Loja! Gjuha më e bukur e të mësuarit!
Loja është gjuha natyrore e të mësuarit. Përmes saj, fëmijët eksplorojnë, bashkëpunojnë, gabojnë pa frikë dhe ndërtojnë vetëbesim. Ajo forcon mirëqenien emocionale, nxit kreativitetin dhe e bën dijen më të thellë e të qëndrueshme. Një fëmijë që mëson me gëzim, rritet me besim. Shkroi: Geranda Malasi.
Punoi artikullin,
Geranda MALASI
Në çdo klasë ku dëgjohet e qeshura e fëmijëve, aty po ndodh mësim i vërtetë. Loja nuk është pushim nga mësimi; ajo është vetë mënyra natyrore përmes së cilës fëmija kupton botën. Kur fëmijët luajnë, ata eksperimentojnë, gabojnë pa frikë, bashkëpunojnë dhe krijojnë. Dhe mbi të gjitha, ndihen mirë.
Mirëqenia emocionale e fëmijës është themeli i çdo procesi të suksesshëm mësimor. Një fëmijë që ndihet i sigurt, i pranuar dhe i lumtur në klasë, është më i hapur ndaj dijes. Loja krijon pikërisht këtë klimë: ul ankthin, rrit vetëbesimin dhe forcon marrëdhëniet mes bashkëmoshatarëve. Përmes roleve, sfidave dhe situatave imagjinare, fëmija mëson të shprehë emocionet, të zgjidhë konflikte dhe të kuptojë tjetrin.
Nëpërmjet lojës, kreativiteti merr frymë lirshëm. Një kuti e thjeshtë mund të bëhet anije kozmike; një problem matematikor mund të shndërrohet në sfidë ekipi; një tekst letrar mund të marrë jetë përmes interpretimit.
Loja e çliron mendimin nga frika e gabimit dhe e nxit fëmijën të mendojë ndryshe, të pyesë, të shpikë.
Si mësuese, ne kemi përgjegjësinë të mos e shohim lojën si humbje kohe, por si investim në zhvillimin e plotë të fëmijës. Kur ndërthurim dijen me lojën, ne nuk po e lehtësojmë mësimin ,po e bëjmë atë më të thellë dhe më të qëndrueshëm.
Sepse në fund, një fëmijë që mëson me gëzim, është një fëmijë që rritet me besim.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Librat që duhet t'i lexojë çdo nxënës i klasës së 9-të