IA në arsim, mes përforcimit të mendimit kritik dhe rrezikut të varësisë
Një reflektim i thelluar mbi përdorimin e IA në arsim, nisur nga studimi i OECD, që tregon se teknologjia mund të rrisë performancën, por jo domosdoshmërisht nxënien reale. Një thirrje për ta përdorur IA si përforcues të mendimit kritik, jo si zëvendësues të tij.
Nga Fiqiri Çifliku
Një studim i fundit i publikuar nga OECD në raportin "Digital Education Outlook" thekson se: “Nxënësit që kishin akses në një mjet të inteligjencës artificiale (AI) me qëllim të përgjithshëm kanë patur rezultate shumë të mira në detyrat e tyre...
... Por sapo ky akses u hoq, ata dolën më keq se bashkëmoshatarët e tyre.”
Kjo nxjerr në pah problematika thelbësore që duhen trajtuar me kujdes. Duhet të analizojmë thellësisht mundësitë dhe rreziqet e mjeteve të ndryshme të Inteligjencës Artificiale Gjeneruese për të mos kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin (nga përdorimi masiv tek eliminimi apriori).
E pritur me shumë entuziazëm dhe njëkohësisht me frikën se do të nxirrte jashtë loje deri edhe mësuesin, u pa si mundësi në ndihmë të mësuesit. Padyshim IA mund të mbështesë nxënien përmes sistemeve të mbikëqyrjes së personalizuar, apo mundësi më shumë për të përmirësuar bashkëpunimin dhe të nxisin krijimtarinë e tyre.
Por duket se i kemi marrë lehtë anën negative të saj. Përvoja njerëzore e tregon shpesh se mjetet që thjesht të japin përgjigje të gatshme mund të rrisin artificialisht performancën pa çuar në përfitime reale në nxënie. Thjesht fare, nëse përdorim makinën llogaritëse për të kryer një veprim të thjesht 3*3, sigurisht që përgjigja del në ekran e saktë dhe individi e merr të mirëqenë atë. Por pyetja është: A e di individi pse rezultati del 9? A ndihmon në këtë rast IA për formimin e mendimit kritik dhe krijues të brezit të ri? Mendoj se jo. Do arrijmë në një moment kur për ndonjë arsye banale, sistemi të bjerë dhe ne nuk do dimë p.sh., se si ndizet zjarri duke fërkuar dy dru apo dy gurë. Ky është problem i madh. Mendimi kritik nuk është thjesht një aftësi akademike, por një mjet mbijetese.
Ndikimi i IA në aftësitë për jetën është një thikë me dy tehe. Nëse përdoret si "rrugë e shkurtër", ajo i dobëson aftësitë tona njohëse, por nëse përdoret si "përforcues", ajo mund të na bëjë super nxënës.
Nxënësit duhet të mësojnë të veprojnë si redaktorë dhe verifikues faktesh, jo thjesht si konsumatorë të produktit të gatshëm që gjeneron IA. Për të marrë një rezultat të mirë nga IA, nxënësit duhet të dinë të ndajnë një problem të madh në pjesë të vogla dhe logjike. Kjo nxit një strukturë mendore shumë të rregullt. Të mësosh se si t'i bësh pyetjen e duhur një makinerie duhet të mësosh se si të analizosh një problem deri në detajet e tij më të imta.
Përdorimi i teknologjisë ka edhe një problem tjetër që lidhet me kohën e qëndrimit mbi libra. Pra me aftësinë e individit për të kalitur durimin. Nëse IA na i zgjidh të gjitha vështirësitë menjëherë, ne humbasim durimin nëse do të na kërkohej që zgjidhjen ta gjejmë pa mbështetjen e IA.
Formimi i aftësisë për të qëndruar në një detyrë të vështirë pa kërkuar ndihmë të menjëhershme do e ndihmonte trurin të mos jetë "përtac". IA është si një biçikletë për mendjen. Nëse hipën mbi të, mund të shkosh më larg dhe më shpejt se sa në këmbë. Por, nëse nuk i lëviz vetë pedalet dhe pret që dikush tjetër të shtyjë, sapo të zbresësh nga biçikleta, do ta kesh të vështirë edhe të ecësh.
IA po jep mundësi njerëzve të mos e fillojnë nga zero, por të merren me kurimin e ideve që duan të përcjellin. Aftësia për të marrë një draft fillestar nga IA dhe për ta transformuar atë në diçka unike njerëzore është një aftësi e re hibride që nuk duhet anashkaluar.
Po e krahasoj këtë gjë me patericën dhe palestrën. Nëse qëllimi është ta mbaroj punën shpejt jam duke e përdoru IA si patericë ndërkohë që duhet ta përdor si palestër për të kuptuar më mirë konceptet. Në vend të përdor kopjo/lësho, dialogu me IA do ishte mënyra e duhur, pasi kështu mund të krijosh aftësi për ta bërë punën edhe pa IA. Pra të edukojmë fëmijët të mos krijojnë varësi teknologjike, por të nxisim pavarësinë intelektuale.
Për të mos përfunduar si nxënësit e studimit që morën rezultate të dobëta pasi iu hoq IA, duhet të përdorim IA për të shpjeguar "PSE-në", jo vetëm për të dhënë "ÇFARË".
Lexoni nëse doni të thelloheni më shumë në linkun "Digital Education Outlook": https://lnkd.in/ekQjriRM
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
"Mos e ulni figurën e mësuesit, ajo është e shenjtë"
Disa nga mitet që mësohen në shkollë
Thëniet më të bukura që përshkruajnë mësuesin/en