Komunikimi pozitiv gjatë procesit të krijimit me fëmijët: Udhëzues praktik për mësuesit dhe prindërit

Ky udhëzues i Msc. Klevi Pove thekson rëndësinë e komunikimit pozitiv në procesin krijues me fëmijët. Arti nuk është perfeksion, por udhëtim ku fëmijët mësojnë, gabojnë e shprehen lirshëm. Me butësi dhe vlerësim të procesit, ne ushqejmë vetëbesimin dhe dashurinë për krijimtarinë.

“Kur shihni punën e fëmijës suaj kujtoni se jo çdo punim është 'kryevepër' dhe nuk ka pse të jetë.” — Klevi Pove


Të pikturuarit nuk është thjesht rezultat, por proces, një hapësirë ku ata eksperimentojnë, provojnë, mësojnë nga gabimet dhe rriten. Detyra jonë si mësues dhe prindër është t’i udhëheqim me butësi dhe t’u japim kurajo, jo t’i gjykojmë apo t’u imponojmë perfeksion, sepse arti duhet të jetë një formë terapie dhe jo burim presioni.


Arti është një gjuhë që fëmijët e flasin natyrshëm.


Nëpërmjet ngjyrave dhe formave, ata tregojnë ndjenja, kujtime, dëshira dhe shpesh më qartë se me fjalë. Por mënyra si ne reagojmë ndaj kësaj krijimtarie ndikon thellësisht në mënyrën si ata e përjetojnë artin, gjë e cila ndikon thellësisht edhe në krijimin vetëbesimit dhe guximit për të shprehur veten. Ky udhëzues është një ftesë për të folur më butë, dëgjuar më shumë dhe vlerësuar procesin po aq sa rezultatin.


Arti si proces, jo si produkt


Piktura për fëmijët nuk është vetëm një rezultat që duhet të dalë bukur. Ajo është një udhëtim ku fëmija eksploron, gabon, rikthehet, mëson dhe gjen mënyra të reja për të parë botën. Në këtë proces, çdo ngjyrë, njollë apo vijë është një eksperiment që formon vetëdijen e tij krijuese. Roli ynë si të rritur është të udhëheqim me butësi dhe të ofrojmë kurajë dhe hapësirë. Arti është më i vlefshëm kur fëmija ndjehet i lirë ta bëjë të vetin. 


Si të komunikojmë me fëmijët në klasë ose në shtëpi


Fjalët kanë peshë të madhe në ndërtimin e vetëbesimit. Në vend që të gjykojmë, le të nxisim kërshërinë. Në vend që të tregojmë “si bëhet drejt”, le të pyesim si e sheh fëmija. Shmangni fjalë si “jo”, “gabim”, “keq”, “shëmtuar”. Në vend të tyre, përdorni gjuhë që frymëzon dhe hap dialogun. Mos i ndaloni idetë; ndihmoni fëmijën t’i zgjerojë ato. Bëni pyetje në vend të kritikave. Sugjeroni, mos ndaloni. Vlerësoni procesin, jo vetëm rezultatin. Shmangni krahasimet, sepse çdo fëmijë ka ritmin dhe stilin e vet.



Shembuj konkretë të komunikimit pozitiv në art me fëmijët:


Situata Si mund të flisni
Ngjyra nuk përputhet me modelin “Sa e guximshme kjo ngjyrë! Më trego pse e zgjodhe? Si mendon, çfarë do ndodhte po ta provojmë edhe këtë tjetrën?”
Ka dalë jashtë vijave “Më pëlqen që nuk e ke frikë vijën. Do të provojmë bashkë si duket nëse ngjyrosim edhe brenda saj?”
Figura është ndryshe nga udhëzimi “E ke parë ndryshe figurën, shumë bukur edhe kjo mënyrë! Më trego si e mendove kështu.”
Punë e papërfunduar “Kjo pjesë duket sikur po fillon të tregojë një histori. Do ta vazhdojmë nesër bashkë?”
Ka bërë një njollë me bojë “Uau, kjo njollë i jep shumë karakter pikturës! Si mendon, mund ta shndërrojmë në diçka tjetër?”
Ka bërë diçka krejt ndryshe nga të tjerët “Më pëlqen që ke ndjekur iden tënde. Kjo tregon që ke imagjinatë të fortë!”
Nuk i pëlqen puna e tij “E kuptoj që s’je plotësisht i kënaqur. Cilën pjesë do të doje të ndryshoje? Le ta provojmë bashkë.”
Punon shumë shpejt “E përfundove menjëherë! Ndonjëherë ideja e parë është më e bukura. Po sikur të shtojmë edhe diçka tjetër, që ta bëjmë edhe më të bukur?”
Nuk dëshiron të fillojë sepse ka frikë se “nuk di” “Këtu nuk ka saktë ose gabim. Le ta provojmë si lojë. Ndonjëherë ngjyrat e zgjedhin vetë se çfarë duan të bëjnë.”
Ngatërron ngjyrat / bën “rrëmujë” “Shiko çfarë përzierjeje ke krijuar! Është si një univers me shumë planetë. Cila ngjyrë të pëlqen më shumë?” Po sikur të provojmë edhe një mënyrë tjetër? Këtë here vetëm me ngjyrat bazë.
Ka bërë një figurë shumë të vogël “Sa delikate është! A do të doje ta vizatonim edhe më të madhe për ta parë si ndryshon?”
Ka vizatuar shumë errët ose me ngjyra të zymta “Këto ngjyra duken shumë të forta, ndoshta tregojnë diçka që ndjeje. Do më thuash çfarë ndjeje kur i zgjodhe?”
Ka bërë një figurë që duket “e çuditshme” “Fantazi e bukur! Kjo është diçka që s’e kam parë më parë. Çfarë mendon se po bën ky personazh?”
Ka hequr diçka që nuk i pëlqente “Sa bukur që ke vendosur ta ndryshosh! Kjo do të thotë se po e sheh me syrin e një artisti që kërkon më mirë.”
E ka mbuluar vizatimin sepse s’i pëlqeu “Ndonjëherë edhe artistët e mëdhenj e fillojnë nga e para. Çfarë do të doje të ruash nga kjo pjesë?”
Përdor shumë pak ngjyra / frikë nga hapësira “Këto ngjyra janë shumë të buta. Do të provojmë të shtojmë pak dritë apo diçka që të bëjë kontrast?”
Nuk do të ndajë materialet me të tjerët “E kuptoj që i do shumë këto ngjyra. Të shohim si mund t’i ndajmë në mënyrë që të gjithë të bëjmë diçka të bukur.”
Është i frustruar sepse nuk i del siç do “E di që ndonjëherë është e vështirë, por kjo është pjesë e artit. Edhe piktorët më të mirë e ndjejnë kështu!”
E humbet përqendrimin / largohet nga puna “Duket sikur ke nevojë për pak pushim. Le të shohim pikturat e tua me sytë e një eksploruesi, çfarë të tërheq më shumë?”
Ka bërë një pikturë shumë të ngjeshur me detaje “Çfarë historie e pasur ke krijuar këtu! Do të më tregosh çdo pjesë? A ka ndonjë element që do ta theksojmë më shumë?”
Kërkon vazhdimisht ndihmë “E shoh që dëshiron të jetë sa më mirë. Le të mendojmë bashkë një mënyrë që ta gjesh vetë zgjidhjen – si do e bëje po të mos isha unë?”
Nuk dëshiron të tregojë pikturën e tij “Ndonjëherë puna e artit është shumë personale. Do ta mbajmë për vete për tani, dhe e tregojmë kur të ndihesh gati.”
Ndikohet shumë nga çfarë bëjnë të tjerët “Është bukur të shohim si punojnë shokët, por më pëlqen edhe ideja jote. Çfarë do të ndodhte nëse e kombinon me tënden?”
Ka bërë shumë gabime në prerje ose ngjitje “Shiko si ka dalë me teksturë! Gabimet ndonjëherë e bëjnë punën më interesante. A do të luajmë pak me formën që ka dalë?”


Këto shembuj janë fjalë që ndërtojnë, jo fjalë që ndalin. Ata zhvendosin vëmendjen nga e “drejta” tek e “gjalla”, nga “perfeksioni” tek procesi i kërkimit dhe shprehjes. Një fjali mund të ndryshojë krejtësisht mënyrën si fëmija e sheh veten në raport me artin dhe botën.



Për ta zbatuar në praktikë


Në klasë ose atelje:

Mos i krahasoni fëmijët midis tyre. Secili ka një botë më vete.

  • Vlerësoni me fjalë që tregojnë vëzhgim dhe ndjeshmëri, jo thjesht lavdërim: “Më pëlqen si ke luajtur me dritën”, “Kjo pjesë më kujtoi ndjenjën e verës”, “Më pëlqen që ke guxuar me ngjyra.”
  • Nxisni fëmijët të flasin për punën e tyre me pyetje të hapura si: “Çfarë donit të tregoni?”, “Si e zgjodhët këtë ngjyrë?”, “Çfarë pjese ju dha më shumë gëzim?”.

Në këtë mënyrë, arti mbetet lojë e lirë, eksplorim i gëzueshëm dhe formë terapie, jo burim presioni apo krahasimi me të tjerët.


Në shtëpi:

Kur fëmija juaj ju tregon një vizatim, mos kërkoni menjëherë “perfeksion”.

Jo çdo punë duhet të jetë “e bukur” sipas syrit tonë të rritur.

Arti i fëmijëve është eksperiment, dështim, përpjekje dhe mësim – të gjitha në një.

Mos e lavdëroni vetëm për rezultatin, por për kurajën për të provuar, ngjyrat që zgjodhi, fantazinë që tregoi.

Mos i prisni vizatimet “të mira” për t’i vendosur në mur. Vendosni edhe ato që fëmija i quan “të dështuarat”, për t’i kujtuar se çdo përpjekje ka vlerë.

  • Ruani punimet në një dosje arti, që fëmija ta shohë progresin e vet me kalimin e kohës.
  • Në vend që të pyesni “Çfarë është kjo?”, provoni “Më trego për këtë pjesë” – kjo pyetje e bën fëmijën të flasë, jo të justifikohet.
  • Kur fëmija ka pasiguri, kujtojini: “Në art s’ka ‘saktë’ apo ‘gabim’. Ka vetëm mënyra të ndryshme për ta parë botën.”
  • Jepini liri për rrëmujë, për përzierje ngjyrash, për dështime – sepse aty lind krijimtaria e vërtetë.


Në art nuk ka “gabime”, ka vetëm zbulime të reja


Kur fëmijët ndihen të lirë të eksperimentojnë, ata zhvillojnë:

  • vetëbesim,
  • mendim të pavarur,
  • ndjeshmëri vizuale,
  • dhe dashuri për të bukurën.


Në fund, më shumë se çdo pikturë e përsosur, ajo që duhet mbetet, është ndjenja e gëzimit për të krijuar.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

875 Lexime
9 orë më parë