Atmosferë festash

Fishekzjarret, të rrezikshëm për shëndetin e mjedisin

Problemi më i madh sipas specialistëve janë fishekzjarrët e kategorisë F2 që lejohet t’i ndezin vetëm të rriturit. Por këta shpesh nuk respektojnë distancën prej të paktën 8 metrash dhe kjo shkakton aksidente.

Fishekzjarrët përbëhen nga një përzierje piroteknike, prej “rreth 75% nitrat kaliumi, 15% karbon, 10% squfur”, shpjegon Günter Klein-Sommer, kimist dhe piroteknik për Deutsche Welle. Për të realzuar ngjyrat shtohen në përbërje lidhje bakri, bariumi apo stronciumi, që shkaktojnë efektet blu, të kuqe apo të gjelbër.


Mendohet se fishekzjarrët e parë janë prodhuar në kohën e dinastisë kineze të Zongve (960-1270). Si shpikës i tyre konsiderohet murgu Li Toam. Por fishekzjarrët e parë bënin më tepër zhurmë se sa efekte drite.


Në shekullin e 14-të fishekzjarrët u përhapën në Itali ku u zhvilluan edhe më tej. Në Evropë ato përdoreshin në raste festash dhe ceremonish politike, kurse në Japoni, ku fishekzjarrët quhen “hana-bi” (“Lule prej zjarri”) ato përdoren gjatë ceremonive fetare.


Sot fishekzjarrët përdoren për ceremoni dhe festa të ndryshme. Por fishekzjarrët shkaktojnë ndotje të mjedisit. Gjatë vitit 2016 në Gjermani p.sh. janë shkaktuar prej fishekzjarreve 5000 tonë pjesëza toksike karbonike që janë të barabarta me 17% të gjithë sasisë së këtyre pjesëzave të shkaktuar nga karburanti i automjeteve.


Përfaqësuesit e industrisë së prodhimit të fishekzjarrëve thonë se dëmi që shkaktojnë ato nuk mund të krahasohet me dëmin që shkaktojnë automjetet me naftë. Lëndët toksike që çlirohen prej djegies së naftës mund të shkaktojnë kancer dhe të rrezikojnë fertilitetin. Kurse fishekzjarrët përbëhen kryesisht nga kripëra që gjatë djegies shndërrohen në karbonat kalciumi. Ky thith shpejt lagështi dhe largohet prej atmosferës.


Fishekzjarrët dëmtojnë mjedisin. Pas përdorimit të tyre mbeturinat mbulojnë mjedisin, ndërsa zhurmat shkaktojnë ndotje akustike. Zhurma që shkaktojnë është e dëmshme jo vetëm për njerëzit por edhe për kafshët.


Pra, kush do të kontribuojë për mbrojtjen e mjedisit, mund të gëzohet duke parë fishekzjarrët e të tjerëve dhe të mos ndezë të tilla vetë.


Gjithsesi problemi më i madh sipas Günter Klein-Sommer janë fishekzjarrët e kategorisë F2 që lejohet t’i ndezin vetëm të rriturit. Por këta shpesh nuk respektojnë distancën prej të paktën 8 metrash dhe kjo shkakton aksidente.


(Portali Shkollor)

2,069 Lexime
6 vjet më parë