Ardi Stefa: Prometeu, pushteti dhe dinjiteti i mosbindjes
Në tragjedinë e Eskilit, "Prometeu i mbërthyer", Ardi Stefa gjen një mesazh që kapërcen kohërat: pushteti nuk mund të kërkojë bindje të verbër dhe dinjiteti nuk dorëzohet përballë padrejtësisë. Një reflektim mbi mosbindjen, ndërgjegjen dhe lirinë njerëzore.
Nga Ardi Stefa
Po diskutoja sot me nxënësit për tragjedinë “Prometeu i mbërthyer” të Eskilit. Një tragjedi e shkruar mijëra vjet më parë, por aktuale e me vlera universale dhe që shtron pyetje jashtëzakonisht aktuale për pushtetin, drejtësinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor dhe që duket sikur është shkruar për të përshkruar marrëdhënien e përjetshme midis pushtetit dhe atyre që guxojnë ta kundërshtojnë.
Prometeu nuk dënohet sepse ka ka guxuar të kundërshtojë vullnetin e Zeusit. Sepse u ka dhënë njerëzve zjarrin, dijen dhe mundësinë për të dalë nga errësira. Apo se ka bërë diçka që asnjë pushtet nuk fal: të vendosë interesin e të tjerëve mbi bindjen ndaj autoritetit. Prometeu ka ndarë me të tjerët atë që pushteti dëshiron ta mbajë nën kontroll. Ka zgjedhur ndërgjegjen përpara bindjes dhe nënshtrimit.
Prometeu nuk i tregon sundimtarit sekretin se si ky i fundit mund të qëndrojë në pushtet.
Zeusi nuk toleron kundërshtimin. Për të, mosbindja është tradhti, kritika është armiqësi dhe çdo akt që cënon autoritetin e tij duhet ndëshkuar. Nuk i mjafton të sundojë; kërkon edhe bindjen e pakushtëzuar. Nuk i mjafton të ketë pushtetin, por kërkon që të gjithë të pranojnë se ka gjithmonë të drejtë.
Këtu qëndron edhe konflikti i madh i tragjedisë së Eskilit. Çfarë ndodh kur pushteti e konsideron mosbindjen si krim dhe sakrificën për të tjerët si kërcënim?
A nuk ju duket e njohur kjo logjikë?
Zeusi përfaqëson pushtetin që kërkon bindje dhe nënshtrim; jo drejtësi e ndërgjegje. Një pushtet që nuk e sheh kundërshtimin si mundësi për të reflektuar, por si sfidë që duhet ndëshkuar. Për Zeusin, problemi thelbësor nuk është padrejtësia që ushtron, por guximi i atij që nuk e pranon dhe nuk e duron atë.
Prometeu mishëron rebelimin që lind nga ndërgjegjja. Ai e di çmimin e kundërshtimit. E di se do të vuajë, se do të mbetet i mbërthyer në shkëmb dhe se ndoshta nuk do të fitojë asgjë për veten. Megjithatë, nuk tërhiqet.
Dhe, pikërisht këtu u ndalëm me nxënësit te dy pyetje që, besoj, vlejnë shumë më tepër se një analizë letrare:
“Çfarë vlere ka pushteti që ndërtohet mbi padrejtësinë?”
Dhe, mbi të gjitha:
“A është më heroike të fitosh një luftë apo të mos nënshtrohesh përpara një padrejtësie, edhe kur e di se do të humbasësh?”
Ndoshta përgjigjja e dytë është më e vështira. Sepse të gjithë duan të fitojnë, të gjithë duan të jenë në anën e të fortit, të gjithë duan të identifikohen me fitimtarin. Por shumë pak janë të gatshëm të paguajnë çmimin e mosbindjes kur ajo nuk premton as pushtet, as lavdi, as shpërblim.
Prometeu humbet lirinë fizike, por nuk dorëzon lirinë e ndërgjegjes. Zeusi ruan pushtetin, por ka frikë nga një individ që nuk mund ta nënshtrojë.
Më pëlqeu që nxënësit e mi e aktualizuan tragjedinë. Dhe argumentuan se edhe sot, pushteti shpesh e ngatërron qeverisjen me pronësinë, autoritetin me paprekshmërinë dhe shumicën me të drejtën për të mos dhënë llogari.
Më pëlqeu që për ta autoritarizmi nuk është vetëm çështje e atij që qeveris, por kulturë politike, mënyrë të menduari dhe marrëdhënieje me pushtetin. Që mund të jesh kundër një Zeusi dhe, sapo të marrësh rrufenë në dorë, të sillesh pikërisht si ai.
Këtu qëndron aktualiteti i tragjedisë. Ajo nuk na mëson thjesht të kundërshtojmë pushtetin, por të kuptojmë se kundërshtimi ka kuptim vetëm kur mbështetet te një parim moral. Nuk është çdo rebelim heroizëm dhe nuk është çdo kundërshtar i pushtetit Promete. Por asnjë shoqëri nuk mund të quhet e lirë nëse qytetarët duhet të zgjedhin midis heshtjes dhe ndëshkimit.
Gjithsesi historia nuk është shkruar vetëm nga ata që kanë fituar luftërat. Është shkruar edhe nga ata që kanë humbur gjithçka, por nuk kanë pranuar të dorëzojnë ndërgjegjen.
Prometeu mund të jetë i mbërthyer në shkëmb, por Zeusi është i burgosur brenda frikës së vet nga mosbindja.
Pushteti që ka nevojë për zinxhirë për të sunduar, nuk është aq i fortë sa duket; ndërsa rebeli që i duron zinxhirët pa u nënshtruar, është më i lirë nga sa mund ta imagjinojë tirani.
Tragjedia nuk është kur Prometeu mbërthehet me zinxhirë mbi shkëmb e shqiponja ia ha përditë mëlçinë. Tragjedia fillon kur të gjithë të tjerët mësohen të jetojnë pa zjarr, vetëm që të mos zemërojnë Zeusin.
Dhe atëherë nuk kemi më nevojë për zinxhirë. Kemi mësuar t'i mbajmë vetë.
Prometeu na mëson se jo çdo fitore është triumf dhe jo çdo humbje është disfatë. Akti më i madh i heroizmit është të mos bëhesh bashkëpunëtor i padrejtësisë.
Dhe ky mësim u përket të gjitha kohërave.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve, 20 nëntori i ndërgjegjësimit universal për të vegjëlit tanë
Betimi i Mësuesit
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"