Frika nga dentisti te fëmijët, këshillat e Dr. Eldona Sipri për prindërit që të nxisin përvoja pozitive që në moshë të hershme

Frika nga dentisti te fëmijët sjell pasoja afatgjata në shëndetin oral. Vizitat e hershme parandalojnë kariesin dhe ndihmojnë zhvillimin e nofullave. Ndaj Dr.Eldona Sipri, kirurge orale, jep këshilla për prindërit në mënyrë që ata të nxisin te fëmijët e tyre përvoja pozitive që në moshë të hershme.

Nga Dr. Eldona Sipri 

Kirurge Orale


Frika nga dentisti tek fëmijët është një faktor që ka çuar në probleme afatgjatë tek shëndeti i dhëmbëve në fëmijë sot. Neglizhenca e vizitave që në faza të hershme krijon probleme funksionale në zhvillimin e nofullave dhe probleme estetike.


A mund të parandalohet? 


Patjetër me qasjen e duhur dhe me mbështetjen dhe bashkëpunimin e fortë të prindërve. Përvoja e parë tek dentisti është shumë e rëndësishme, sepse krijon bazën e marrëdhënies së tyre me kujdesin oral për gjithë jetën. Sipas American Academy of Pediatric Dentistry (AAPD ) vizita e parë tek dentisti duhet të bëhet brenda vitit të parë të jetës ose brenda 6 muajve nga dalja e dhëmbit të parë. Në vendet perëndimore kjo është një praktikë e detyruar, të njoftuar nëpërmjet email-it marrin takime si tek pediatri për vizitat e rregullta. Madje theksohet se kontrolli duhet të ndodhë jo më vonë se mosha 12 muaj.

Ndërkohë realiteti qëndron shumë larg, shumica e fëmijëve shkojnë për herë të parë tek dentisti rreth moshës 3 vjeçare. Arsyeja kryesore e vizitës shpesh është dhimbja ose kariesi dhe jo kontrolli rutinë. 


Arsyeja e mungesës së vizitës është frika, frikë për të cilin fëmija nuk e njeh më parë, implentohet nga prindi, nga gjyshërit. 


“Do të të çoj të bësh gjilpërën”, një fjali që duhet hequr nga zhargoni. “Nuk do të bëjmë gjilpëra, vetëm do të shoh doktori ose doktoresha”, një tjetër fjali kjo që duhet eliminuar plotësisht gjatë bisedave me fëmijët tuaj në shtëpi.


Nga ana tjetër një vizitë e bërë shumë vonë, shpesh lidhet me eksperiencë negative, pikërisht ky realitet krijon dentofobi. Fëmija juaj nëse paraqitet për herë të parë në moshën 5 vjeçare tek dentisti, ka humbur kështu 10 vizita të domosdoshme, 10 pastrime, 10 mënyra për të parandaluar. 


Si mund ta përmirësojmë këtë?


Vizita për prindin dhe fëmijën. Vizita të shkurtra për të krijuar lidhjen dhe besimin. 

Fëmijët ndikohen shumë nga mënyra se si prindërit flasin në shtëpi. Normalizojmë vajtjen tek dentisti dhe heqim nga zhargoni ynë fjalitë si: “Do të çoj tek dentisti”, “Do të të bëj gjilpërë”, “Dentisti është i frikshëm”, dhe i zëvendësojmë ato me, “Do shkojmë të pastrojmë dhëmbët”, “Dentisti është hero”, “Na i bën dhëmbët të bardhë dhe kujdeset për ta”, “Shkojmë të kontrollojmë dhëmbët që të jenë të fortë dhe të bukur”. 


Luani “dentistin” në shtëpi. Bëni sikur t’i lani dhëmbët arushave apo kukullave dhe më pas provojeni larjen e dhëmbëve te fëmija juaj. 


Përdorni lodra apo lojëra shpërblyese për çdo larje të mirë të dhëmbëve, por kurrësesi ëmbëlsira. Numëroni dhëmbët dhe tregojini atyre video ilustruese.


Tregojuni video ilustruese si janë vizitat e qeta tek dentisti, si lahen dhëmbët, si pastrohet furça. 


Mos e nxitoni fëmijën. Nëse fëmija ka frikë, jepini kohë të përshtatet,mos e detyroni me forcë, ndodh të paraqitesh për një kontroll dhe 3 herë. 


Mbushja e një dhëmbi nuk përfundon kurrë brenda seancës tek fëmijët, ato mund të marrin 3-5 seanca. Jepini ndjenjën e kontrollit dhe besimit.


Pas çdo vizite, lavdërojeni fëmijën, jepni një shpërblim simbolik, mos e qortoni atë në prezencë të mjekut dhe nga ana tjetër mos ndërhyni kur mjeku tregon që larja e dhëmbëve nuk është e mirë dhe ka vend për përmirësime. Jini model për fëmijën tuaj.


Fëmijët kopjojnë prindërit, nëse ju jeni të qetë edhe ata ndihen të sigurte, nëse tregoni frikë ata e përforcojnë atë. 


Flisni gjithmonë me qetësi për dentistin dhe zgjidhni orarin e duhur. Shmangi orët kur fëmija është i lodhur apo i uritur, mëngjesi ose paraditja janë ideale. Një fëmijë i lodhur ka më shumë gjasa të jetë i irrituar dhe i frikësuar.


Mos shkoni te dentisti/dentistja vetëm kur fëmija juaj ka dnonjë problem me dhëmbët. Kjo është shumë e rëndësishme, nëse vizita lidhet vetëm me dhimbjen, krijohet frikë automatike.


Përdorni teknikën “trego dhe bëj”. Dentisti duhet te shpjegoje, çfarë do bëjë,duke demonstruar,duke e realizuar hap pas hapi. Kjo ul shumë pasigurinë.


Prindër, qëndroni pranë (por pa ndërhyrë shumë). Prania e prindit, i jep siguri fëmijës, por mos flisni vazhdimisht apo mos e ndërprisni dentistin. Në shumë raste këshillohet që prindi të presë në recepsion pasi fëmija bëhet më emocional dhe refuzon të bashkëpunojë.

Konsistenca është çelësi: i njëjti dentist, i njëjti ambient. Kjo krijon ndjenjë familjariteti dhe ul frikën.



Tek fëmijët, gjithçka varet nga:

  • Përvoja e parë.
  • Qasja e prindit.
  • Mënyra si prezantohet dentisti.


E rëndësishme mbetet seanca fluori çdo 6 muaj, një eksperiencë që merr vetëm pak minuta duke aplikuar nga jashtë fluorin në përmbajtje xheli, procedurë e cila do ti dhurojë fëmijës besim dhe do të ndihmojë në përforcimin e smaltit të dhëmbëve dhe parandalim të proceseve karioze.


Nga ana tjetër silanimi i dhëmbëve të qumështit që ne si klinikë kryejmë në faza të hershme, do të parandalojë prishjen e parakohshme të dhëmbëve dhe do të mbajë sa më gjatë dhëmbin në gojë duke zhdukur kështu fenomenin e heqjes së dhëmbëve pa ardhur momenti i tyre ende, fenomen i cili sjell më pas ndryshime dhe probleme në daljen e dhëmbëve të përhershëm, në zhvillimin e mirë të nofullave.


Ne si klinikë këshillojmë që vizitat të kryhen gjithashtu paralelisht me specialisten Ortodonte e cila sheh zhvillimin e nofullave dhe jep informacionet e nevojshme për të patur një eksperiencë sa të lehtë gjatë rritjes së fëmijëve.

 

Sot braketat janë kthyer në trend, kjo vjen si pasojë e neglizhencave çka folëm më sipër por dhe si pasojë e stilit të jetës.


Ju këshilloj shumë prindërve që t’i japin fëmijës në dorë që të vegjël mollën, karotën, dardhën, mishin me kocka, bukën e thatë, dhe në mënyrë kategorike theksoj të qëndrojnë larg ushqime të buta dhe të këqija si patatina, ëmbëlsira dhe ushqime ngjitëse etj.


Ushqimet e buta venë muskujt në gjumë dhe si rrjedhojë zhvillimi i nofullave do jetë i ngadalshëm.


Ushqimet e buta ngecin nëpër fisurat e dhëmbëve dhe pastrimi bëhet i vështirë, kjo do sjellë prishjen e dhëmbëve. Nga ana tjetër molla dhe karota nxisin muskulaturën dhe bëjnë vetëpastrim të dhëmbëve.

 

Ndamë me ju pak informacione nga përditshmëria duke shpresuar që t’iu vijnë në ndihmë për fëmijët tuaj.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

156 Lexime
3 orë më parë