
Drafti i ri i Kodit të Etikës së Mësuesit, mes propozimeve të MAS dhe sugjerimeve të ekspertëve e vet mësuesve
Portali Shkollor Albas ka siguruar një draft paraprak të Kodit të ri të Etikës së Mësuesit, ende i papublikuar nga MAS. Ftojmë mësuesit dhe prindërit të ndajnë mendimet: Çfarë duhet theksuar më shumë në këtë dokument që përcakton figurën dhe misionin e mësuesit?
Portali Shkollor Albas ka siguruar nga burimet e veta një draft paraprak të Kodit të ri të Etikës së Mësuesit në arsimin parauniversitar. Ky dokument nuk është ende i publikuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe, rrjedhimisht, nuk duhet marrë si version përfundimtar. Ai shërben si material për diskutim dhe konsultim, përpara se të miratohet zyrtarisht nga institucionet përkatëse.
Drafti synon të përditësojë kornizën orientuese e normative për figurën e mësuesit, duke përfshirë elementë të rinj si: përdorimi etik i teknologjisë dhe rrjeteve sociale, mbrojtja e nxënësve nga bullizmi dhe dhuna, forcimi i rolit të mësuesit si model qytetar dhe garant i barazisë e përfshirjes.
Megjithatë, më herët në Portalin Shkollor Albas, nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku kemi publikuar një analizë që kërkon rishikim të Kodit ekzistues mbi bazën e modeleve evropiane. Sipas tij, Shqipëria ka një Kod të veçantë institucional, por ky duhet pasuruar me elementë të rinj si:
- Neutraliteti politik dhe fetar i mësuesit në klasë;
- Rezerva në opinionet publike për të ruajtur autoritetin profesional;
- Etika digjitale dhe edukimi për qytetari digjitale;
- Rregullimi i mësimeve private për të shmangur konfliktet e interesit;
- Theksimi i rolit të mësuesit si agjent i qytetarisë demokratike;
- Mbështetja për shëndetin emocional dhe social të nxënësve, sidomos ndaj bullizmit e dhunës kibernetike.
Pyetja që lind sot është: A i përmbush drafti i ri këto pritshmëri dhe sfida reale?
Portali Shkollor Albas fton ndjekësit të japin mendimet e tyre:
- Çfarë duhet të shtohet në Kodin e ri të Etikës?
- A janë marrë mjaftueshëm parasysh realitetet e mësuesve në Shqipëri?
- Cilat modele ndërkombëtare duhet të na frymëzojnë më shumë?
Ky diskutim është i domosdoshëm, sepse Kodi i Etikës nuk është vetëm një dokument formal, ai përcakton standardet mbi të cilat ngrihet profesioni i mësuesit dhe besimi i shoqërisë te shkolla.
Më poshtë gjeni draftin e Kodit të ri të Etikës së Mësuesit në Arsimin Parauniversitar.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Librat që duhen lexuar nga nxënësit e shkollave të mesme