Nga një ditë mësimi

"Dola nga 90 minuta mësim pa i zgjuar nxënësit nga gjumi!"

E unë kujt t'i iki?- kjo është pyetja ironike që i bën vetes mësuesja Ermira Ymeraj, pasi përfundon një orë mësimi letërsie në një klasë me gjimnazistë. Rrëfimi është shkëputur nga realiteti i sotëm i një dite mësimi.

Ditar ditor!

Dy orët e para letërsi. 

Klasa e 11. 

Tema: Bajroni. 

Analizë e veprës letrare: Shtegtimet e Çajld Haroldit.


E nisa mësimin me një sekuencë të shkurtër filmike: Udhëtimi i Bajronit. I ftova nxënësit të ngulisnin sa më shumë të dhëna dhe më pas të më drejtonin pyetje. 


Dy nxënëse me vonesë, hapën derën pa trokitur, s'më thanë asgjë, u drejtuan menjëherë te banka e tyre. Iu drejtova me politesë,- ju lutem çfarë duhet të më thoshit para se të hynit? 

Përgjigjja:  eee po, a mund të hymë? 

U thashë: asgjë më shumë?! 

-Po edhe na fal për vonesën. 

-E po mirë, mund ta bëjmë,- i thashë. Dilni dhe njëherë jashtë, trokisni në derë dhe kërkojuni ndjesë shokëve që ia ndërpretë mësimin. 

E  bënë të sforcuar dhe me shumë përtesë njëra dhe me pak bezdisje, i dukej se po e tallja dhe me nënqeshje nën buzë iu drejtua dhe njëherë derës. Hynë, u ulën, dhe qetësisht i ftova dhe dy nxënëset të bëhen pjesë e mësimit. 


Bie dera! Hapet dhe në derë një tjetër vajzë. 

-Zysha nadja e mirë, më fal për vonesën, më vonoi fugoni, a mund të hyj? 

-Patjetër,- i thashë. - Të falënderoj për mirësjelljen, bëre atë që normalisht duhet ta bëjë secili nga ne, pavarësisht shkaqeve, kur ndërpret një punë të nisur. 

E ftova dhe nxënësen që sa erdhi, të përfshihej në grupin e vet të punës. Pamjet filmike prej 1min e 30 sekonda e përsërita dhe njëherë. 

-Çfarë ju bëri përshtypje dhe cilat janë pyetjet që ju vinë nga kureshtja për të njohur  a ditur më shumë për qëllimin e udhëtimit të  Bajronit? 

Heshtje! Këmbëngula, - çfarë bëni kur udhëtoni dhe nëse mundeni udhëtimin ta bëni në mendjen tuaj me anije? 

Një nxënës pas 10 sekonda tha: fotografoj vende. Të tjerët heshtën, tjetër kërkova, nxënësi i dytë,- shijoj udhëtimin. 

-Si, çfarë bën për ta shijuar?  


Ngurrim. Heshtje! Mëngjes, ende s'po përfshihen me gjallëri. Klasën e 11 e kam marrë këtë vit, nuk ju kam bërë letërsi në vitin paraardhës. As udhëtimin imagjinar nuk munda t'jua marr. I ndihmova me pyetje.

 

-Cilat janë ndjenjat që përjetoni kur jeni qoftë me familjen a shokët e shoqet në një udhëtim?

 Dy zëra u dëgjuan, -flasim , qeshim me batuta, këndojmë, dëgjojmë këngë, shohim përreth.

Xhanëm pesë minuta kam që kërkoj të zgjoj dëshirën e tyre për t'u shprehur lirshëm. E mendova ndoshta s'kanë udhëtuar asnjëherë, ndoshta se njohin detin, malin, mbase e vetmja rrugë që bëjnë është shtëpi- shkollë- shtëpi. E shtrova ndryshe: - A keni udhëtuar ndonjëherë? 

Dy nxënës u përgjigjën që - po, kemi shkuar në plazh dhe në Tiranë. E një tjetër, -në mal te gjyshërit.

-A mund të ndërrojmë role, më pyesni ju ç' bëj unë kur udhëtoj?

Thashë po vendosem në rolin e Bajronit e po ua tregoj se ç’bëri ai gjatë udhëtimit. E kalova këtë pjesë pa parë në sytë e tyre kërshëri. Apati, dhe mbi të gjitha sy të përhumbur pa vëmendje. 


Ndërrova pyetje: - do ju them disa tipare, dhe ju më thoni çfarë ju bën të mendoni tek dëgjoni këto tipare. Është rebel dhe melankolik njëherësh, mes ëndrrës dhe realitetit, i pakënaqur, i zhgënjyer. Është i ftohur nga dëshira për të jetuar në mjedisin ku i rrit, nga njerëzit që e rrethojnë. 


Përgjigjja: heshtje!


Bie dera, një nxënës hap derën, hyn dhe më thotë, - i tesh erdha a ban me hy? I thashë prit sa të mbarojë ora dhe hyr në tjetrën. - O a ftohtë jashtë,- dhe shau nëpër dhëmbë. E vazhdova dhe pak mësimin duke kërkuar që herën tjetër të lexojnë 2 fragmente "Lamtumirën dhe Shqipëria dhe shqiptarët". 


Ra zilja. 


Dola nga 90 min mësim pa i zgjuar nxënësit nga gjumi. E ç'ju duhet një romantik, ç'ju hyjnë në punë shtegtimet e tij, mbresat e tij, ç'ju duhet heroi që ai ndërtoi, ç'ju duhem unë që kërkoj t'i bëj të mendohen, të udhëtojnë me imagjinatën, të njohin karaktere, të hyjnë pa trokitur me syrin e vëzhguesit në hapësira, mjedise të pashkelura vërtet, të takohen dhe pa dëshirën e tyre një herë me Faustin,  Mefistofelin, Margaritën,  një herë tjetër me Kuazimodon, Esmeraldën, Frolo, Febys, e sot me Haroldin: njeriun e mërzitur me atdheun e tij, pelegrinin që shtegton, pasi ka kaluar ngopjen dhe në neveri i ik civilizimit. 


E unë kujt t'i iki?



Nga Ermira Ymeraj, mësuese 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

14,345 Lexime
2 vjet më parë