Emocionet dhe të nxënit

“Fëmijët mësojnë më shumë nga një mësues që i do”-Lorela Garuli

Komunikimi i mirë motivues nga ana e mësuesit dhe afërsia janë faktorë themelorë në procesin e të nxënit. Kështu sipas psikologes së njohur Lorela Garuli fëmijët mësojnë më shumë nga një mësues që i do. Për më tepër, në artikullin më poshtë shtjellohen edhe arsyet pse ndodh kjo.

Nëse pyesim fëmijë apo të rritur se nga cili mësues/e kanë marrë më shumë përgjatë historisë së arsimimit dhe edukimit të tyre, gjasat më të larta janë që të përmendin një profil dhe arsye të ngjashme: “Mësuesja më donte, më kuptonte, më ndihmonte, më dëgjonte, ishte e ndjeshme, e afërt, e dashur”.


Komunikimi i mirë motivues nga ana e mësuesit dhe afërsia janë faktorë themelorë në procesin e të nxënit. Shkolla ka dy qëllime themelore: t’u mësojë fëmijëve të mendojnë në mënyrë kritike dhe të dinë të bashkëjetojnë në komunitet.

 

EMOCIONALITETI DHE TË NXËNIT


Shkolla është një mjedis i cili nuk përcjell vetëm informacione e njohuri, por edhe më e rëndësishme është që modelon sjellje, marrëdhënie dhe karaktere. Kështu, një nga dimensionet kryesore është edukimi socio-emocional, si një variabël i ndërlidhur ngushtë dhe me të nxënit.


Është lehtësisht e kuptueshme që nxënësit me vështirësi dhe çrregullime në të nxënë kanë përjetime emocionale të forta. Për pasojë, emocionaliteti i lartë i tyre që shkaktohet nga frika e dështimit, nga pasiguritë, mungesa e besimit dhe vetëvlerësimit, mund të jetë një faktor me ndikim të madh dhe në ecurinë e tyre shkollore dhe proceset kognitive të të mësuarit; ajo që është pakënaqësi dhe demotivim në mosha të hershme shkollore, më vonë rrezikon të shkaktojë elementë depresivë dhe ankthi (Gallegos et al, 2012).


Emocionet tona formohen nga perceptimet e qëndrimet që mbajmë ndaj ndodhive dhe situatave, më shumë sesa vetëm nga ajo që ndodh. Kjo bën që shpeshherë mendimet disfunksionale të shkaktojnë dhe emocione negative e përshtypje të gabuara. Për këtë arsye, mirëqenia psikologjike e fëmijëve dhe nxënësve me nevoja edukative specifike është një rezultat që vjen pas një reaksioni zinxhir; në bashkërendimin mes punës që bëhet për rritjen e vetëvlerësimit, vetëkonceptit, qëndrimeve dhe skemave sociale, për të pasur pritshmëri realiste dhe për të pranuar ngjarjet e pakëndshme, të përditshmen, vështirësitë, për t’i mbajtur nën kontroll mendimet negative dhe për të hartuar një plan konkret veprues mbi strategjitë e përshtatjes. Do të thotë se edukimi emocional është paralel me çdo lloj tjetër edukimi, në mos më shumë; është pararojë dhe krijon terrenin e duhur që fëmija të edukohet dhe arsimohet i qetë.


Fokusi i shkollës lidhur me emocionalitetin e nxënësve duhet të jetë në pajisjen e tyre me shprehitë e nevojshme për:

  • Njohjen, identifikimin dhe emërtimin e emocioneve e ndjenjave të tyre.
  • Të kuptuarit e arsyeve dhe shkaqeve që qëndrojnë pas emocioneve të caktuara.
  • Shprehjen në mënyrën e duhur të ndjenjave dhe emocioneve, duke i komunikuar ato saktësisht dhe efektivisht.


Konkretisht, një nxënës ka nevojë të dijë:

  • Të menaxhojë frustrimin.
  • Të menaxhojë shpërthimet e inatit dhe padurimin (nëse ka të tillë).
  • Si të kërkojë ndihmë nga mësuesit dhe shokët/shoqet e klasës e të mos ketë druajtje të shprehë.
  • Të shprehë ndjenjat dhe nevojat e veta emocionale, njëkohësisht duke dëgjuar dhe respektuar ato të tjerëve.
  • Të ndërtojnë marrëdhënie të mira me mësuesit.
  • Të ndërtojë marrëdhënie bashkëpunuese dhe shoqërore me bashkëmoshatarët.


Nga Lorela Garuli, psikologe


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,711 Lexime
2 vjet më parë