Maturantë 2026: Nga hapat e parë drejt së ardhmes pa kufij

Në shkrimin e saj autorja Manushaqe Hoxha Laçi sjell me emocion rrugëtimin e maturantëve nga fëmijëria deri në pragun e një jete të re. Mesazhi i saj thekson vlerën e dijes, përkushtimit, ëndrrave dhe besimit në vetvete për të ardhmen.

Nga Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has


Një kapitull mbyllet, një botë e re hapet.

Të dashur maturantë, rrugëtimi juaj nisi herët, që në moshën e brishtë 3-vjeçare, kur hodhët hapat e parë në kopsht, mes lojërash, buzëqeshjesh dhe zbulimeve të para. Ishte një botë e vogël, por plot ngjyra, ku filloi të ndërtohej themeli i asaj që jeni sot.


Para 12 vitesh, me çanta më të mëdha se shpatullat tuaja, nisët klasën e parë. Ishte fillimi i një udhe të gjatë, ku shkronjat u kthyen në fjalë, fjalët në mendime, e mendimet në ëndrra. Mbyllët ciklin fillor dhe, me hapa më të sigurt, vazhduat arsimin e mesëm të ulët, duke u rritur jo vetëm në dije, por edhe në karakter.


Para tre vitesh, hapët një tjetër kapitull që është arsimi i mesëm i lartë. Në këto vite u përballët me sfida të reja, krijuat miqësi të reja, ruajtët disa të vjetra dhe njohët mësues të ndryshëm, secili duke lënë gjurmën e vet në formimin tuaj.


Sot, shumë prej jush kanë filluar të përcaktojnë drejtimin që do të ndjekin, profesionin që duan të përqafojnë, jetën që dëshirojnë të ndërtojnë. Jeni në ditët e fundit të një etape të rëndësishme dhe po mbyllni studimet në shkollën e mesme, një kapitull që do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë suaj.


Para jush qëndrojnë provimet e maturës, një tjetër provë që kërkon përkushtim, qetësi dhe besim në vetvete. Dhe më pas, do të vijë mbrëmja e maturës, e mbushur me emocione, buzëqeshje, lot dhe ndarje. Sepse, edhe pse sot jeni bashkë, nesër rrugët tuaja mund të marrin drejtime të ndryshme. Por bashkë me ndarjen, do të mbetet edhe shpresa për një të ardhme të bukur.


Është e vërtetë që jo të gjithë keni ecur me të njëjtin ritëm, jo të gjithë keni dhënë gjithmonë maksimumin në mësime. Por jeta është një mësuese e madhe. Ajo ju jep mundësinë të reflektoni, të korrigjoni veten, të rriteni dhe të bëni zgjedhje më të mençura. Pjekuria nuk matet vetëm me atë që keni bërë deri sot, por me atë që do të zgjidhni të bëni nesër.


E kuptojmë shqetësimin tuaj, sidomos të atyre që kanë studiuar në mënyrë sistematike, që shpresoni se mundi juaj do të shpërblehet dhe se do të arrini të ndiqni degën që dëshironi. Shumë prej jush do të vazhdojnë studimet e larta, ndërsa të tjerë mund të zgjedhin rrugë të ndryshme, por po aq të vlefshme. Çdo rrugë që ndërtohet me përkushtim dhe ndershmëri, çon drejt dinjitetit.


Për ju dhe për brezat që do të vijnë pas jush, këshilla e mësuesve tuaj është që të mos e nënvlerësoni fuqinë e dijes, pasi ajo është busulla që ju drejton drejt së ardhmes, një udhërrëfyes i sigurt në çdo hap, çelësi që hap rrugët e jetës, arma që ju mbron dhe pasuria që nuk ju merret kurrë. Investoni në veten tuaj, sepse ajo është zgjedhja më e sigurt që mund të bëni.


Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë mësimdhënësit, që ju udhëzuan, ju duruan, ju motivuan dhe besuan tek ju, edhe atëherë kur ndoshta ju vetë dyshonit. Kontributi i tyre është i pamatshëm dhe gjurma e tyre do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës.


Kurrë mos harroni që rrugëtimi i dijes nuk mbaron këtu. Ai është një udhëtim i pafund, që vazhdon përtej klasave, përtej librave, përtej çdo diplome. Vazhdoni të mësoni, të kërkoni, të punoni, të mos dorëzoheni, sepse vetëm kështu do të mbeteni gjithmonë në rritje.


Me besim të palëkundur, krenari dhe përzemërsi të thellë, në emër të të gjithë mësuesve tuaj, ju urojmë mbarësi, suksese dhe realizim në çdo hap të jetës suaj!




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

276 Lexime
6 orë më parë