dite të re, qoftë për procesin e orëve mësimore apo ato kulturore. Madje njëri prej tyre reagon menjëherë, teksa shprehet me bindje: “Rasti që keni sjellë jam unë, medoemos.” Kjo është dëshmi e origjinalitetit dhe transparencës që kemi treguar me realitetin e situatave.
A është menduar ndonjë vijim apo projekt i ngjashëm pas këtij botimi?
Sigurisht që të tjera projekte do vijojnë duke u ardhur në ndihmesë çdo moshe, veçanërisht atyre prindërore. Ruajmë bindjen se çdo projekt kërkon kohën e duhur dhe të mjaftueshme për të ardhur te lexuesi dhe artdashësi sa më përthithës. Nga ana tjetër, jemi të detyruar të tregohemi paraprirës me synimin e qartë për të mbërritur të publiku shqiptar më të rinovuar dhe të larmishëm e plot risi.
Në përvojën tuaj si pedagog dhe autor, cilat janë sfidat më të mëdha që hasin të rinjtë sot në Shqipëri?
- Së pari mund të përmendim elementin më sfidues që nuk dëgjohen sa dhe si duhet as nga familjarët as nga mësuesit. Në raportet familjare vuajnë shumë vetminë dhe mospërfshirjen, madje edhe mospërfilljen ideore.
- Së dyti: kërkojnë të jenë më sociale, por hapësirat qofshin familjare qofshin edhe shkollore janë shumë të kufizuara, ndaj ndjehen të vetmuar dhe të distancuar tërësisht ndaj artit dhe kulturës.
- Së treti: fenomeni i bullizimit gjen një shtrirje dhe përhapje të paimagjinueshme duke shkaktuar trauma psikologjike që mbërrijnë deri në nivele të frikshme. Kjo natyrshëm ndikon edhe tek ata më të mirët duke sjellë pengesa të shumta në zhvillim normal të procesit të zhvillimit ideor e kulturor.
- Së katërti: Shumë rrjete sociale të faqeve të papranueshme janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre duke i ushqyer me strese dhe ankthe të pakontrollueshme.
- Së pesti: përdorimi i drogës ka arritur në përmasa të frikshme duke sjellë çrregullime mendore dhe shpirtërore të forta.
- Së gjashti: vendin e një miqësie të sinqertë e kanë zënë marrëdhënie intime që në moshë të vogël duke kaluar në abuzime të papranueshme.
- Së shtati: marrja e informacionit të shkurtër dhe të shpejtë nëpërmjet rrjeteve sociale i ka distancuar ndjeshëm nga leximet e rregullta.
Cilat janë tre mesazhet kryesore që doni të përcillni përmes “Labirint në tru”?
Sikurse jam shprehur në njërin nga rrëfimet titulluar “Të jetosh me mua dhe jo për mua” dëshiroj të theksoj se është emergjente të jemi bashkë përjetues të ndjesive pozitive dhe negative të adoleshentëve. Të shmangim sa më parë edukimin diktatorial me metoda kritike dhe abuzime, të përqafojmë respektin, mbështetjen dhe solidarizimin ndaj çdo frekuence që vjen prej tyre. P.sh: le t’i dëgjojmë se si rrëfehen për shoqërinë e tyre, për sjelljet dhe pritshmëritë që kanë në shkollë apo si ta kalojnë “kohën e lirë” në mënyrë që të zgjerohen në artikulime të sakta dhe të qarta.
Më pas, detyrimisht të ushqejmë të bukurën, e cila gjendet tek çdo gjë artistike dhe kulturore duke u sjellë sa më shumë alternativa argëtuese për t’ua plotësuar fëmijërinë dhe rininë e tyre me të gjitha ngjyrimet e një ylberi. P.sh: një angazhim në një kurs pikture, një kurs muzike për një vegël muzikore, një kurs për të folurën publike, një kurs për artizanat dhe kuzhinë mbeten gjithnjë me vlerë për zgjerim diapazoni.
Së treti: le t’i angazhojmë në çdo hap të përditshmërisë me çdo preokupim familjar, shkollor, social me synimin për t’ua plotësuar karakterin dhe intelektin e tyre. Mos të harrojmë, pas çdo vështirësie vjen një lehtësim, e pas çdo angazhimi vjen një maturim. Kemi nevojë të dëgjojmë ide të maturuara prej tyre, arsyetime të kthjelluara. P.sh: le të angazhohen që të vegjël për të kryer detyrimet e tyre në punët e shtëpisë, në realizim të detyrave shoqërore apo projekteve sociale e kulturore.
Nga ana tjetër duke qenë se “Labirint në tru” trajton pikërisht tema të ndjeshme për adoleshentët, çfarë mesazhi do t’u përcillnit veçanërisht mësuesve, prindërve dhe nxënësve që ndjekin Portalin Shkollor dhe kërkojnë mjete për të kuptuar më mirë sfidat emocionale e sociale të kësaj moshe?
Si prindër jemi të detyruar të veprojmë bashkë me fëmijët tanë, që kur nis një ditë e re brenda shtëpisë duke ndarë bashkërisht angazhimet familjare.
Si mësues duhet t’ua lehtësojmë sa më shumë ngarkesën lëndore duke u ofruar zbërthime të pjesëve lëndore. Drejtuesit e shkollave detyrimisht duhet të zgjerojnë rrethet sociale e kulturore në ambientet shkollore dhe përtej duke mundësuar një socializim të vijueshëm të adoleshentëve. Të hiqet dorë nga “opinioni” vrastar që krijohet për kategori të caktuara nxënësish duke i përfshirë në shumë segmente të rretheve sociale e artistike.
Ju lutemi! Prindër dhe mësues! Bëni kujdes në krijimin e marrëdhënieve sa më njerëzore me adoleshentët, dhe mos bëni që ata t’ju urrejnë, por lehtësoni sa më shumë që t’ju admirojnë tërë jetën.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Arbana Pajenga Hallva: Komunikimi efektiv në klasë, ura që lidh mendjen me zemrën
Manushaqe Hoxha Laçi: Trekëndëshi mësues-nxënës-prind, “shtylla kurrizore” e arsimit
Si të ndihmojmë nxënësit me nevoja të veçanta?