“Kur forca humbet kuptimin”

Një ngjarje në Vlorë kthehet në reflektim të thellë për agresivitetin te të rinjtë. Fiqiri Çifliku shtjellon lidhjen mes mungesës së dialogut, modeleve të dhunshme dhe zbrazëtisë emocionale. Një thirrje për veprim nga familja, shkolla, media dhe shteti.

Nga Fiqiri Çifliku


Në një mëngjes të zakonshëm, ndërsa rrugët zhurmojnë nga makinat dhe njerëzit rendin drejt punëve të tyre, një ngjarje e pazakontë i shkundi kalimtarët. Një i ri, në timonin e një makine luksoze, me zemërim të papërmbajtur shtyu makinën e një tjetër të riu drejt trotuarit. Jo thjesht një moment inati, por një sinjal i zhurmshëm i një plage më të thellë, shfaqjes së agresivitetit tek të rinjtë tanë.


Në këtë realitet gjithnjë e më të trazuar, të rinjtë rriten në një atmosferë që i mëson se pushteti dhe ndikimi fitohet përmes forcës. Ndjenja e nevojës për të dominuar shoqërohet nga modele të papërgjegjshme që qarkullojnë në rrjetet sociale. Influencues që ngrejnë zërin më shumë se argumentin, që përçmojnë më shumë sesa frymëzojnë, që e vendosin dhunën në qendër të vëmendjes. Në të njëjtën kohë, shumë prej tyre rriten në familje ku mungesa e lidhjes emocionale dhe dialogut i lë të vetmuar përballë turbullirave të brendshme. Shkolla shpesh s’ka më zërin moral dhe fuqinë që kishte dikur, ndërsa mësuesit, janë përballë një shoqërie të lodhur, mbeten më shumë mbikëqyrës provimesh sesa frymëzues vlerash.


Në këtë panoramë të zymtë, pabarazitë sociale dhe ndjenja e padrejtësisë e shtyjnë agresivitetin të mos jetë vetëm një reagim emocional, por një akt proteste, një përpjekje për t’u dëgjuar me çdo kusht. Dhe kur askush nuk të mëson si t’i përpunosh ndjenjat që të vërshojnë përbrenda, zhgënjimin, turpin, frikën apo përbuzjen, shpesh ato dalin në pah si shpërthim dhune, me vetëdije ose jo.


Por në fund të ditës, nuk është thjesht një makinë që u shty drejt trotuarit. Është një reflektim i një klithme të papërpunuar. Është një tregues se kemi dështuar të krijojmë ura që e lidhin fuqinë me përgjegjësinë, lirinë me vetëkontrollin, zërin me arsyen. E në këtë situatë janë aktorët kryesorë që duhet të luajnë rolet e tyre.


Familja ka rolin themelor në ndërtimin emocional të të rinjve. Prindërit mund të promovojnë një klimë të hapur komunikimi, ku emocionet nuk gjykohen por dëgjohen me durim. Koha cilësore me fëmijët, praktika të rregullta dialogu emocional dhe përfshirja në vendimmarrje të përbashkët forcojnë ndjesinë e sigurisë dhe vetëkontrollit.


Shoqëria dhe shkolla mund të ofrojë alternativa të shëndetshme për shprehjen e energjisë rinore, përmes klubeve komunitare, aktiviteteve artistike, sportive dhe edukimit joformal. Shkolla nuk duhet të kufizohet vetëm në mësim akademik, por të integrojë qëllimisht edukimin emocional dhe social. Një shkollë që nxit reflektimin dhe mirëkuptimin është edhe një shkollë që parandalon agresionin.


Media, artistët dhe liderët moralë duhet të bëhen pjesë e këtij ndryshimi, duke promovuar mesazhe që i japin fuqi empatisë, respektit dhe bashkëpunimit, në vend të dhunës si formë pushteti. E si ndërlidhës i këtyre faktorëve është shteti që duhet të udhëheqë këtë transformim përmes politikave gjithëpërfshirëse për rininë. Zhvillimi i strategjive kombëtare për edukimin emocional në sistemin arsimor, rritja e mbështetjes për shërbime sociale dhe psikologjike në komunitet, si dhe mbikëqyrja e përmbajtjeve të rrezikshme në rrjetet sociale janë masa që mund të kenë ndikim afatgjatë. Rinia ka nevojë për institucione që e dëgjojnë dhe i hapin rrugë zhvillimit pa frikë, jo për ligje që thjesht ndëshkojnë pasojat




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

255 Lexime
22 orë më parë