Reflektim

Kur mizoria kërkon audiencë: Reflektim mbi shoqërinë që hesht

Kur dhuna kthehet në spektakël dhe vuajtja e tjetrit në argëtim, alarmi duhet të bjerë edhe për shkollën, familjen dhe shoqërinë. Në shkrimin e tij, Fahrudin Dungaj fton mësuesit, prindërit dhe edukatorët të reflektojnë mbi empatinë, karakterin dhe përgjegjësinë që formon brezat.

Nga Fahrudin Dungaj



Tanimë, është bërë tejet e lehtë të dënojmë një akt të rëndë vetëm në çastin kur ai shfaqet para syve tanë, sikur problemi të lindë në momentin kur ndiejmë dridhjet e smartfonëve nga njoftimet e shumta të medieve, dhe jo shumë më herët në ato hapësira “të fjetura’ ku karakteri skalitet, empatia ose mungesa e saj merr trajtë dhe njeriu vendos nëse ai ndesh është një qënie me dhimbje, apo thjeshtë një objekt mbi të cilin mund të sundojë epërsinë e tij të përkohshme. Ndërkohë që për dikë tjetër, ai akt, kishte nisur shumë kohë më parë, larg kamerave, në një “flluskë”.


Kjo sepse, një shoqëri nuk duhet të masë vetëm pasojën e një veprimi, por edhe kushtet që e bënë të mundur atë; nuk duhet të pyesë veten kush e kreu, por edhe çfarë boshllëku njerëzor e lejoi që një çast poshtërimi të dukej si argëtim, një vuajtje si skenë dhe një cënim i dinjitetit si një histori që meriton të tregohej.


Në këtë epokë ku çdo gjë kërkon dëshmitarë, edhe gabimi nuk mjafton më të ekzistojë; ai kërkon dëshmi, shikueshmëri, përhapje, dhe një lloj legjitimiteti nga sytë e huaj. Sikur një veprim i gabuar të bëhej pakëz më i rëndë nëse i bashkangjiten duartrokitjet, sikur turmat të kishin fuqinë absurde për ta transformuar fajin në reality show e turpin në kujtim të përbashkët.


Por problemi nuk qëndron vetëm tek ai që e ngre dorën, sepse dora është vetëm fundi i një rrugëtimi stërmundues më të gjatë; para saj qënron mendimi që e justifikon, fjala që e ushqen, indiferenca që e lejon dhe bindja e rremë se dobësia e tjetrit është një mundësi për të provuar forcën personale.


Ekziston edhe një dimension tjetër i përgjegjësisë, më i heshtur: ajo e atij që zgjedh të mbajë kamerën, i cili jo medoemos ushtron dhunën, por beson se vetë regjistrimi mjafton për të zëvëndësuar detyrimin moral për të ndërhyrë. Përse dikush e konsideroi më të vlefshme të ruante pamjen sesa dinjitetin që shkërrmoqej para syve të tij? Ndoshta indiferenca arrin formën e saj më të sofistikuar atëherë kur ndërgjegja ia lë vëndin lentes. Kamera ruan imazhin, por humbet njeriun.


Njeriu i pasigurtë shpesh nuk kërkon të ndërtojë vlerën e tij, por, kërkon të ulë vlerën e dikujt tjetër që thjeshtë të arrijë majën edhe më lart. Është po kjo ekonomi e skamur morale që llogarit fitimin e njërit nga humbja e tjetrit, e ku madhështia s’arritet me trupat e shqyer nga përpjekjet, por me refuzimin e atij që nuk ka fuqi të përgjigjet.


Dhe këtu lind pyetja më e vështirë: “A është problemi, gjithmonë, vetëm tek ata që kryejnë padrejtësinë, apo edhe te një kulturë që shpesh prodhon njerëz të gatshëm për ta kthyer vuajtjen e tjetrit në një moment kolektiv kurioziteti?”


Mund të ndërtojmë ligje, rezoluta, mekanizma mbrojtës e institucione, por asnjë shoqëri nuk shpëtohet vetëm nga rregullat e shkruara, sepse ligji ndëshkon veprimin pasi ndodh, ndërsa karakteri e ndalon atë përpara se të peshojë tejet rëndë, si gur që s’gjen tokë ku të bjerë.


Në fund, pyetja nuk është vetëm se çfarë ndodhi me atë që u lëndua; pyetja është se çfarë ndodhi me ata që menduan se lëndimi i tjetrit është zanafilla e afirmimit të tyre.


Zanafilla?


Këto janë arsyet përse çdo akt mizorie duhet të na frikësojë jo vetëm për atë çka i ndodh viktimës, por edhe për atë që zbulon për ne. Pasqyrat s’tregojnë fytyrën e vërtetë të një individi, por fytyrën e një shoqërie të tërë.


Një shoqëri nuk rrëzohet kur lind një mizor; ajo rrëzohet kur mizori bindet se do të ketë audiencë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

74 Lexime
1 orë më parë