Çka janë aftësitë e gjelbra?
Aftësitë e gjelbra janë pjesë thelbësore e edukimit të çdo fëmije në shekullin e 21-të – por shumë pak shkolla i përfshijnë ato. Ja pse këto janë kaq të rëndësishme.
Kriza klimatike është njëra nga sfidat më urgjente të kohës sonë – dhe ajo nuk do të zgjidhet vetë.
Njëra nga mënyrat më të rëndësishme për t’i përgatitur fëmijët dhe për tu siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë, është që të sigurohet që ata të edukohen dhe të trajnohen me aftësi të gjelbra. Aftësitë e gjelbra i përshkruajnë njohuritë që ne të gjithë kemi nevojë për të zhvilluar dhe jetuar në një shoqëri dhe mjedis të qëndrueshëm.
Pjesa më e madhe e edukimit synon të i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se si funksionon bota. Edhe fëmijët e vegjël, për shembull, mësohen se një top bie në dysheme për shkak të gravitetit, se uji kthehet në akull kur temperaturat janë të ulëta dhe se bimët rriten nga farat. Por bota po ndryshon, dhe ajo që u mësohet fëmijëve për të, duhet të ndryshojë gjithashtu – pa marrë parasysh nëse mësohet se si janë të ndërlidhura ekosistemet, pse shtresa e ozonit e mbron tokën apo pse karboni në atmosferë shkakton rritjen e temperaturave.
Këto aftësi mund të tingëllojnë si "të ndara" nga llojet e tjera të edukimit, por për shkak se klima dhe mjedisi ndikojnë në çdo lëndë shkollore (dhe prek çdo pjesë të jetës së fëmijëve), ato mund të ndërthuren në çdo aspekt të planit dhe programit shkollor.
Aftësitë e gjelbra gjithashtu i përgatisin fëmijët për karrierën e ardhshme të tyre. Derisa kriza klimatike vazhdon, ne kemi nevojë gjithnjë e më shumë për njerëz me ekspertizë në qëndrueshmëri dhe mjedis - në secilën industri.
Këto mund të përfshijnë edhe bujqit që specializohen për teknika me nivel të ulët të karbonit, inxhinierë që ndërtojnë turbina me erë në det të hapur ose arkitektë që projektojnë ndërtesa me efikasitet energjetik. Kjo përfshin gjithashtu edhe ata që punojnë për të mbrojtur jetën e egër dhe habitatet, siç janë shkencëtarët mjedisorë, punonjësit e pylltarisë dhe ekologët. Ajo madje përfshin shumë karriera që mund të mos tingëllojnë si "punë të gjelbra", por që kanë role të rëndësishme për të luajtur në një shoqëri më të qëndrueshme - si mekanikë biçikletash, drejtues trenash ose mësues me njohuri klimatike.
Dhe kjo përfshin shpikësit, udhëheqësit e mendimit dhe krijuesit që po parashikojnë dhe krijojnë zgjidhje për një planet më të qëndrueshëm.
Sa më shumë mbështetje dhe edukim që u ofrojmë fëmijëve, që nga moshat më të hershme, aq më shumë banorët tanë do të jetë pjesë e zgjidhjes klimatike. Duke integruar edukimin klimatik dhe aftësitë e gjelbra në plan programet shkollore, ne mund ta rrisim një brez individësh të informuar dhe proaktivë, të cilët janë të pajisur me aftësi që do tu nevojiten për t'iu përshtatur ndryshimeve klimatike dhe për ta mbrojtur qëndrueshmërinë mjedisore.
Pavarësisht urgjencës, shumë vende në Evropë, Azinë Qendrore dhe gjetkë ende nuk kanë zbatuar politika gjithëpërfshirëse të edukimit klimatik.
Në një botë në të cilën temperaturat po rriten me shpejtësi, valët e të nxehtit, vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera të shkaktuara nga klima janë çdo herë më të përhapura dhe habitatet natyrore po shemben, aftësitë klimatike janë po aq të nevojshme sa edhe të mësuarit për të lexuar ose shkruar. Dhe ato do të vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në të ardhmen.
Marrë nga UNICEF.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Disa nga mitet që mësohen në shkollë
Dy udhëzues praktikë për mësuesit: Google Forms dhe Kahoot
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"