Intervistë

Intervistë me Rei Ahmetaj, gjimnazistin që realizoi maketin e burgut të Spaçit, me të cilin fitoi konkursin "Pyet Gjyshërit 5"

Rei Ahmetaj ka fituar Çmimin e Rrjetit në konkursin "Pyet Gjyshërit 5", organizuar nga IDMC. Rei realizoi një instalacion të burgut të Spaçit. Punimi i tij i treguar në një video ka bërë tashmë xhiron e rrjetit. Por për të mësuar më tepër rreth kësaj eksperience ne kemi zhvilluar me të një intervistë.

Rei Ahmetaj fitoi Çmimin e Rrjetit në konkursin "Pyet Gjyshërit 5", që Institute for Democracy, Media & Culture (Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë) organizoi më 28 shkurt 2023. Instalacioni i tij, "Kampi i Punës së Detyruar i Spaçit", u vlerësua nga juria me motivacionin: "Sjell në mënyrë shumë të detajuar përmes materialeve të ndryshme të përdorura, shëmbëlltyrën e asaj çfarë ka mbetur nga Kampi i Spaçit sot dhe nevojën për muzealizimin e vendeve të vuajtjes, për t’u dhënë mundësinë të rinjve t’i vizitojnë dhe të reflektojnë mbi padrejtësitë e kryera gjatë diktaturës." Portali Shkollor Albas ka zhvilluar me Rein një intervistë për të mësuar më tepër për këtë eksperiencë të tij. 



Rei si të lindi ideja për të realizuar maketin e Burgut të Spaçit, të cilin shumica prej nesh e kanë parë tashmë në një video të bërë publike?  


Ideja e realizmit të Burgut të Spaçit erdhi si një nevojë më së shumti për të përfaqësuar shkollën në një konkurs i cili në fokus kishte diktaturën. Fillimisht ishte dhënë tema e konkursit dhe me ndihmën e gjyshërve por dhe mësueses koordinuese të këtij aktiviteti duhet të arrinim në konkluzione të një produkti. Personalisht duke njohur aftësitë e mia ne krijimin e maketeve vendosa që të realizoj një të tillë dhe në rastin konkret ishte ai i burgut më famëkeq diktatorial.



A ke qenë në rrënojat e burgut të Spaçit? Si e realizove këtë maket dhe a pate mbështetje? Për sa kohë e realizove projektin?


Personalisht nuk e kam vizituar asnjëherë Burgun e Spaçit i cili tashmë është kthyer në muze. Për realizimin e këtij maketi është dashur rreth 1 muaj. Godina qendrore e burgut është e realizuar me materialin e forexit dhe sipër është “muralizuar” me argjilë. Proces që kërkon kohë për t’u punuar. Realizimi i godinës ishte vetëm gjysma e punës. Më duhej të gjeja një bazament mjaftueshëm të madh ku do të vendosej çdo detaj tjetër. I gjithë ky punim nuk është realizuar plotësisht nga unë, por dhe me ndihmën e dy shoqeve të klasës, Amanda Martini dhe Klea Uzuni. Malet janë një element me të cilin punuam për një periudhë dy ditore sepse dëshironim që çdo gjë të ishte perfekt. Gjithashtu vihen re dhe detaje shumë të rëndësishme si gëzhojat të cilat simbolizonin vrasjet brenda kampit dhe jetët e marra, vagonët dhe karrot të cilat shërbenin për punën në minierë, dritat e forta që verbonin shikimet përgjatë natës, ushtarët dhe qentë që qëndronin përherë në gatishmëri si dhe elementi i fundit por jo nga rëndësia teli me gjemba. Ky punim duhej të titullohej vetëm nga një objekt dhe objekti që zgjodha unë ishte teli me gjemba. Maketi ishte i rrethuar nga ky tel i lyer me gjak për të demonstruar gjakun e derdhur për lirinë e shtypur e te mohuar. Jam munduar që ky punim të realizohej me materiale nga lloje të ndryshme duke arritur deri te erëzat e gatimit. Buka e peshkut, forexi, argjila, kartoni kanë qenë baza e materialeve.



Si u prit ky projekt i yti nga Institute for Democracy, Media & Culture? 


Ky projekt pas përfundimit u dorëzua në zyrën e IDMC. Asnjëherë nuk ishte parë një punim në përmasa dhe format të tillë. Pas kualifikimit në top 50 ishte publiku i cili e vlerësoi dhe i dha më shumë rëndësi këtij punimi.

Dimë gjithashtu se për këtë gjë je shpërblyer me një udhëtim në Aushvic. Si ishte kjo përvojë për ty? A u riktheve prej këtij udhëtimi me një reflektim dhe si do ta mbash mend këtë moment “të të gdhendurit” simbolikisht nga ty të një vendi ku kanë vuajtur të dënuarit politikë të kohës së komunizmit në Shqipëri dhe të shkeljes në një prej vendeve më famëkeqe të botës, në të ashtuquajturin kampi i Aushvicit...pra Rei, si mund ta shoh gjithë këtë një 17-vjeçar i vitit 2023?


Pasi u shpalla si një prej fituesve të shtatë çmimeve sigurisht dhe shpërblimi ishte po aq i madh sa orët e punës. Udhëtimi studimor drejt Auschwitz-Birkena u ishte një dëshirë tashmë e bërë realitet. Kisha shumë kohë që hulumtoja dhe lexoja literaturë e cila në fokus kishte holokaustin. 

Në momentin kur shkela ne Poloni, saktësisht në kampin më mizor të historisë njerëzore përjetova një qasje ndryshe ndaj jetës. Nuk perceptoja dot mendimet çnjerëzore dhe hitleriane ndaj racës njerëzore. Ngado që të ktheja kokën në atë vend të zymtë shihja vuajtje. Imazhet edhe mendimet të cilat më kalonin ndër mend më bënin empatik ndaj atyre të cilët e kishin jetuar atë tirani. Kohëve të fundit kam realizuar një ese rreth këtij udhëtimi dhe kam dëshirë të përdor një paragraf përmbyllës.

“U kaplova nga terri i tmerrit kur hyra në kromatorium. U mpiva i tëri. Dhoma e gazit filloj të më mbyste dhe pse nuk ishte funksionale. Mushkëritë mu bllokuan dhe frymëmarrja filloj të përshpejtohej, në mënyrë që të thithja më shumë ajër. Ishte e pamundur. Vetëm disa hapa më tutje ishe furra e djegies. Dëgjoja trupin e pajetë të një krijese humane që përvëlohej e kërciste nga flaket. Nuk më mbetej gjë tjetër veçse të ndjeja aromën e pamerituar të vuajtjes dhe kënaqësisë psikopatike njerëzore”. 

Ndërkohë, çfarë mesazhi mund të japësh si nxënës në drejtim të edukimit dhe arsimimit? Po si maturantë? 


Edukimi dhe arsimi janë bazat e krijimit të personalitetit. Një person i cili është i edukuar dhe i arsimuar di të respektoj dhe kuptojë këdo. Arsimi në vendin tonë është duke u rrënuar disi sepse po shohim pakënaqësi nga studentët kundrejt ligjeve të ndryshme thuajse të pamerituara. Gjithmonë do të ketë pakënaqësi por duhet të gjejmë të mesmen e artë. Maturantët gjithmonë janë të ngarkuar në pjesën e studimeve dhe atë emocionale ndaj dozat e pozitivitetit nuk duhet t’i mungojnë. Nuk është e rëndësishme vetëm t’i përkushtohen shkollës përgjatë gjithë kohës ama shpenzimi i kohës kualitative me miqtë në këtë moshë do të mbahet mend gjithmonë përgjatë gjithë jetës si një nga episodet më të bukura të përjetuara.




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

972 Lexime
7 muaj më parë