Psikologjia e fëmijëve

Domethënia e vizatimit të kafshëve të ndryshme nga fëmijët e moshës 5-6 vjeçare

Në moshën 5-6 vjeçare vizatimet e fëmijëve marrin tjetër trajtë. Kur ata fillojnë të vizatojnë forma e figura kafshësh, secila prej tyre ka një kuptim simbolik, duke shprehur herë karakteristika të personalitetit dhe herë dëshira të fshehura. Artikulli i mëposhtëm është tepër praktik për të kuptuar rastet.

Në moshën 5-6 vjeçare, si rrjedhojë e zhvillimit kognitiv, fëmija aftësohet duke qenë më vëzhgues, më i vëmendshëm, më i saktë dhe zotëron një gjuhë më të pasur, që do të thotë se arrin të perceptojë lehtësisht diferencat në atë që shikon. Megjithatë, në këtë moshë dhe ndër vitet e tjerë që pasojnë, fëmija vazhdon të vizatojë jo atë që sheh direkt, por më shumë atë që ai di për gjërat. Në këtë fazë vizatimi është më shumë një përfaqësim konceptesh dhe kuptimesh nga ana e fëmijës, sesa riprodhim (Ferraris, 2012).


Për këtë arsye, nuk është e rrallë që në vizatimet e kësaj moshe të ndeshet me paraqitjen e detajeve që mund të mos kenë rëndësi thelbësore, por që për fëmijën janë domethënëse. Nga ana tjetër, mund të ndodhë e kundërta; fëmija nuk paraqet grafikisht elementë që janë të dukshme të fëmijëve në këtë stad, por kanë të bëjnë pikërisht me të kuptuarit e “gabimeve” që ata bëjnë gjatë paraqitjes grafike. Të kuptuarit e këtyre gabimeve do të zbulonte nevojat e interesat e fëmijës.

Kur vizatimet marrin tjetër trajtë, shfaqen forma dhe figura kafshësh, ku secila ka një kuptim simbolik, duke shprehur herë karakteristika të personalitetit dhe herë dëshira të fshehura (Ferraris, 2012):


• Mace- kureshtje, gjallëri, dinakëri.

• Qen- nevojë për krijim lidhjesh afektive, mirësi.

• Gjarpër- simbol seksualiteti, aftësi reflektive, kujdes dhe rezervim

• Kafshë të egra, ujk, luan, tigër- agresivitet, impulsivitet, krenari, kërkim autonomie.

• Majmun- elementë tregues të një inteligjence, gjallërie dhe pafajësie.

• Kalë- energji, pjekuri e parakohshme seksuale, gëzim.

• Dragua- kurajo, vullnet, optimizëm.

• Peshk- simbol fallik, fantazi, qetësi.

• Zogj- nevojë për ngrohtësi.

• Merimangë- për nga natyra e vet insektit që përfaqëson, në këtë rast ka një ngjyresë emocionale negative ky vizatim. Nëse me merimangën përfaqësohet një nga anëtarët e familjes ose dikush tjetër, mund të mendohet për marrëdhënie problematike me të.

• Lepur- ndrojtje, nevojë për mbrojtje.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

666 Lexime
1 muaj më parë