Edi Gogu: Kur ekrani ua rrëmben gjumin fëmijëve, ku fillon përgjegjësia e familjes dhe ku mbaron ajo e shkollës?

Përdorimi i telefonit deri në orët e vona të natës po ndikon te gjumi, përqendrimi dhe mirëqenia e fëmijëve. Kush mban përgjegjësi dhe ku duhet të ndërhyjnë familja e shkolla? Edi Gogu sjell një reflektim mbi sfidat e edukimit në epokën digjitale.

Nga Edi Gogu, shkrimtare për fëmijë dhe drejtuese e lëvizjes “Pro Familja”


Në bankat e shkollës, çdo mëngjes, po shfaqet një realitet që meriton më shumë vëmendje sesa një konstatim i zakonshëm pedagogjik. Nxënës të përgjumur, fytyra të lodhura, vështrime të shpërqendruara dhe një mungesë energjie që shpesh e vështirëson procesin e të nxënit. Pas kësaj pamjeje, që mund të interpretohet lehtësisht si mungesë interesi apo motivimi, fshihet një problem shumë më i ndërlikuar, i cili nuk fillon dhe as nuk përfundon brenda mureve të shkollës.


Shqetësimi i ngritur nga një mësuese, lidhur me nxënësit që qëndrojnë deri në orët e vona të natës në telefon dhe të nesërmen vijnë të lodhur në klasë, na vendos përballë një pyetjeje që shkon përtej përdorimit të teknologjisë: A po arrijmë ne, si të rritur, t’i udhëheqim fëmijët drejt një jete të ekuilibruar, apo po ua kërkojmë atyre një përgjegjësi që ende nuk ua kemi mësuar si duhet?


Kjo pyetje nuk kërkon përgjigje të nxituara as nuk synon që të bëjë ndokënd fajtor. Ajo kërkon reflektim mbi mënyrën se si po ndryshojnë marrëdhëniet familjare, roli edukues i shkollës dhe vetë kuptimi i përgjegjësisë në një shoqëri gjithnjë e më të lidhur me ekranin, në një shoqëri që ndryshon çdo ditë.


Kur lodhja nuk është thjesht mungesë interesi


Një fëmijë që vjen i përgjumur në shkollë nuk është domosdoshmërisht një fëmijë që nuk dëshiron të mësojë. Ai mund të jetë një fëmijë që nuk ka fjetur mjaftueshëm, që nuk ka arritur të shkëputet nga bota virtuale ose që po përballet me vështirësi emocionale të cilat të rriturit ende nuk i kanë kuptuar.


Përdorimi i zgjatur i telefonit gjatë natës mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, në përqendrim, në kujtesë dhe në aftësinë për të përballuar kërkesat e ditës shkollore, si edhe në luhatjet e humorit. Mendoj se do të ishte e gabuar që çdo shenjë lodhjeje ta lidhnim automatikisht me teknologjinë, pasi ankthi, mbingarkesa, problemet familjare dhe vështirësi të tjera personale mund të ndikojnë po aq në gjendjen e nxënësit. Le të mos lëmë jashtë këtij listimi edhe elementët e moshës së fëmijëve (secila moshë është e shoqëruar me sfida të rritjes, të maturimit të trurit, trupit, përshtatjes emocionale etj.). Të mos harrojmë që të gjithë fëmijët e moshës shkollore janë qenie njerëzore ende në formim, prandaj, përpara se të pyesim pse një fëmijë nuk përqendrohet, duhet të përpiqemi të kuptojmë çfarë po ndodh në jetën e tij.


Këtu qëndron edhe një nga dimensionet më të rëndësishme të profesionit të mësuesit: aftësia për të parë përtej sjelljes së dukshme dhe për të kuptuar nevojën që mund të fshihet pas saj, sepse jo çdo nxënës i shpërqendruar është i painteresuar dhe jo çdo nxënës i heshtur është i qetë.


Familja nga ana tjetër ka një përgjegjësi që nuk mund dhe nuk duhet ta delegojë.


Një nga shqetësimet më të forta të ngritura në këtë diskutim është mungesa e ndryshimit edhe pas komunikimit që bëhet me prindërit.


Kjo na çon drejt një dileme thelbësore: Çfarë ndodh kur familja, e cila duhet të jetë mjedisi i parë i edukimit, nuk arrin të vendosë kufij të qëndrueshëm?


Në realitetin e sotëm, prindërimi është bërë më kompleks. Teknologjia ka hyrë në çdo hapësirë të jetës familjare, shpesh më shpejt sesa aftësia jonë për të kuptuar dhe menaxhuar ndikimin e saj. Prindërit përballen me angazhime profesionale, lodhje dhe vështirësi të përditshme, ndërsa fëmijët rriten në një mjedis ku argëtimi, komunikimi dhe informacioni janë vetëm një prekje larg. Madje ka shumë raste që prindërit janë disa herë më pak të informuar për sa i përket teknologjisë sesa fëmijët e tyre. Megjithatë, këto vështirësi nuk e zbehin rëndësinë e përgjegjësisë prindërore.


Të kujdesesh, ta mirërrisësh një fëmijë nuk do të thotë vetëm t’i sigurosh kushtet materiale apo të interesohesh për rezultatet e tij në shkollë. Do të thotë të njohësh ritmin e jetës së tij, të kuptosh shqetësimet që e shoqërojnë dhe të ndërtosh kufij që e mbrojnë pa e privuar nga autonomia, do të thotë ta njohësh botën e brendshme dhe shpirtin e tij/saj dhe të jesh i/e pranish/ëm/me zemër dhe mendje të hapur për t’i ofruar këshilla dhe mbështetje pa u lodhur.


Ama njëkohësisht këtu lind një kundërthënie që shpesh e shmangim: Si mund t’u kërkojmë fëmijëve të kontrollojnë përdorimin e telefonit, kur edhe ne, të rriturit, shpesh e kemi të vështirë të shkëputemi prej tij?


Nëse telefoni është vazhdimisht i pranishëm në tryezën familjare, gjatë bisedave apo në çastet që duhet t’i kushtohen njëri-tjetrit, atëherë mesazhi që merr fëmija bie ndesh me këshillat që i japim.


Edukimi nuk realizohet vetëm përmes fjalëve. Ai ndërtohet përmes modelit që ofrojmë çdo ditë.

Për këtë arsye, përpara se t’u kërkojmë fëmijëve të ndryshojnë zakonet e tyre, duhet të jemi të gatshëm të shqyrtojmë edhe zakonet tona.


Shkolla nuk mund të korrigjojë e vetme atë që shoqëria dhe familja e normalizon.


Mësuesi është ndër të parët që përballet me pasojat e këtyre zakoneve. Ai duhet të zhvillojë mësimin, të ruajë vëmendjen e nxënësve, të nxisë motivimin dhe të sigurojë një mjedis të përshtatshëm për të nxënë për të gjithë.


Atëherë çfarë mund të bëjë mësuesi kur një pjesë e nxënësve vijnë në klasë pa gjumin dhe energjinë e nevojshme dhe, mbi të gjitha, sa e drejtë është të presim që mësuesi ta zgjidhë i vetëm këtë problem?


Shkolla ka një rol të pazëvendësueshëm në edukim, por kompetencat e saj kanë kufij. Shkolla nuk mund të kontrollojë orarin e gjumit në familje, përdorimin e pajisjeve gjatë natës apo mënyrën se si organizohet koha e lirë e fëmijës.


Nga ana tjetër, shkolla nuk duhet të mbetet vetëm në rolin e institucionit që evidenton shqetësimin dhe ia përcjell atë prindit.


Komunikimi me familjen duhet të shkojë përtej njoftimit se nxënësi është i lodhur, i shpërqendruar apo ka rënë në rezultate. Ai duhet të kthehet në një përpjekje të përbashkët për të kuptuar shkaqet, për të vendosur objektiva të arritshme dhe për të ndjekur ndryshimin në vazhdimësi.


Në rastet kur komunikimi i zakonshëm nuk sjell rezultat, mund të nevojiten takime individuale, përfshirja e psikologut shkollor dhe plane konkrete mbështetjeje. Nëse lodhja vazhdon, duhen marrë parasysh edhe shkaqe të mundshme shëndetësore.


Megjithatë, duhet pranuar një e vërtetë e rëndësishme: asnjë institucion nuk mund të zëvendësojë plotësisht përgjegjësinë e një institucioni tjetër, siç është në rastin tonë, familja. Prindërit kanë nga një deri në dy apo më shumë fëmijë dhe një mësues ka edhe 30 apo më shumë fëmijë-nxënës nën kujdesin e tij/saj. 


A mundet një edukator të bëhet edhe prind për të gjithë ata fëmijë? 


Në mos probleme me përgjumjen, në klasë fëmijët sjellin me vete edhe një sërë problematikash të tjera.


Shkolla nuk mund të bëhet familje, ashtu si familja nuk mund t’ia delegojë shkollës të gjithë përgjegjësinë për edukimin e fëmijës.


Mes të dy palëve duhet të ndërtohet një partneritet real, ku përgjegjësitë nuk zhvendosen nga njëra palë te tjetra, por përmbushen në mënyrë të ndërgjegjshme.


Përballë përdorimit të tepruar të telefonave, reagimi më i zakonshëm është kërkesa për rregulla më të forta.


Pa dyshim që kufijtë janë të nevojshëm. Fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë për struktura të qarta, për orare të qëndrueshme dhe për udhëzim në menaxhimin e kohës, por rregulli, nëse nuk shoqërohet me kuptim të plotë të të gjithë situatës, rrezikon të mbetet vetëm një detyrim i përkohshëm.


Një fëmijë mund ta dorëzojë telefonin sepse prindi ia kërkon këtë gjë, por kjo nuk do të thotë se ai/ajo e ka kuptuar pse duhet ta bëjë. Ai mund t’i bindet ndalimit në praninë e të rriturit dhe ta shkelë atë sapo kontrolli të mungojë. Prandaj, sfida e vërtetë nuk është vetëm të kufizojmë përdorimin e teknologjisë, por të edukojmë aftësinë për vetërregullim dhe kjo kërkon dialog, shpjegim, përfshirje të fëmijës në vendimmarrje dhe përshtatje të rregullave me moshën dhe pjekurinë e tij.


A ka ndonjë hap praktik që mund të ndiqet? Po, p.sh., një marrëveshje familjare për kohën pa ekrane, shmangia e telefonit para gjumit, aktivitetet e përbashkëta dhe një rutinë e qëndrueshme janë hapa të thjeshtë, por me vlerë.


Po aq e rëndësishme është të kuptojmë përse fëmijët qëndrojnë kaq gjatë në botën virtuale. 


A është thjesht argëtim? Nevojë për komunikim? Frikë se mos mbeten jashtë grupit shoqëror? Apo një mënyrë për t’iu shmangur vetmisë, stresit dhe shqetësimeve të tjera?



Nëse nuk i dëgjojmë fëmijët, rrezikojmë të luftojmë vetëm sjelljen e dukshme, duke lënë të paprekura arsyet që e ushqejnë atë.


Edukimi i përgjegjshëm nuk synon të krijojë fëmijë që u binden verbërisht rregullave, por individë që gradualisht mësojnë të kuptojnë pasojat e zgjedhjeve të tyre.


Kjo problematikë nuk mund të zgjidhet me një takim prindërish, me një këshillë të përsëritur apo me një ndalim të përkohshëm. Ajo kërkon një qasje më të qëndrueshme, ku edukimi digjital të trajtohet si pjesë e formimit të përgjithshëm të fëmijëve.


Shkollat mund të krijojnë hapësira diskutimi mbi gjumin, mirëqenien emocionale, ndikimin e rrjeteve sociale dhe menaxhimin e kohës. Prindërit mund të mbështeten përmes takimeve informuese dhe këshillimit praktik. Nxënësit mund të përfshihen në hartimin e rregullave dhe në vlerësimin e zakoneve të tyre, por mbi të gjitha, duhet të ndryshojë mënyra se si e shohim problemin.


Nuk mjafton të pyesim sa orë qëndron një fëmijë në telefon. Duhet të pyesim edhe çfarë po zëvendëson ajo kohë.


A po zëvendëson gjumin? Lojën? Leximin? Aktivitetin fizik? Bisedën me prindërit? Marrëdhëniet e drejtpërdrejta me bashkëmoshatarët?


Kjo është një seri pyetjesh shumë më domethënëse sesa numërimi mekanik i orëve para ekranit, sepse teknologjia, në vetvete, nuk është kundërshtare e zhvillimit. Ajo ofron mundësi të jashtëzakonshme për të mësuar, për të krijuar dhe për të komunikuar. Problemi fillon kur përdorimi i saj bëhet i pakontrolluar dhe cenon nevojat themelore të zhvillimit fizik, emocional e shoqëror.


Për këtë arsye, synimi nuk duhet të jetë largimi i fëmijëve nga bota digjitale, por përgatitja e tyre për të jetuar në të me vetëdije, ekuilibër dhe përgjegjësi.


Çfarë po u mësojmë realisht fëmijëve tanë?


Shqetësimi i mësueses që sheh nxënësit e lodhur në bankat e shkollës nuk duhet të mbetet thjesht një temë diskutimi. Ai duhet të shërbejë si një thirrje për të rishikuar mënyrën se si po e ushtrojmë përgjegjësinë tonë edukative. Ndoshta problemi më i madh nuk është se fëmijët po kalojnë shumë kohë me telefonin, por se ne, të rriturit, ende nuk kemi arritur të ndërtojmë një kulturë të qëndrueshme të përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë.


Kërkojmë përqendrim nga nxënësit, ndërkohë që jetojmë në një mjedis të mbushur me shpërqendrime. Kërkojmë vetëdisiplinë, por jo gjithmonë ofrojmë shembullin e duhur. Kërkojmë përgjegjësi, ndërsa shpesh nuk u japim fëmijëve kohën, udhëzimin dhe mbështetjen e nevojshme për ta zhvilluar atë.


Prandaj, përpara se të kërkojmë fajtorin, duhet të gjejmë/bëjmë pjesën tonë të përgjegjësisë.


Familja duhet të jetë më e pranishme. Shkolla duhet të jetë më bashkëpunuese. Shoqëria duhet të jetë më e ndërgjegjshme. Ndërsa fëmijët duhet të jenë jo vetëm objekt i shqetësimit tonë, por pjesëmarrës aktivë në gjetjen e zgjidhjeve.


Sepse një nxënës që vjen i përgjumur në klasë nuk është thjesht një vështirësi për mësuesin. Është një sinjal që na fton të shohim përtej bankës së shkollës dhe të reflektojmë mbi botën që po ndërtojmë rreth fëmijëve tanë.


Në fund, pyetja nuk është vetëm si t’ua largojmë telefonin nga duart fëmijëve, por çfarë po bëjmë ne që ata të gjejnë më shumë kuptim, vëmendje dhe lidhje njerëzore edhe përtej ekranit.


Ndoshta pikërisht këtu fillon ndryshimi i vërtetë: jo te kontrolli që ushtrojmë mbi fëmijët, por te përgjegjësia që marrim për mënyrën se si i edukojmë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8 Lexime
51 minuta më parë