Teksti

Betimi i Mësuesit

Tekstin e Betimit të Mësuesit i pari e hartoi pedagogu zviceran Robert Dottrens në vitin 1966, me kërkesën e UNESCO-s. Në shtete të ndryshme ekzistojnë forma dhe tekste specifike të betimit të mësimdhënësve. Edhe në Shqipëri në vitin 2012 është prezantuar një tekst i Betimit të Mësuesit.

Tekstin e Betimit të Mësuesit i pari e hartoi pedagogu zviceran Robert Dottrens në vitin 1966, me kërkesën e UNESCO-s. 

Me vonë edhe pedagogu gjerman Hartmut von Hentig hartoi një tekst betimi të ngjashëm. 


Ndërkaq në vende dhe shtete të ndryshme ekzistojnë edhe forma dhe tekste specifike të betimit të mësimdhënësve, kështu p.sh. në Finlandë betimi i mësimdhënësit njihet si "Betimi i Komenskit" (Comenius Oath), në Indi ai njihet si "Betimi i Abdul Kalamit" (Dr. APJ Abdul Kalam’s Oath for Teachers) pastaj Zotimi i Mësuesve (Teachers Pledge) në Singapor etj.


Teksti i Betimit të Mësuesit i hartuar nga Robert Dottrens është ky:

“Do ta kryej detyrimin tim me ndërgjegje dhe krenari.

Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do t’i harroj që për fatin e tyre edhe vetë mbajë një pjesë të përgjegjësisë.

Do ta mbrojë me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit.

Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi.

Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjithave të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim.

Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nderë".

*Robert Dottrens (Carouge, Geneva, 1893 – Troinex, Geneva, 1984) ishte pedagog zviceran, profesor i pedagogjisë dhe i historisë së pedagogjisë në Universitetin e Gjenevës. Studioi fillimisht në Institutin Zhan Zhak Ruso në Gjenevë e pastaj doktori në Universitetin e Gjenevës në vitin 1929. Pas përfundimit të doktoraturës punon si profesor i pedagogjisë dhe i historisë së pedagogjisë në Universitetin e Gjenevës. Nga viti 1930 e deri në vitin 1951 ishte drejtor i Byros Ndërkombëtare të Arsimit (Bureau International d'Education) me seli në Gjenevë. Kontriboi edhe në Laboratorin e Pedagogjisë Eksperimentale. Ishte ekspert i UNESCO - së. U angazhua për modernizimin e arsimit dhe të shkollave në përgjithësi. Në vitin 1966, me kërkesën e UNESCO - së hartoi tekstin e Betimit Solemn të Mësuesit i cili ndryshe njihet edhe si Betimi i Pedagogjizuar i Hipokratit.



Në vitin 2012 në Shqipëri është prezantuar edhe ky tekst i Betimit të Mësuesit:


“Betohem si misionar i dijes, demokracisë dhe humanizmit, si pishtar i kulturës dhe përparimit kombëtar, si edukator i brezit të ri, se do ta realizoj misionin tim për të mishëruar në praktikën e gjallë të procesit mësimor-edukativ kërkesat e kurrikulës kombëtare të arsimit, duke përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kushtetuta dhe ligjet për arsimin, nga dispozitat normative të arsimit parauniversitar, nga ligji për rregullat e etikës zyrtare si dhe nga parimet morale të mësuesisë.

Në pajtim me dijet bashkëkohore, kërkesat shkencore, pedagogjike dhe psikologjike të mësimdhënies dhe në harmoni me bindjet e mia, do ta nderoj profesionin tim, mirëbesimin e fëmijëve dhe komunitetit prindëror, duke punuar mbi bazë të kërkesave dhe standardeve shtetërore për arsimin, në harmoni me bashkësinë dhe solidaritetin profesional të armatës së madhe të mësuesve.

Veprimtaria ime në shkollë dhe jashtë saj do të karakterizohet nga etika humane, nga reflektimi intelektual, sjellja e kulturuar dhe komunikimi i qytetëruar.

Betohem se do të respektoj traditat dhe zakonet më të mira të etikës profesionale të mësuesisë dhe të jap ndihmesën time në zhvillimin e arsimit kombëtar dhe shkencave pedagogjike.

Betohem! ”



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,437 Lexime
3 vjet më parë