Evans Drishti: Zoti prind! Fëmija është i yti, jo i shkollës!
Evans Drishti sjell një reflektim të drejtpërdrejtë për rolin e prindit në adoleshencë: përgjegjësi, bashkëpunim me shkollën dhe përfshirje reale në mësime e jetë. Një thirrje e fortë kundër indiferencës prindërore dhe pasojave të saj.
Ki kujdes!
Fëmija po të rritet me të shpejtë fizikisht, por jo mjaftueshëm me mend, duke ngelur shumë prapa mendësisë dhe arsyetimit aktual dhe koherent.
Fëmija yt adoleshent kërkon vëmendjen tënde si prind, në përkujdesjen për një bashkëpunim për mësimet lëndore që ka në shkollë. Ai mund të ulet në tryezën e tij të punës apo të qëndrojë edhe shtrirë, me idenë se po merret me mësime, por ja që kohën e kalon me argëtimet elektronike.
S’mund t’i thuash fëmijës: ”Ulu dhe bëji detyrat!”
Je mësuar gjithnjë, si prind, t’i drejtohesh fëmijës tënd adoleshent me një frazë klasike: ”Ulu dhe bëji detyrat!”, por akoma as ti vetë si prind nuk ke arritur apo nuk dëshiron ta kuptosh se fëmija adoleshent ka nevojë ta lexojë fillimisht materialin lëndor, të përfshihet në atë çfarë paraqitet në atë lëndë, të marrë shënimet përkatëse, të rilexojë shënimet e ofruara në klasë nga mësuesi, të arsyetojë tematikat e dhëna, të ushtrohet në disa ushtrime praktike lidhur me temën e mësuar, e më pas të vihet të kryejë ”detyrën e shtëpisë”.
T’i thuash fëmijës ”Për vete e ke!” është paaftësi prindërore.
Sikurse edhe e di, ka fëmijë, të paktë në numër, të cilët për nga natyra nuk e kanë të domosdoshme të kenë prindin te koka gjatë kohës që merret me mësime, pasi adoleshenti është i ndërgjegjshëm për angazhimin që ka. Por ja që ka fëmijë adoleshentë, që për fat të keq po përbëjnë pjesën dërrmuese të të rinjve, të cilët as nuk marrin mundimin të merren seriozisht me mësimet e ditës, e aq më keq duke marrë shkas edhe nga indiferentizmi prindëror dhe mospërkujdesja i lënë pas dore mësimet dhe angazhimet e tyre ditore. Në të tilla raste, vjen qartazi pasqyrimi praktik i shprehjes popullore ”Gurë gurë bëhet kalaja!”, që në rastin konkret na tregon se adoleshenti ditë pas dite krijon boshllëqet e shumta nga mospërkushtimi ndaj lëndëve të ndryshme ditore dhe me kalimin e kohës rrjedhimisht formohet ”NAIVITETI”, pra ky fëmijë adoleshent nuk arrin as të kuptojë as të arsyetojë dhe as të bëjë shpjegime themelore rreth një teme të caktuar.
Me rritjen graduale fizike të këtij adoleshenti dhe me formimin e këtij naiviteti të dukshëm, ky fëmijë adoleshent në çdo moment që ndodhet në klasë vihet në përpjekje të krijimit të disa situatave të rëndomta dhe shqetësuese, por që për të mbeten përherë në kuadrin e një loje.
Për shkak të boshllëqeve të krijuara në lëndë të ndryshme, për shkak të një mungese të theksuar të një komunikimi thelbësor në familje, fëmija adoleshent krijon një energji negative nga një mendësi e ulët e tij duke ardhur deri në atë nivel që nuk arrin të kuptojë as fjalitë më thelbësore shpjeguese nga mësuesi apo nxënësit e tjerë të suksesshëm.
Një situatë e tillë u ka hapur rrugë fatkeqësisht përplasjeve dhe fërkimeve të padëshirueshme që sjell fenomeni i ”bullizimit” në marrëdhëniet shoqërore apo në raport mësues – nxënës.
Larg përgjigjes dëshpëruese ”Do flas me të!”
Ka mësues profesionistë që përpiqen në mënyrë të vijueshme të krijojnë komunikime me ty si prind për të të vënë në dijeni lidhur me shqetësimet dhe pakënaqësitë e ndodhura çdo ditë, e ndërkohë, ti si prind qëndron i ftohtë dhe indiferent duke u munduar ta kapërcesh situatën vetëm me një përgjigje të shkurtër klasike: ”Do flas me të!”. Kjo pasi ti nuk bashkëpunon çdo ditë me të, e për rrjedhojë ke humbur autoritetin tënd prindëror.
I mësuar nga kapërcime të tilla, adoleshenti krijon një bindje të hekurt në mendjen e tij të brishtë se asgjë e keqe nuk ndodh me të, se çdo veprim është i pranueshëm dhe se e drejta e fjalës së lirë mbetet arma më e patjetërsueshme për të. Me mendjen e tij të brishtë ai flet pa drojë, pa hezitim, pa ngurim ndaj mësuesit, drejtuesit, prindit apo një më të madhi në moshë, gjithnjë në emër të lirisë dhe të drejtës së fjalës. E gjitha kjo, si pasojë e nivelit të ulët në arsyetimin e situatave në shtëpi dhe në shkollë.
Ndaj, ku je ti, si prind?!
Zoti prind!
- Ty të duhet të shfletosh librat shkollorë me të cilat zhvillohet fëmija yt, në mënyrë që të kuptosh botëkuptimin që po merr trashëgimtari yt i jetës, por ti je distancuar nga kjo.
- Ty të duhet të jesh çdo ditë në komunikim me mësuesit për ecurinë e zhvillimit të fëmijës tënd, pasi ai kërkon një orientues, por tregohesh i tërhequr duke shfaqur një paaftësi të një orientuesi të mirëfilltë.
- Ty të duhet të verifikosh çdo përgatitje të fëmijës tënd, që nga rrobat që vesh, çanta e shkollës duke parë se çfarë ka brenda, ushqimet që do ketë fëmija yt gjatë ditës, por mbetesh inferior.
- Ty të duhet të bashkëpunosh me mësuesit për zhvillimin e aftësive të fëmijës tënd, në mënyrë që ta plotësosh në formimin e tij të përgjithshëm, por qëndron i heshtur.
- Ty të duhet që fëmijës tënd t’i ofrosh sa më shumë momente argëtuese; të shkosh me të në teatër, në kinema, në bibliotekë, në galerinë e arteve, në evente të larmishme, të lexosh diçka interesante me të, të ulesh të diskutosh për gjëra të bukura dhe ndodhi jetësore, por qëndron i strukur si në inekzistencë.
Për të gjitha këto, ti ankohesh për kohën, se nuk ke kohë të merresh me të, se nuk ke kohë të kujdesesh për të, se nuk ke kohë të interesohesh... Por fëmija është i yti, dhe jo i shkollës.
Mos harro:
”Shkollat dhe mësuesit janë relativë, kurse prindi është i përjetshëm!”
Zoti prind! Je i detyruar të ndërtosh strategji afatshkurtra dhe afatgjata. Je i detyruar ta organizosh përditshmërinë tënde në mënyrë të planifikuar për vete dhe fëmijën tënd. Çdo mangësi e shfaqur për fëminë është një goditje e rëndë dhe një ngërç i rrezikshëm për zhvillimin e tij, e për rrjedhojë edhe për ecurinë tënde si prind.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Mësuesi – autoritet, durim dhe mision në një kohë sfidash
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë