
Marieta Merkuri: Ti nuk je shoku i fëmijës tënd, je prindi i tij!
Ky shkrim nga Marieta Merkuri thekson rëndësinë e rolit prindëror si udhëheqës, jo si shok. Kur prindërit heqin dorë nga autoriteti për të qenë të pëlqyer, dëmtojnë edukimin e fëmijës dhe rrënojnë bashkëpunimin me shkollën. Fëmijët kanë nevojë për drejtësi, jo përkëdhelje.
Nga Marieta Merkuri
Kur prindërit dorëzohen për të qenë të pëlqyer, humbasin mundësinë për të qenë drejtues. Në kohët e sotme, të jesh prind nuk është më thjesht përgjegjësi,është një sfidë delikate dhe e vazhdueshme me vetë kohën. Është një betejë e përditshme mes asaj që duhet bërë dhe asaj që fëmija pret. Një luftë midis rregullit dhe dëshirës për të kënaqur. Dhe nëse nuk jemi të kujdesshëm, kjo betejë nuk e humb vetëm fëmija, por edhe shoqëria që po rritet me të.
Në përpjekje për të qenë prindër “të dashur”, shumë kanë rrëshqitur në rolin e shokut. Kanë hequr dorë nga kufijtë, nga rregullat, nga drejtësia e qartë, për t’iu përshtatur çdo tekë të momentit, çdo kërkesë që përndryshe do kishte merituar një “jo”.
Kjo nuk është dashuri, është kapitullim.
Ky fenomen nuk ndalet brenda mureve të shtëpisë. Ai e ka tejkaluar prindërimin dhe po e godet fort edhe sistemin arsimor.
Mësuesit sot nuk përballen vetëm me nxënës që nuk dëgjojnë, por me prindër që e mbrojnë sjelljen e tyre të pahijshme, që i telefonojnë për të kërkuar pse fëmija ka marrë një notë “të ulët”, që i fajësojnë për gjithçka që nuk u pëlqen fëmijëve.
Ata janë përballë një “agresioni të heshtur”, ku autoriteti i tyre rrënohet jo nga nxënësi, por nga mungesa e bashkëpunimit me prindin.
Në këtë klimë, fëmijët mësojnë se mund të bëjnë ç’të duan dhe gjithmonë do kenë dikë që t’i mbrojë. Nuk mësojnë të përballen me pasojat, por të kërkojnë fajesinë tek tjetri. Mësuesi nuk është më aleati i prindit në edukim, por i rrethuar në një duel të padrejtë mes kërkesave të fëmijës dhe mungesës së autoritetit prindëror.
I nderuar Prind!
Ti nuk je shoku i fëmijës tënd dhe kjo është dhurata më e madhe që mund t’i japësh
Të jesh prind nuk do të thotë të jesh gjithmonë i pëlqyer.
Do të thotë të jesh i drejtë, të thuash “jo” kur duhet, të kërkosh përgjegjësi, të ngresh zërin në emër të parimeve, jo nga inati.
Dashuria prindërore nuk është një përkëdhelje e pafund është një udhëheqje me qëndrueshmëri.
Nëse fëmija nuk mëson sot çfarë është e drejtë dhe çfarë jo, kush do t’ia mësojë?
Nëse ti i merr anën edhe kur ka gabuar, si do ta kuptojë ai pasojën dhe maturinë?
Nëse e mbështet vetëm për të mos e mërzitur, kush do ta përgatitë për jetën e vërtetë, ku nuk të fal asgjë?
Dikur ishte më e thjeshtë por ndoshta edhe më e vërtetë
Brezi i dikurshëm rritej ndryshe. Prindërit nuk i pyesnin fëmijët për çdo vendim. Nuk i zbutnin rregullat, nuk i trajtonin si të rritur para kohe. Dhe megjithatë, ajo mënyrë rriti njerëz të ndjeshëm, të disiplinuar dhe me sens respekti për të rriturin.
Mësuesi ishte autoritet, jo sepse kishte frikë, por sepse kishte mbështetjen e prindit. Dhe bashkë, krijonin rrjetin e sigurisë mbi të cilin ndërtohej karakteri i fëmijës.
Koha jonë ka nevojë për prindër të pranishëm, jo për shokë të përkëdhelur
Fëmija ka plot shokë.
Por prind ka vetëm ty.
Dhe më shumë se një mik që i mbush dëshirat, ka nevojë për një figurë që i mëson përgjegjësinë, që vendos kufij dhe që përfaqëson drejtësinë.
Nëse sot je i qartë, i vendosur dhe i drejtë, nesër nuk do të duhet të përballesh me një fëmijë që nuk të respekton, por me një të rritur që të vlerëson.
Prindër!
Mos lejoni që mësuesit të luftojnë vetëm. Mos lejoni që për tekat e momentit të shkatërrojmë busullën që na ka mbajtur si shoqëri,respektin për të rriturin dhe forcën e bashkëpunimit prind–mësues. Autoriteti nuk është dhunë. Është dritëhije. Është udhëheqje. Dhe në këtë udhëtim, prindërit janë shtylla e parë.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Si të ndihmojmë nxënësit me nevoja të veçanta?
Arbana Pajenga Hallva: Komunikimi efektiv në klasë, ura që lidh mendjen me zemrën