Ardi Stefa: Për çfarë duhet të festojnë mësuesit shqiptarë më 7 Mars?

Një reflektim kritik për 7 Marsin dhe realitetin e mësuesit shqiptar. Ardi Stefa ngre pyetje të forta mbi pagat, mungesën e respektit, burokracinë dhe peshën e humbur të notës në shkollë, duke e parë këtë datë jo si festë, por si një moment të domosdoshëm për reflektim shoqëror mbi vlerën e dijes.

Nga Ardi Stefa


Çdo vit, në  7 Mars, rrjetet sociale mbushen me urime, me lule simbolike, me fjalime patetike dhe me fjalë të mëdha për “misionin e shenjtë të mësuesit”. Dedikime të “ndjera”, fjalë e slogane të nxjerra jo nga zemra, por nga interneti. Fjalë që tingëllojnë bukur, por që janë vetëm fjalë. 


Sepse pas këtyre dedikimeve sentimentale, realiteti i mësuesit shqiptar është shumë më i ashpër.

Një ditë në vit mësuesi vendoset në piedestal; 364 ditët e tjera, në cep të sistemit.

Madje as një ditë nuk vendosen në piedestal, sepse diku nga mesdita, pikërisht ata që u bëjnë dedikimet e u buzëqeshin, u përflasin lulet që u dhuruan, ndërsa televizionet e portalet mbushen me denoncime për dhuratat që marrin “mësuesit”! Dhe marrin vetëm ndonjë rast të shkëputur mësuesish të paaftë, të cilët mungesën e dijeve dhe formimit profesional e mbulojnë me fjalë të tjera e lëpirje nxënësish e prindërish.


Për çfarë duhet të festojnë sot mësuesit?

Për pagat që mezi mbajnë një familje?

Për dinjitetin profesional që është nëpërkëmbur totalisht dhe që shkelet sa herë që politika kujtohet për arsimin vetëm në fushata?


Për mungesën e respektit që vjen jo rrallë nga nxënës të paedukuar dhe prindër arrogantë që e shohin shkollën si shërbim parkimi ku kanë parkuar për tetë orë fëmijën dhe mësuesin si një pengesë burokratike mes fëmijës së tyre dhe diplomës? 


A duhet të festojnë për faktin se kanë vetëm detyra dhe pothuajse asnjë të drejtë reale për të mbrojtur autoritetin e tyre në klasë? Me ligj kanë të drejta, në praktikë s’kanë asnjë, kanë vetëm detyra!


Po për notat që kanë humbur peshën e tyre? Kur në universitet shkojnë pothuajse të gjithë, shpesh pa asnjë filtër real meritokracie, çfarë vlere mbetet për vlerësimin në shkollë? Kur nota nuk është më instrument formimi dhe nuk mat më dijen, por vetëm presionin edhe puna e mësuesit zbehet.


A duhet të festojnë për tekstet mediokre që shpesh janë më shumë produkte tenderësh dhe përkthime fjalë për fjalë të teksteve të huaja sesa instrumente të dijes?


Apo për orët e pafundme të shpenzuara në platforma digjitale, në formularë, tabela dhe raporte?  Në vend që energjia të shkojë tek përgatitja e mësimit, libri, dija dhe nxënësi, një pjesë e madhe e kohës shpenzohet në burokraci digjitale, dokumentacione, në sisteme si SMIP-i, në hartime raportesh menaxhimi të risqeve, në hartime ditaresh e stilesh të të nxënit që kurrë nuk zbatohen e një burokraci të pafundme që imponohet nga zyrtarë të ministrisë, që s’kanë qenë asnjë ditë mësues; e gjitha kjo rëndon mbi cilësinë e mësimdhënies.


Sigurisht, ka ende nxënës që e duan dijen. Ka ende prindër që e kuptojnë sakrificën e mësuesit. Ka ende mësues që vazhdojnë ta bëjnë këtë profesion me pasion, edhe kur sistemi nuk i ndihmon. Por kjë e fundit është një pakicë heroike brenda një realiteti të zymtë e të egër.


Por, a mjafton kjo pakicë për të festuar?


Personalisht nuk e festoj 7 Marsin, nuk pres dhe kam bindjen se nuk duhet të jetë vetëm një ditë urimesh. Në fakt është një ditë hipokrizie, një ceremoni hipokrizie kolektive ku shoqëria shqiptare për një ditë falënderon mësuesin dhe të nesërmen vazhdon ta injorojë e keqtrajtojë.


Duhet të jetë një ditë reflektimi për shoqërinë shqiptare. 

Mënyra se si trajtohet mësuesi është, në fund të fundit, pasqyra e mënyrës se si një shoqëri e trajton dijen.

Dhe, nëse dija nuk respektohet, atëherë 7 Marsi është vazhdim i hipokrizisë kolektive dhe jo arsye për të festuar.

Dhe, nëse një shoqëri nuk respekton mësuesit e saj gjatë gjithë vitit, çfarë vlere ka festa e tyre për një ditë? 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

89 Lexime
2 orë më parë