Artemisa Bushi: A është më e thjeshtë të jesh adoleshent në kohët e sotme?
Adoleshentët sot janë ndryshe dhe gjithçka ndikohet nga rrethanat ndryshe. Forca e tyre, kërkesa ndaj vetes, aftësia për t’i bërë ballë stresit, pritshmëritë, dëshirat dhe ëndrrat, përballimi i ndryshimit etj., të gjitha këto sot për një adoleshent janë NDRYSHE.
Shpesh dëgjojmë të thuhet: “Adoleshentët e sotëm janë dembelë, të llastuar, i gjejnë gjërat gati, apo që jeta e tyre është e lehtë krahasuar me jetën e prindërve dhe të gjyshërve në moshën e tyre".
Por a është e vërtetë kjo?
Për një grup adoleshentësh, ndoshta po. Kjo për shkak të mirëqenies që kanë në familje (pa shpjeguar këtu psenë e disnivelit ekonomik të shoqërisë, kjo është temë tjetër). Por duhet të kemi parasysh edhe numrin jo të paktë të atyre që jetojnë në varfëri, në zona urbane apo rurale të lëna pas dore, apo në familje abuzive dhe jofunksionale. Ka prej atyre që u duhet edhe të punojnë jashtë shkollës. Të kujdesen për vëllezërit apo motrat, si dikur. Të gatuajnë për familjen, apo të bëjnë punë të tjera shtëpie. Ka nga ata që u duhet të ecin shumë për të mbërritur në shkollë, që janë si “prind” për dikë në familje, që përballen me sëmundje kronike, me një paaftësi fizike apo kanë vështirësi për të mësuar.
Duhet të kihen parasysh edhe lajmet e mbushura me rreziqe, rrethanat ekonomike, rreziqet kibernetike apo shoqërore, dhuna në familje, pushteti dhe ndikimi që kanë informacionet mediatike në sjelljen tyre apo thjesht bombardimin me informacion nga burime të shumta. Duhet pasur parasysh edhe se sa shpejt dhe në mënyrë të papritur gjithçka evoluon. Ky ndryshim ka ndikuar dhe po ndikon jo pak në formimin e këtyre të rinjve. Ndaj, është shumë më e vërtetë të thuhet se, ka të ngjarë, që të rinjtë e sotëm të jenë më të fortë, më kërkues, me aftësi më të shumta për t’u përballur, krahasuar me brezat paraardhës.
A duhet menduar se prindërit (pasi mësuesit ndoshta e shohin çdo ditë ndryshimin mes kohëve) të marrin me mend se si është të jesh në nëntëvjeçare apo në shkollë të mesme në kohët e sotme?
A mundet që adoleshentët të përdorin të njëjtat strategji që kanë përdorur prindërit e tyre për t’i mbijetuar adoleshencës?
U takon vetë adoleshentëve të artikulojnë ndjenjat dhe shqetësimet lidhur me këto pyetje. Por ajo që është e vërtetë është se rrethanat krahasuar me të kaluarën kanë ndryshuar. Dhe ky ndryshim është vendimtar në sjelljen, në reagimet e tyre, në aftësinë për t’u përshtatur apo për t’u përballur etj.
Unë e di, si prind, se një nxënësi në shkollën nëntëvjeçare dhe të mesme i duhet që paradite të shkojë në shkollë, dhe të përfitojë aq sa mundet, kuptohet nga aq sa i jepet nga mënyrat dhe format e mësimdhënies në klasë. Sepse, jo të gjithë mësuesit japin maksimumin në ndihmë të nxënësve (me zë të ulët, të gjithë e pranojmë këtë). E më pas, për të plotësuar këto njohuri, nxënësit kërkues i duhet që të ndjekë kurse, me një kosto që një familjeje i kushton, por sakrifikon, sepse do që fëmija i tij të shkëlqejë.
Unë e pyeta vajzën time. “Çfarë e bën jetën e sotme më të lehtë?” – “Sot ka hapësira më të gjera mendimi dhe veprimi”, – m’u përgjigj ajo. “Çfarë e bën më të vështirë?” – “Mënyra se si një adoleshent sot kërkon të përshtatet”. – “Çfarë e bën thjesht ndryshe?” – “Jetojmë në vite të ndryshme dhe gjithçka ndryshon me shpejtësi. Nëse nuk vrapon, mbetesh i fundit”.
Bëja këto pyetje edhe ti (si prind në familje, apo si mësues në një orë edukative) dhe kupto përgjigjet e një adoleshenti të sotëm. Nëse adoleshentët përfshihen në një bashkëbisedim në orën edukative (edhe pse, përsëri rrethanat e krijuara, i kanë reduktuar ose janë hequr orë të tilla), mësuesi do të njohë më mirë adoleshentin, për të kuptuar edhe reagimet e tij.
Sa për prindërit, ndoshta gabimi më i madh është se shpresat e tyre për fëmijët në këtë grupmoshë janë ndryshe nga ëndrrat e tyre. Ndoshta presin prej tyre ato që s’i kanë arritur vetë (në shkollë, në një marrëdhënie apo në karrierë).
Përfundoj, se adoleshentët sot janë ndryshe dhe gjithçka ndikohet nga rrethanat ndryshe. Forca e tyre, kërkesa ndaj vetes, aftësia për t’i bërë ballë stresit, pritshmëritë, dëshirat dhe ëndrrat, përballimi i ndryshimit etj., të gjitha këto sot për një adoleshent janë NDRYSHE. Dhe në kohët e sotme, adoleshenca e tyre nuk është aspak më e thjeshtë.
Nga Artemisa Bushi, redaktore
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ja cilat janë 7 arsyet pse duhet të lexosh libra
Përkujtohet 10 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut
Historia e shkrimit