Dikur ne lexonim me elektrik dore nën batanije, kurse sot fëmijët humbasin mes ekraneve: Një reflektim për librin dikur dhe sot!
Dikur lexonim fshehurazi nën batanije me një elektrik dore, sot fëmijët humbasin mes dritës së ekraneve. Por a mund ta zëvendësojë teknologjia magjinë e një libri? Një reflektim i ngrohtë për ndryshimin e brezave dhe mënyrën si mund t’ua rikthejmë fëmijëve dashurinë për leximin.
Nga Arbana Pajenga Hallva, mësuese te shkolla “Fadil Gurmani”, Elbasan
Mbani mend atë ndjesinë? Kur ishim të vegjël, librat ishin thesari ynë më i çmuar, bota jonë e fshehtë dhe arratisja jonë më e bukur nga realiteti. Kishim aq pak shpërqendrime, sa çdo faqe e re ishte një aventurë e madhe. Sa prej jush e mbajnë mend veten duke lexuar fshehurazi nën batanije me një dritë të vogël elektrike ose me dritën e korridorit që depërtonte nga dera e dhomës, vetëm që të mos na kapnin prindërit duke thënë: "Fik dritën, fli se është vonë, ka kohë nesër për të lexuar!"?
Çdo libër i ri që binte në duart tona ishte një ngjarje. I ruanim faqet me kujdes, i linim hua shoqeve te lagjes me një krenari të madhe dhe prisnim me padurim librin e radhës. Letërsia nuk ishte thjesht një detyrim shkollor; ajo ishte oksigjen për imagjinatën tonë.
E megjithatë, kur hedhim vështrimin te fëmijët sot, pamja ndryshon rrënjësisht dhe na lënë shpesh pa fjalë. Në duart e tyre nuk shohim më fletë të verdha nga koha, as kopertina të konsumuara nga leximi i shpeshtë. Në vend të tyre, shohim ekrane që shkëlqejnë, drita blu që u pasqyrohet në sy dhe gishta që lëvizin me shpejtësi marramendëse. Videot e shkurtra në rrjetet sociale, lojërat digjitale me nivele pafund dhe njoftimet e vazhdueshme kanë marrë peng vëmendjen e tyre, duke e lënë librin diku në fund të raftit, të mbuluar nga pluhuri, si një objekt i harruar i një bote që atyre u duket e largët.
Pse ndryshoi kaq shumë gjithçka?
Nuk është se fëmijët e sotëm kanë humbur përgjithmonë kureshtjen apo inteligjencën; përkundrazi, truri i tyre bombardohet çdo sekondë nga ngjyra, lojera të shpejta. dhe shpërblime të menjëhershme që ofron teknologjia moderne.
Leximi, nga ana tjetër, kërkon krejt diçka tjetër: kërkon kohë, durim, perqendrim dhe qetësi shpirtërore – katër gjëra që bota dixhitale, e cila ecën me shpejtësinë e dritës, po na i merr çdo ditë e më shumë. Kur një fëmijë mësohet që çdo gjë ta marrë brenda dy sekondave me një klikim, një libër që kërkon pesë faqe për të të futur në histori i duket i ngadaltë dhe i lodhshëm.
Por le të ndalemi dhe të bëjmë një pyetje të sinqertë: Kush ka humbur më shumë në këtë mes?
Fëmijët e sotëm mund të dinë t'i përdorin pajisjet e mençura shumë më mirë se ne në moshën e tyre, por shpesh po humbasin diçka të pazëvendësueshme: magjinë e të imagjinuarit vetë.
Kur shikon një film ose një video të gatshme në ekran, çdo gjë të serviret gati: fytyrat, zërat, ngjyrat, madje edhe emocionet. Por kur lexon një libër, ti je regjisori i filmit të ri në mendjen tënde. Ti i jep fytyrë personazheve, ti ndërton skenografinë e pallateve apo pyjeve të magjepsura, ti ndien frikën, gëzimin dhe erën e ngjarjeve përmes fjalëve. Ky është një ushtrim gjimnastike për shpirtin që ekranet nuk mund ta zëvendësojnë kurrë.
Si t'ia kthejmë librin fëmijëve tanë sot?
Ne nuk mund ta kthejmë kohën mbrapsht dhe as t'i mbyllim sytë ndaj botës teknologjike ku ata po rriten, por mund të ndryshojmë qasjen tonë si prindër dhe mësues:
- Të lexojmë vetë para tyre: Fëmijët nuk bëjnë kurrë atë që u thotë, por bëjnë ekzaktësisht atë që shohin te ne. Nëse na shohin shpesh me një libër në dorë, do të jenë kuriozë të kuptojnë pse na tërheq kaq shumë dhe do të duan ta provojnë vetë.
- Të krijojmë një ritual të ngrohtë të përbashkët: Njëzet minuta lexim para gjumit, larg ekraneve dhe pa telefona pranë, mund të bëjnë mrekulli për lidhjen mes jush dhe dashurinë e tyre për librin.
- T'i lëmë të zgjedhin vetë lirinë e tyre letrare: Mos u mundoni t'i detyroni me forcë të lexojnë vetëm atë që lexonim ne dikur. Lëri të zgjedhin libra me mister, histori fantastike për fëmijë, apo revista shkencore. E rëndësishme është që ata ta gjejnë vetë rrugën për te shkronjat dhe të kuptojnë se leximi nuk është dënim, por liri.
Librat nuk kanë skaduar kurrë dhe nuk do të skadojnë derisa të ketë njerëz që duan të ndiejnë emocione të vërteta. Ata thjesht presin në heshtje që t'u hapim përsëri kapakun. Le t'ua kthejmë fëmijëve tanë fuqinë e mrekullueshme të të lexuarit, sepse një fëmijë që lexon sot, do të jetë një i rritur që mendon, ndjen dhe udhëheq nesër!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Sqarime mbi mbartjen e pikëve në Portalin "Mësues për Shqipërinë" 2026, pyetjet më të shpeshta dhe rregullat e aplikimit
Rekomandime për prindërit, fëmijët e të cilëve nisin klasën e parë