INTERVISTË

Klasat kolektive, flet eksperti Besnik Rama: Përparësitë që ofron kjo lloj forme organizimi

Në një intervistë për Portalin Shkollor Albas, Dr.Besnik Rama rrëfen në mënyrë të detajuar mbi klasat kolektive. Cilat janë përparësitë e këtyre të fundit, si dhe me çfarë sfidash po përballen ato në kushtet e pandemisë. Ai ka specifikuar edhe këshilla për mësuesit që punojnë me këto klasa.

Cili është historiku i krijimit të klasave kolektive?


Procesi i të mësuarit në grup (thuajse në formatin e klasës kolektive) është po aq i hershëm sa i vjetër është të mësuarit e organizuar. Fëmijë të moshave të ndryshme mësonin në të njëjtin mjedis dhe vetëm një mësues u mësonte nxënësve të tij, krahas gjërave të njëjta, edhe njohuri në mënyrë të diferencuar/të përshkallëzuar sipas grup-moshës dhe i vinte ata në punë për të kryer detyra në raport me grup-moshën, por dhe në përshtatje me aftësitë e mundësitë individuale të secilit. Mësuesi i atëhershëm, në njëfarë kuptimi, e kishte punën më të lehtë, pasi ai u mësonte nxënësve vetëm shkrim-lexim. Më pas u shtua dhe lënda e numërimit (matematika), si dhe arti ushtarak (edukimi fizik). Pandeli Sotiri, mësuesi dhe drejtori i Mësonjëtores së Parë në Korçë, u mësonte gjuhën shqipe fillimisht 35 nxënësve së bashku. 


Mbi njëqind vjet më parë, në vitin 1918, shkollat me klasa kolektive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbënin 70.8 për qind të të gjitha shkollave publike. Në vitin 1980 mbetën më pak se 1000 prej këtyre shkollave, ku klasat kolektive vazhduan të funksiononin. 


Në vitin 1959, Shqipëria, me 23 për qind të mësuesve që punonin me klasa kolektive, renditej e 7-ta pas Brazilit (38.9 për qind), Hondurasit (36.9 për qind), Kolumbisë (30 për qind), Tikinos (29 për qind), Turqisë (26 për qind) dhe Ekuadorit (23.3 për qind).


Klasat kolektive janë një praktikë mjaft e përhapur në vende të varfra, në vende ende në zhvillim social-ekonomik, por dhe në shumë vende të zhvilluara. Të mësuarit në klasa kolektive në vendin tonë ndeshet në zonat rurale, pak të populluara, ku numri i nxënësve të regjistruar nuk garanton një mësues për çdo klasë. 



Mendoni se arsimi shqiptar është mjaftueshëm i përgatitur për t’u përballur me mësimin në klasa kolektive?


Mësimi në klasa kolektive në vendin tonë ka një historik me tradita dhe përvoja të suksesshme. Por, zhvillimet politike, ekonomike e demografike pas vitit ’90 ndikuan në cilësinë e shkollave, sidomos në zonat e thella malore. Rënia e cilësisë u ndie më shumë në shkollat me klasa kolektive. Nxënësit e këtyre shkollave bartin boshllëqe të theksuara dhe kanë vështirësi të mëdha në të nxënë. Mungesa e arsimit parashkollor, mësimi në klasa kolektive në arsimin e detyruar (dhe në shkollat e mesme), vandalizmat ndaj institucioneve shkollore, orendive e bazës materiale mësimore të tyre dhe futja në sistem e mësuesve pa arsim përkatës janë faktorët kryesorë që cilësia në shkollat e fshatit të shënonte nivele të pakënaqshme pas vitit 1990. 

Rënia e cilësisë në shkolla uli ndjeshëm qasjen e komunitetit të zonave rurale ndaj arsimit. Pavarësisht të gjithave, munguan masat e duhura, vendimet politike dhe investimet në burime njerëzore e materiale për ndryshimin e përmirësimin e situatës.

Ne nuk kemi studime dhe të dhëna për performancën e nxënësve që ndjekin klasat kolektive, përjashtuar testimin që u zhvillua për lexim-shkrimin në tetor të vitit 2017 dhe testimin në shkurt 2019.

Bjerja e punës në klasat kolektive ka ardhur dhe për shkak se ka munguar në vijimësi vëmendja e institucioneve arsimore për punën në këto klasa; kanë munguar studimet shtetërore, por dhe të ekspertëve, për zhvillimet bashkëkohore në klasat kolektive; botimet didaktike me fokus klasat kolektive kanë qenë shumë sporadike etj.

Shkollat me klasa kolektive kanë nevojë për mbështetje financiare (me investime në infrastrukturë) dhe me burime njerëzore e materiale për të rritur cilësinë e shërbimit arsimor që ofrojnë.



Si bëhet përzgjedhja e mësuesve për të zhvilluar mësim në klasat kolektive?


Mësuesi që punon me klasa kolektive, duhet të përmbushë disa karakteristika. Kështu, prej tij kërkohet të jetë i aftë për organizim efektiv, krijues dhe fleksibël; i gatshëm për të punuar shumë, i fuqishëm; të vetëdrejtohet; i gatshëm të punojë ngushtë me komunitetin; të ketë besim të fortë në rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë personale në klasë; të jetë i aftë për t’i zhvilluar këto karakteristika te nxënësit e tij; të ketë përvojë të mëparshme të suksesshme në klasat me të cilat do t’i duhet të punojë. Pavarësisht këtyre cilësive, përzgjedhja e mësuesve të klasave kolektive nuk kalon në procedura të veçanta. Mjafton që ai të jetë i diplomuar për arsimin fillor ose arsimin e mesëm të ulët. Me gjithë kujdesin e treguar, për fat të keq, kemi ende klasa kolektive ku japin mësim mësues pa arsim përkatës ose jashtë profilit, për shkak të mungesës së mësuesve në fshatrat e thella malore. 



Sa nxënës duhet të përmbajë një klasë kolektive?


Sipas Udhëzimit të MASR-së Nr.30, datë 12.09.2018 ,“Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”, numri i klasave të bashkuara përcaktohet sipas këtij rregulli:

“Në arsimin fillor (klasat I-V)

Një klasë, kur numri i nxënësve në klasat I-V është deri në 10.

Dy klasa, kur numri i nxënësve është 11-25. 

Tri klasa, kur numri i nxënësve është 26-50. 

Klasa të veçanta, kur numri i nxënësve i të gjitha klasave I-V është mbi 50, pavarësisht nga numri i nxënësve për klasë.

Në arsimin e mesëm të ulët (klasat VI-IX)

Një klasë, kur numri i nxënësve në klasat VI-IX është deri në 10.

Dy klasa, kur numri i nxënësve është 11-25. 

Tri klasa, kur numri i nxënësve është 26-40. 

Klasa të veçanta, kur numri i nxënësve i të gjitha klasave VI-IX është mbi 40, pavarësisht nga numri i nxënësve për klasë." (  Udhëzimi i MASR-së Nr.30, datë 12.09.2018, “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”, f. 2)

Pritet që ndarja e klasave kolektive veç në arsimin fillor dhe veç në arsimin e mesëm të ulët, pavarësisht numrit të nxënësve, të ndikojë në rritjen e cilësisë së klasave kolektive dhe lehtësimin e ngarkesës së përditshme të mësuesit/mësuesve që punojnë me klasa kolektive.



Si bëhet i mundur bashkimi i klasave?


Bashkimi i klasave varet nga numri i nxënësve të çdo klase. P.sh., nëse një shkollë fillore ka deri në 10 nxënës gjithsej, të gjitha klasat 1-5 formojnë një klasë kolektive. Nëse numri i nxënësve është 11-25, nxënësit bashkohen në dy klasa kolektive, njëra prej të cilave do të formohet me nxënësit e dy klasave dhe tjetra me nxënësit e tri klasave të tjera, duke bërë kujdes që dy mësuesit të kenë numër të barabartë (ose afërsisht të barabartë) nxënësish. Në rastin kur shkolla fillore ka 26-50 nxënës, formohen tri klasa: dy kolektive dhe një teke (klasa që ka numrin më të madh të nxënësve). Edhe në klasat 6-9 ndiqet e njëjta logjikë, në varësi të numrit të nxënësve. Ndryshe nga Greqia, ku numri i mësuesve për shkollë (me apo pa klasa kolektive) varet nga numri i nxënësve të të gjitha klasave (dhe ka raportin një mësues për 25 nxënës, d.m.th. në një shkollë me 100 nxënës të klasave 1-6, punojnë 4 mësues), ne kemi mesatarisht 1 mësues për 8.8 nxënës në klasat kolektive, një raport ky shumë i favorshëm për punë cilësore.



Çfarë mund të na thoni në lidhje me orët mësimore, a duhet të punojnë orë shtesë mësuesit për të përfunduar të gjithë programin mësimor të ditës?


Klasat kolektive, përgjithësisht dhe në shumicën e rasteve, kanë punuar me sistem 6-orësh, gjatë gjashtë ditëve të javës (deri në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar). Sipas përcaktimeve në akte nënligjore, kryesisht në udhëzime të ministrisë përgjegjëse për arsimin, mësuesi i klasave kolektive, kur punonte me sistem 6-orësh, paguhej për orët mbi normë, në bazë të një pasqyre (evidence) të orëve të zhvilluara për çdo muaj.

Edhe tani, orët mësimore mbi normë në arsimin fillor për efekt pagese për mësuesin / kryemësuesin, llogariten mbi normën javore, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm të ulët dhe atë të lartë, mësuesi mund të ketë orë mbi normë jo më shumë se 30% të normës javore.



Cilat janë disa nga përparësitë që ofron kjo lloj forme organizimi?


Shkollat me klasa kolektive kanë jo pak përparësi, disa prej të cilave po i listoj në vijim:

Atmosfera familjare – Bashkësi më e vogël do të thotë që e gjithë shkolla shpesh të ndihet si një familje e madhe, me mësuesit që njohin çdo nxënës, me nxënësit që luajnë me mosha të ndryshme, të gjithë duke kërkuar njëri-tjetrin dhe me marrëdhënie të ngushta që zgjasin me vite.

Të nxënët duke udhëhequr – Nxënësit e klasave më të larta mësojnë, pjesërisht, edhe duke udhëhequr dhe duke ndihmuar më të rinjtë, nxënësit e klasave më të ulëta.

Të nxënët duke ndjekur – Nxënësit e klasave më të ulëta, veçanërisht ata që nxënë më lehtë, mësojnë edhe duke vëzhguar nxënësit më të rritur, përpara se të arrijnë vetë në klasën e më të rriturve. 

Përjetimi i shkollës siç përjetojmë jetën – Ashtu si në botën “reale”, në klasat kolektive nxënësit nuk ndërveprojnë me vetëm një grup-moshë dhe me vetëm një lloj detyre/projekti në të njëjtën kohë. Kemi individë të të gjitha moshave që bëjnë gjëra të ndryshme përreth nesh. Shkollat me klasa kolektive imitojnë punët reale dhe përvojat jetësore.

Individualizim më i madh – Mësuesit punojnë për të zhvilluar kompetencat vetjake të nxënësve të grup-klasave të ndryshme, duke e zhvendosur me lehtësi fokusin në përmbushjen e nevojave individuale të çdo fëmije.

Hulumtimet kanë identifikuar një numër përfitimesh të mundshme të klasave kolektive për nxënësit në lidhje me rezultatet e shkollimit. Këtu përfshihen përfitimet:

  • për fëmijët me arritje të ulëta përmes faktorëve, si vazhdimësia e arsimimit dhe prania e klasës më të vogël;
  • për fëmijët më të vegjël përmes ekspozimit ndaj materialeve më të avancuara, rolit të modeleve për t’u matur dhe mbështetjes sociale nga bashkënxënësit më të rritur;
  • për fëmijët më të rritur nëpërmjet rishikimit të përmbajtjes së lëndëve, aftësive të udhëheqjes dhe aftësive të të mësuarit të pavarur;
  • për fëmijët me arritje të larta përmes mësimit më sfidues dhe të pavarur.

Megjithatë, dëshmitë tregojnë, gjithashtu, për sfidat kryesisht rreth akomodimit të nxënësve brenda klasës dhe kufizimeve kohore. 



Si mund ta bëjnë të mundur mësuesit menaxhimin e orarit?


Në shkollat tona ekzistojnë, tashmë, disa praktika të zakonshme në menaxhimin e klasave kolektive. Shumica e lëndëve që u përkasin planeve mësimore të dy a më shumë klasave të bashkuara, zhvillohen njëkohësisht, por duke përdorur materiale mësimore të ndryshme, në përputhje me programet mësimore të secilës klasë. 

Praktika mbizotëruese në mësimdhënien e lëndëve të njëjta është e lidhur me kurrikulën paralele, që do të thotë që të dy a më shumë grup-klasat zhvillojnë të njëjtën lëndë gjatë një ore mësimi, por kanë materiale mësimore të ndryshme. 

Gjuha shqipe dhe matematika, që zënë vendin më të madh në planin mësimor, shihen si lëndë sfiduese. Këto dy lëndë vlerësohen si shumë të rëndësishme, prandaj mësuesit janë vazhdimisht nën presion për t’u marrë më shumë me to, shpesh në dëm të lëndëve të tjera të planit mësimor. Pra, mësuesit harxhojnë më shumë kohë për të mësuarit e këtyre lëndëve dhe i ngarkojnë nxënësit me më shumë detyra në këto lëndë, brenda e jashtë klasës.

Për klasën kolektive duhet planifikuar mirë gjithçka që do të zhvillohet për një kohë të gjatë. Mësuesi nuk do të jetë në gjendje, ndoshta, të gjendet në të gjitha frontet në të njëjtën kohë! Kështu që ai duhet të planifikojë dhe të organizojë mirë çdo veprimtari që do të zhvillojë me nxënësit/klasat. Mësuesi duhet të përgatisë, apo të sigurojë, mjete mësimore të shumta (duke shpenzuar shumë kohë për t’i pasur ato = një kursim i kohës në klasë!). Dhe jo vetëm kaq. Atij i duhet shumë kohë për t’u marrë me korrigjime, me fletë leximesh vetëkorrigjuese, me ngjyrosje të ndryshme (në gjuhë, në matematikë etj.).

Një tjetër pikë e ndjeshme: orari i mësimeve në klasat kolektive! Përvoja e shkollës sonë, por dhe praktikat e vendeve të tjera, na japin jo pak alternativa:

- A është e mundur të zhvillohen dy lëndë njëkohësisht? Natyrisht që po.

- Në disa lëndë, mësuesi lë “të qetë” në punën e saj njërën grup-klasë.

- Nga ana tjetër, normalisht mund të zhvillohen lëndë të ndryshme në të njëjtën kohë, sipas kërkesave të kurrikulës së shkallës dhe klasës.

- Diskutim dhe vëmendje kërkon planifikimi dhe zhvillimi i lëndëve, por dhe i njësive mësimore të disa lëndëve.

Në klasat kolektive:

Aty ku është e mundur, gjuha dhe matematika duhen planifikuar për t’u zhvilluar që në mëngjes, sepse nxënësit janë të freskët dhe përqendrimi i tyre është më i mirë.

Orari duhet planifikuar për të siguruar që mësuesi është në gjendje të japë maksimumin e vëmendjes ndaj grupeve të ndryshme në klasë dhe të zhvillojë të gjitha lëndët e planit mësimor. Mësuesi duhet të sigurohet që koha e mësimit të shfrytëzohet plotësisht dhe në mënyrë të barabartë, në mënyrë që t’u jepet vëmendja e mjaftueshme të gjithë nxënësve. Ai duhet të mbajë parasysh maturinë dhe vëmendjen e nxënësve. Nxënësit e rinj duhet të ndryshojnë shpesh veprimtaritë e tyre, kështu që të mësuarit e tyre duhet të jetë më i shkurtër. Ata kanë nevojë për më shumë veprimtari fizike, brenda dhe jashtë klasës.



Çfarë mendoni se mund ta bëjë një klasë kolektive të jetë e mirorganizuar?


Mësuesit e suksesshëm të klasave kolektive, ashtu si të gjithë mësuesit e mirë, janë të përgatitur mirë dhe organizatorë të talentuar. Ata janë mendjehapur, dëshirojnë të provojnë ide të reja dhe të jenë fleksibël e kreativë në praktikën e tyre; besojnë në rëndësinë e krijimit të një atmosfere bashkëpunuese e miqësore në klasë. Gjithashtu, ata kanë aftësinë të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta me komunitetin, në mënyrë që, në kohë, prindërit të besojnë gjithnjë e më shumë në përfitimet për fëmijën e tyre në një klasë kolektive.

Katër pika të forta të një klase kolektive janë

  • bashkëpunimi dhe bashkëveprimi në grup për grup-klasat;
  • çastet e veprimeve ndonjëherë të ndara, por shpesh të dallueshme si të veçanta;
  • vetëstudimi i thelluar ose puna e pavarur për të lejuar rotacionin e mësuesit;
  • një punë shumë e strukturuar ditore në varësi nga koha për çdo orë mësimi.

Një qasje vërtet efektive kërkon që mësuesi të përpiqet “të mësojë nxënësin e jo grupin e madh”. Mësuesi i mirë i ndihmon nxënësit me vështirësi në të nxënë me mjete dhe materiale mësimore të ndryshme, i vë ata në situata të nxëni që të mund të zhvillojnë kompetencat e tyre. Megjithatë, të mos harrojmë se diferencimi individual është i nevojshëm, edhe kur punojmë me një klasë të vetme. Nëse në një shkollë urbane kemi 30 nxënës në një klasë të zakonshme, a nuk kemi të bëjmë me 30 individë të ndryshëm dhe, sado të përafërt të jenë ata, për sa i përket zotërimit të kompetencave, neve na duhet t’i grupojmë sipas nivelit që kanë. Pra, do të kemi zakonisht 3, 4 ose 5 grupe të ndryshme me nga 10, 7-8 a 6 nxënës secili. Këto grupe të klasës normale janë (t’i imagjinojmë) “grup-klasa” të klasave kolektive. Në këtë kuptim, është më e vështirë të japësh mësim në një klasë të zakonshme me dallime shumë të mëdha në nivelin ndërmjet nxënësve sesa në një klasë kolektive me po aq grupe, por me numër nxënësish shumë të vogël.



Çfarë u rekomandoni ju mësuesve?


Zhvillimet e sotme të teknologjive të reja lejojnë të përdoren në procesin mësimor teknologji, të tilla si: videoja, kompjuteri, interneti, tekstet digjitale, sisteme interaktive, tabletat etj. Sot, në shkollat tona ka shkuar interneti dhe janë ngritur kabinetet e informatikës, pavarësisht mangësive që vihen re. Ndërkohë, edhe vetë nxënësit, duke shfrytëzuar TIK-un, gjejnë dhe sjellin në orët e mësimit materiale autentike që i nxjerrin nga masmedia etj. Nxënës të veçantë arrijnë të realizojnë dhe punë me projekte përmes sigurimit të informacionit nga interneti. Të gjitha këto hapësira duhen ditur e duhen  shfrytëzuar me përparësi nga mësuesi i klasave kolektive.

Një sugjerim tjetër do të ishte krijimi i një baze funksionale dhe të dukshme të të dhënave me titujt e softuerit të testuar dhe të sugjeruar të edukimit. Një ide tjetër e mundshme për t’u realizuar është mësimi në distancë dhe trajnimi duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme të TIK-ut dhe duke i futur ato në rutinën mësimore. 

Mësimdhënia josinkronike është gjithashtu e realizueshme nëpërmjet portaleve edukative të dizajnuara posaçërisht në internet. TIK-u mund të jetë një mjet i fuqishëm për mësimdhënien multimediale.

Të gjitha këto, të kombinuara sipas nevojave të mësuesve, nxënësve dhe shkollave, mund të zhvillojnë një lidhje harmonike të mësimdhënies bashkëkohore në shkollë me mësimdhënien tradicionale.

Mësimi digjital: (i) i lehtëson ndjeshëm punën mësuesit të klasës kolektive; (ii) i kursen kohën mësuesit për përgatitjen për mësim, për transmetimin e dijeve te nxënësit dhe për kontrollin e punëve të pavarura; (iii) e bën mësuesin të pazëvendësueshëm, sepse mësuesi mbetet ai që do të mund (iv) “t’i mësojë nxënësit të bëjnë përzgjedhjen e rezultateve të nxjerra nga kërkimet në internet dhe të krahasojnë informacionet që vijnë nga burime të ndryshme”.

TIK-u mund të jetë metoda më e mirë për përgatitjen dhe aftësimin e mësuesve se si të përgatisin, përsosin e pasurojnë materialet e tyre mësimore interaktive. Pa ndonjë trajnim të madh ose përgatitje të mëparshme, një mësues i aftë ndërmerr, me iniciativën e tij dhe me improvizim, krijimin e materialit të tij mësimor fillestar. 

Mësuesit mund të vënë në punë nxënësit e tyre për të prodhuar materiale mësimore, si një projekt i organizuar mirë (në grup ose personal) sipas udhëzimeve paraprake. 

Krijimi i një forumi për klasat kolektive do të mundësojë ngritjen e një rrjeti virtual, përmes të cilit mësuesit e këtyre klasave do të konsultohen me njëri-tjetrin, do të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat që nxitin mendimin krijues, do të bashkërendojnë burimet informatike etj.



Po ju vetë a mendoni se duhet të ketë klasa kolektive, dhe pse?


Me gjithë dëshirat ideale, klasat kolektive kanë qenë realitet dhe karakteristikë e qindra e mijëra shkollave gjatë gjithë shekullit XX dhe vazhdojnë të mbeten të tilla edhe sot. Rreth 30 për qind e fëmijëve të shkollave fillore në botë studiojnë në klasa kolektive. Aktualisht, mbajtja e klasave kolektive nuk vjen për shkak të mungesës së mësuesve në sistem, as nga pamundësia për të rekrutuar mësues të rinj, por mbetet një strategji për të ofruar shërbimin arsimor në zonat rurale, kudo ku janë.

Kohët e fundit janë rritur diskutimet e debatet dhe janë shprehur opinione të ndryshme për ekzistencën e klasave kolektive dhe problematikat që lidhen me këto klasa, njësoj sikur shkollat me klasa kolektive në vendin tonë të ishin një dukuri e re. Reagimet vijnë, së pari, nga banorët e zonave ku funksionojnë klasat kolektive. Duket se shkaku kryesor i reagimeve në rritje është rënia e dukshme e cilësisë së punës në klasat kolektive. Prindërit, me të drejtë, shprehin pakënaqësi nga përparimi jo i kënaqshëm i fëmijëve të tyre në shkollë.

Vitet e fundit janë ndërmarrë hapa për reduktimin e klasave kolektive, por, për sa kohë që popullsia mbahet në vendbanimin e saj në zonat rurale, klasat kolektive do të mbeten. Arsyet pedagogjike kërkojnë që nxënësit të shmangin telashet e humbjes së kohës së vlefshme për rrugëtime të gjata të përditshme për në shkollat qendrore. Në thelb, klasat kolektive mund të pushojnë së ekzistuari, nëse ndodh që fshatrat e zonave të thella të shpopullohen.  



Me çfarë sfidash përballen klasat kolektive në kushtet e pandemisë?


COVID-19 vazhdon të përballë sistemin tonë arsimor me sfida të paparashikuara ndonjëherë. Mbyllja e menjëhershme e institucioneve arsimore dhe kalimi, po i menjëhershëm, në mësimin nga shtëpia diktuan nevojën e një përkushtimi institucional e individual.

Edhe pse në kushtet e shtëpisë, 23118 nxënës të klasave kolektive I-IX vijuan të ndjekin mësimet si pjesa tjetër e nxënësve të arsimit bazë. Gjithçka që u bë, krijoi një përvojë të re për 2618 mësuesit, pavarësisht vështirësive për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme. Në fakt, kalimi në mësimin online, duhet të shoqërohej me një riorganizim të ofrimit të mësimit për nxënësit e klasave kolektive. Një mësuesi të vetëm ia la të zhvillojë mësim me të gjitha grup-klasat. Kështu, atij iu dy deri 5-fishua puna e ngarkesa, sepse mësimi online e humbi konceptin “klasë kolektive”. Një formë e mirë do të ishte rindarja e klasave mes mësuesve të klasave kolektive: secili prej tyre të zhvillonte mësim vetëm me një klasë dhe, nëse do të ishte e nevojshme, të shtohej numri i mësuesve për këto klasa.

Tani që mësimi zhvillohet në shkollë, situata paraqitet më optimiste, por nisur nga fakti që pandemia vazhdon, klasat kolektive mbeten përballë sfidave të organizimit të mësimit në çdo rrethanë që mund të vijë. 




Intervistoi: Marina Kërçeli 


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,879 Lexime
3 vjet më parë