Reflektim

Kur kujdestaria humbet balancën: Një thirrje për reflektim dhe kujdes të shtuar në shkollë

Në këtë reflektim, Marieta Mërkuri sjell në vëmendje rëndësinë e rolit të mësuesit kujdestar dhe rreziqet që lindin kur ai keqkuptohet. Ajo fton për kujdes, etikë dhe mbështetje më të madhe për fëmijët, në një klimë shkollore të shëndetshme dhe të drejtë.

Nga Marieta Mërkuri


Në sistemin arsimor, roli i mësuesit kujdestar është një nga më delikatët dhe më të rëndësishmit. Ai nuk kufizohet vetëm në ndjekjen e notave apo evidencave të sjelljes, por përfshin edhe ndikimin emocional, formimin moral dhe zhvillimin e karakterit të fëmijëve në fazat më të ndjeshme të jetës së tyre. Kur ky rol kryhet me përkushtim, frymë dhe etikë, ai bëhet themeli i një klime të shëndetshme në klasë. Por kur keqpërdoret, pasoja është dramatike. Deformimi  i karakterit, pasiguria emocionale dhe një plagë e padukshme në shpirtin e fëmijës. 


Keqpërdorimi i autoritetit, nga kujdestari në kontrollues emocional


Janë shtuar rastet kur kujdestaria shndërrohet nga një përgjegjësi fisnike në një mjet për dominim, nënshtrim apo protagonizëm personal. Shembuj të dhimbshëm tregojnë se disa mësues:

  • Etiketojnë apo izolojnë nxënës të caktuar duke i bërë subjekt përjashtimi në klasë;
  • Favorizojnë fëmijë në mënyrë selektive për qëllime afektive apo për ruajtjen e kontrollit mbi dinamikën e klasës;
  • Nxisin insinuata dhe përhapin perceptime keqdashëse ndaj kolegëve, duke shkatërruar bashkëpunimin dhe duke polarizuar klimën shkollore.


Pasojat e rënda tek fëmijët jane trauma të heshtura që zgjatin një jetë.Në vend që të krijohet një ambient që ndihmon zhvillimin psiko-emocional të fëmijës, krijohet një terren ku:

  • Fëmija humbet besimin tek të rriturit;
  • Dëmtohet vetëvlerësimi dhe zhvillimi i shëndetshëm emocional;
  • Shkatërrohet aftësia për të krijuar marrëdhënie të barabarta me bashkëmoshatarët;
  • Formohet një karakter i pasigurt, i varur dhe i deformuar moralisht.


Këto janë trauma të heshtura, të cilat jo vetëm që nuk zbulohen lehtësisht, por lihen në harresë derisa pasoja të bëhet e pandreqshme.


Kur kujdestaria bëhet armë për përçarje në kolektivin mësimor


Kur një mësues kujdestar merr rolin e përçarësit brenda kolektivit, pasojat janë të shumëfishta:

• Dëmtohet etika profesionale;

• Rritet mosbesimi mes stafit dhe lindin konflikte të brendshme;

• Shkolla humbet qëllimin e saj edukues dhe transformohet në një mjedis konfliktual, ku edhe fëmijët përfshihen në tensione që nuk i përkasin moshës së tyre.


Çfarë thonë normat ligjore?


Udhëzimi Nr. 40, datë 28.08.2018 i Ministrisë së Arsimit përcakton qartë se çdo mësues është i detyruar:

Të sigurojë mbrojtjen e dinjitetit të fëmijës;

Të mos shfaqë sjellje diskriminuese, përjashtuese apo abuzive;

Të respektojë kolegët dhe të ruajë etikën në marrëdhënie.

Shkelja e këtyre rregullave përbën jo vetëm dështim moral, por dhe shkelje ligjore, me pasoja që shkojnë deri në masa disiplinore apo shkarkim nga detyra, siç përcakton Ligji Nr. 69/2012 për Arsimin Parauniversitar.


Apeli im si qytetare,gazetare dhe nënë:

Nuk mund të hesht më përballë shndërrimit të rolit të kujdestarit në një instrument presioni emocional dhe përçarjeje brenda komunitetit shkollor. Kujdestaria nuk është pushtet mbi shpirtin e fëmijëve tanë. Ajo është një përkushtim i thellë për ta mbështetur, formuar dhe mbrojtur fëmijën në udhëtimin e tij drejt pavarësisë dhe përgjegjësisë.


Apeloj publikisht ndaj institucioneve arsimore:


  • Të verifikojnë me seriozitet çdo ankesë që lidhet me abuzimin e rolit të mësuesit kujdestar;
  • Të ngrenë mekanizma ankese të besueshëm për nxënësit dhe prindërit;
  • Të investojnë në formimin etik dhe emocional të mësuesve, përtej përgatitjes së tyre akademike;
  • Të mbrojnë fëmijët nga çdo formë autoritarizmi të heshtur që vret karakterin e tyre.


Fëmijët nuk janë terren manipulimi për asnjë mësues. Ata janë pasuria jonë më e madhe dhe meritojnë të rriten të lirë, të mbështetur dhe të vlerësuar.


Kur kujdestaria përdoret për të dominuar kolegët: përçarja si strategji influence


Në disa raste, mësuesi kujdestar jo vetëm abuzon me pozicionin ndaj nxënësve, por e shtrin ndikimin e tij edhe ndaj stafit pedagogjik. Duke përdorur marrëdhënien e afërt me nxënësit apo me prindërit, ai/ajo mund të nxisë hapur mosbesim ndaj kolegëve, të minimizojë autoritetin profesional të tyre apo të krijojë një atmosferë tensioni të heshtur. Kur mësuesi kujdestar bëhet “qendra e gravitacionit” të një klase duke vepruar në mënyrë të njëanshme, ai e saboton etikën bashkëpunuese dhe ndikon negativisht në klimën e gjithë shkollës. Ky është një abuzim më i vështirë për t’u provuar, por i dukshëm për këdo që ndjek zhvillimet me vëmendje.


Nuk po denoncoj një rast të vetëm, por po ngre zërin për një fenomen që, ndonëse i heshtur, mund të jetë i pranishëm në shumë institucione arsimore: kur roli i mësuesit kujdestar shndërrohet nga mbështetje në abuzim të maskuar. Në mënyrë të veçantë, dua të sjell në vëmendje një profil që shpesh mbrohet nga heshtja ose nostalgjia: mësuesit në pension, që mbajnë ende rol aktiv në shkolla si kujdestarë.


Kur eksperienca e gjatë nuk shndërrohet në urtësi e butësi, por në dominim, përzgjedhje emocionale, manipulim të marrëdhënieve mes nxënësve dhe nxitje përçarjeje ndër kolegë, atëherë kemi përballë një rrezik serioz për mirëqenien psikologjike dhe sociale të fëmijëve.


Rasti i një mësueseje kujdestare në pension, që sipas dëshmive të vertetuara ,përdor pozitën për të favorizuar disi, për të përjashtuar të tjerë, për të ushtruar kontroll emocional dhe për të ndikuar qëllimisht në mënyrën si fëmijët e perceptojnë veten dhe të tjerët, është një sinjal alarmi. Nuk kërkohet të shkelim mbi figurën e mësuesit me përvojë, por të kuptojmë se asnjë përvojë nuk duhet të përkthehet në imunitet nga përgjegjësia.


Në këtë artikull ngre një thirrje të hapur dhe të ndërgjegjshme për institucionet arsimore:

  1. Të rishikojnë me kujdes përfshirjen e mësuesve në pension në role delikate si kujdestaria;
  2. Të garantojnë trajnime të vazhdueshme për etikën dhe mbrojtjen psikologjike të fëmijëve.
  3. Të forcojnë mekanizmat e vlerësimit të sjelljes profesionale dhe ankimeve të prindërve e nxënësve.


Kujdestaria është përkushtim, jo pushtet. Fëmijët nuk janë as zgjatime emocionale, as mjet për protagonizëm personal. Ata janë përgjegjësia jo në më e madhe dhe s’mund të heshtim kur ajo rrezikohet.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

414 Lexime
1 ditë më parë