Artemisa Çera: Mjedisi si klasë mësimore gjatë verës, këshilla praktike

Vera është koha ideale që fëmijët të mësojnë përmes natyrës, lojës dhe eksplorimit. Artemisa Çera sjell ide praktike se si parku, plazhi, oborri apo kopshti mund të shndërrohen në klasa të hapura, ku çdo përvojë bëhet një mundësi për të nxënë.

Nga Artemisa Çera 


Pushimet verore janë një periudhë e veçantë dhe shumë e rëndësishme në jetën e fëmijëve. Ato nuk janë vetëm një kohë pushimi dhe argëtimi, por edhe një mundësi e madhe për të vazhduar procesin e të mësuarit në mënyra më të lira, krijuese dhe natyrale. Gjatë verës, fëmijët kanë më shumë mundësi të qëndrojnë jashtë, të eksplorojnë botën që i rrethon dhe të fitojnë përvoja të reja përmes lojës dhe zbulimit.


Mjedisi përreth mund të shndërrohet në një klasë të hapur pa mure, ku çdo pemë, lule, gur, kafshë apo hapësirë natyrore bëhet një burim mësimi. Ndryshe nga klasa tradicionale, ku fëmijët mësojnë përmes materialeve të përgatitura, në natyrë ata mësojnë duke parë, prekur, provuar dhe përjetuar drejtpërdrejt.


Natyra si burim i pasur për të nxënit


Natyra gjatë stinës së verës ofron shumë mundësi për zhvillimin e aftësive të fëmijëve. Një shëtitje në park, në kopsht apo në një hapësirë të gjelbër mund të kthehet në një aktivitet edukativ. Fëmijët mund të vëzhgojnë pemët, lulet, insektet dhe ndryshimet që ndodhin në mjedis.


Gjatë këtyre aktiviteteve fëmijët mësojnë:

  • të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë përgjigje;
  • të krahasojnë forma, ngjyra dhe madhësi;
  • të zhvillojnë fjalorin duke përshkruar atë që shohin;
  • të kuptojnë lidhjen mes njeriut dhe natyrës.


Për shembull, mbledhja e gjetheve ose e luleve mund të shërbejë si një aktivitet ku fëmijët mësojnë të dallojnë ngjyrat, format dhe ndryshimet mes bimëve.


Plazhi si hapësirë mësimore gjatë verës


Edhe plazhi mund të shndërrohet në një mjedis të pasur për të mësuar. Përmes lojërave me rërë dhe ujë, fëmijët zhvillojnë kreativitetin dhe aftësitë motorike.

Aktivitete të tilla si:

  • mbledhja e guaskave;
  • ndërtimi i kështjellave me rërë;
  • krahasimi i madhësisë së gurëve dhe guaskave;
  • krijimi i formave të ndryshme në rërë,
  • ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë imagjinatën, mendimin logjik dhe bashkëpunimin me të tjerët.


Oborri dhe kopshti si klasë e vogël natyrore


Edhe hapësirat e vogla pranë shtëpisë ose kopshtit mund të përdoren për aktivitete edukative. Mbjellja e luleve, kujdesi për bimët dhe vëzhgimi i rritjes së tyre janë aktivitete që u mësojnë fëmijëve përgjegjësinë dhe dashurinë për natyrën.

Kur fëmija ujit një bimë ose kujdeset për një lule, ai kupton rëndësinë e kujdesit, durimit dhe përkushtimit. Këto përvoja ndikojnë në zhvillimin emocional dhe social të tij.


Lojëra edukative në natyrë. Loja është mënyra më e natyrshme përmes së cilës fëmijët mësojnë. Gjatë lojërave në natyrë ata zhvillojnë jo vetëm aftësitë fizike, por edhe aftësinë për të bashkëpunuar, komunikuar dhe zgjidhur probleme.


Disa aktivitete verore mund të jenë:


“Gjuetia e thesareve në natyrë”- Fëmijët kërkojnë objekte të ndryshme si gjethe, gurë ose lule dhe më pas diskutojnë për to.


“Krijojmë me materialet e natyrës”- Me gjethe, degë dhe gurë fëmijët krijojnë figura dhe punime artistike.


“Eksploruesit e vegjël” - Fëmijët vëzhgojnë natyrën me lupë, bëjnë pyetje dhe zbulojnë gjëra të reja.


Këto lojëra e bëjnë procesin e të mësuarit më argëtues dhe më kuptimplotë.


Materialet didaktike që ofron natyra


Nuk është gjithmonë e nevojshme të përdoren materiale të shtrenjta për të zhvilluar aktivitete me fëmijët. Shpeshherë vetë natyra ofron materiale të vlefshme didaktike si:

  • gjethe dhe lule;
  • gurë me forma të ndryshme;
  • rërë;
  • fara;
  • degë të vogla;
  • materiale të riciklueshme.

Këto materiale ndihmojnë në zhvillimin e krijimtarisë, koordinimit të lëvizjeve dhe aftësive të të menduarit.



Roli i prindërve dhe edukatorëve


Prindërit dhe edukatorët kanë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e mundësive për të mësuar gjatë verës. Ata duhet të nxisin fëmijët të vëzhgojnë, të pyesin, të provojnë dhe të zbulojnë.


Një fjalë e thjeshtë, një pyetje apo një lojë e organizuar mund ta kthejë një moment të zakonshëm në një përvojë të vlefshme edukative.


Përfundim

Vera është një mundësi e shkëlqyer që fëmijët të mësojnë përtej mureve të klasës. Duke e shfrytëzuar mjedisin si një klasë të hapur, fëmijët zhvillojnë njohuri, aftësi dhe përvoja që i ndihmojnë në rritjen e tyre.


Natyra u ofron fëmijëve një botë të madhe për të zbuluar, ndërsa loja është mënyra më e bukur për ta bërë këtë zbulim. Kur fëmijët mësojnë përmes eksplorimit, ata jo vetëm marrin njohuri, por krijojnë edhe një marrëdhënie të dashur dhe të kujdesshme me botën që i rrethon.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

161 Lexime
1 orë më parë