Vlerat e mësuesve

Evans Drishti: Dëshironi një model? Modeli më i mirë jeni ju vetë…

“Çdo sipërmarrje e juaja mbetet përherë një dritë shprese dhe një dorë ndihmese për çdo anëtarë brezash që dëshiron të kultivojë në shpirtin e brishtë ABC-në e dijes dhe të kulturës…”, një shkrim i radhës, konciz për atmosferën dhe vlerat që mbartin arsimtarët, nga mësuesi Evans Drishti.

Teksa sheh vetën në pasqyrë, kupton sa je rritur… I rritur nga intelekti…I rritur nga fiziku… 

Lexon diçka të shkurtër dhe kupton mendjen tënde të ndritur… 

Sheh ngjyrat që të rrethojnë, kupton vizionin me të cilin gjykon… 

Ulesh në tryezë me miq që të rrethojnë, mendon zemërgjerësinë që të karakterizon… 

Ecën rrugëve me dinamizëm, sheh buzëqeshje plot optimizëm… 

Shfleton faqe të pafundme literature, ideon larmi projektesh produktive… 

Diçka në shpirt të mban të gjallë, është ambicia për të ngelur “i parë”… 

Diçka në zemër të ngroh në çast, është finesa që të shoqëron pas… 

S’ka rëndësi se ç’lëndë jep, rëndësi ka që atë me kujdes e jep …  

Lulet e marsit janë lulet e fisnikërisë 

Për çdo mësimdhënës, për çdo prind të dytë 

E ndërsa nënat janë edukatoret tona të para 

Madhështia e shpirtit të tyre frymëzojnë qeniet tona. 


Mësimdhënësit janë model në vetvete për vlerat njerëzore e profesionale që mbartin në shpirtrat e tyre përparimtarë… 

Punëtorë e të palodhur 

Fisnikë e të pamposhtur 

Shpirtdëlirë e të paepur 

Guximtarë e të patrembur 

Inspirues e të pashembullt 

Integrues e të pathyeshëm 

Aspirues e bashkëkohorë  

Mendjendritur, largpamës e konsekuentë… 


Vihet përherë në përpjekje të pasqyrimit të një shembulli model, pasi kur flitet për edukimin në qendër vihet modeli, e kur ky model nuk buron nga brenda shpirtit, e kur ky model nuk pasqyrohet tek vetvetja, s’ka si të marrë një kuptim të duhur.


Dëshira e zjarrtë për të komunikuar me librin, edhe pse në kushte aspak të favorshme, këmbëngulja për të ofruar dijen thelbësore me plot gjallëri dhe art, paraqitja dinjitoze dhe serioze e pashmangshme në çdo moment profesional i bëri ata plejada arsimtarësh të ndërtonin histori të pakthyeshme që do të shënjonin edhe gurëthemelet e një shoqërie përparimtare dhe mbi të gjitha solide. 


Në ndërmendje të figurës së ndritur të çdo arsimtari dhe arsimdashësi që iu përkushtua dhe i përkushtohet me nderim dhe vlerësim këtij profesioni finsnik…


Çdo sipërmarrje e juaja mbetet përherë një dritë shprese dhe një dorë ndihmese për çdo anëtarë brezash që dëshiron të kultivojë në shpirtin e brishtë ABC-në e dijes dhe të kulturës… 


Qoftë e plaruar mendja juaj e ndritur dhe shpirti juaj heroik!... 

 


 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

639 Lexime
1 vit më parë