QËNDRIMI NË SHTËPI

Me çfarë duhet mbushur koha e fëmijëve që mësojnë dhe qëndrojnë në shtëpi?

Neshat Hyka, mësues shkence dhe matematike sjell sugjerimet e tij mbi aktivitetet që mund të zhvilloni me fëmijët tuaj teksa ata do të mësojnë dhe do të qëndrojnë në shtëpi. Këshillat mund t’u shërbejnë edhe mësuesve për t’ia rekomanduar nxënësve.

Para se gjithash është koha më e mirë, është shansi më i mirë, për t’i edukuar fëmijët dhe veten me biologjinë e viruseve dhe baktereve duke theksuar më shumë masat profilaktike, parandaluese. Mund të mësohet edhe më shumë rreth biologjisë së viruseve dhe baktereve. Për shembull (Çfarë ka në brendësi koronavirusi AND apo ARN?), e të tjera e të tjera! 


Tashmë klasat virtuale janë krijuar, siç u tha edhe nga Ministria e Arsimit, nxënësit do të jenë të zënë në shtëpi për një pjesë të kohës me bërjen e detyrave të shtëpisë. 


Në këto kushte shumë prindër kanë nevojë për këshilla nga mësuesit se si ta mbushin kohën e fëmijëve në shtëpi.


Disa aktivitete që mund të rekomandohen për mësuesit dhe prindërit janë:


-Jepuni nxënësve detyra shtëpie. Të studiojnë pjesë të tekstit mësimor, të mbajnë shënime në fletoret e tyre dhe t’u përgjigjen pyetjeve në fund të çdo teme mësimore. T’u jepet adresa e mësuesit në rrjete sociale profesionale ku ata të  bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje.


-T’u jepet detyrë të lexojnë libra artistik që janë të aprovuara për moshën përkatëse dhe t’u përgjigjen një sërë pyetjesh të dhëna nga mësuesi.


-T’u rekomandohet të shohin video që janë të lidhura me temat e mësimit nga youtube dhe t’u përgjigjen disa pyetjeve të përgatitura nga mësuesi.(Shumë video në youtube janë në shqip si për matematikë kimi, biologji etj.).


-Të angazhohen me gatime të thjeshta në shtëpi si ëmbëlsira apo gjellë të tjera. T’u lihet në dorë fëmijëve të gatuajnë ndërsa prindërit t’i mbikëqyrin. 


-Për ata prindër që kanë një oborr në shtëpi mund të montohet një rreth teli në një shtyllë dhe t’u krijohet mundësia fëmijëve të luajnë  basketboll.


-Fëmijët që pëlqejnë artin mund të merren me vizatime, qëndisje, të luajnë me lodrat e tyre (moshat e vogla).


-Të angazhohen në punë shtëpie jo me qëllimin për të ndihmuar prindërit, por me qëllimin t’i mësojnë mënyrat e të bërit të punëve dhe të pyeten pse e bëjmë në këtë mënyrë.


-Mund të rekomandohet të shihet jo më shumë se një film për moshën e tyre.


Ju ftoj te bëni një listë më të gjatë se sa kjo që ju paraqita!


Neshat Hyka, mësues shkence dhe matematike në Ontario Kanada




(Portali Shkollor) 

4,166 Lexime
4 vjet më parë