Mësuesi – autoritet, durim dhe mision në një kohë sfidash
Një reflektim i ndjerë mbi rolin e mësuesit sot, mes autoritetit, durimit dhe sfidave të përditshme. Një thirrje për më shumë respekt, bashkëpunim mes shkollës dhe familjes dhe vlerësim të figurës që formëson brezat e së nesërmes.
Figura e mësuesit sot përballet me një realitet gjithnjë e më të ndërlikuar. Ai nuk është vetëm dhënës dijesh, por edukator, psikolog, këshilltar dhe shpesh edhe ndërmjetës konfliktesh. Në një shoqëri ku ritmi i jetës është i vrullshëm dhe ku fëmijët rriten mes ndikimeve të forta të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, roli i mësuesit bëhet edhe më i vështirë, por njëkohësisht edhe më i domosdoshëm.
Shkolla duhet të jetë një hapësirë sigurie dhe zhvillimi. Megjithatë, brenda mureve të saj shfaqen jo rrallë forma dhune mes nxënësve: bullizëm, përqeshje, përjashtim, provokime, madje edhe përplasje fizike. Këto sjellje janë pasqyrë e mungesës së kufijve dhe e modeleve të gabuara që fëmijët përthithin jashtë saj. Në këtë klimë tensioni, mësuesi gjendet në vijën e parë, duke u përpjekur të ruajë qetësinë, të vendosë rregull dhe të ndërtojë dialog.
Unë jam vetë mësuese dhe e kuptoj më së miri peshën e këtij pozicioni. Të jesh mësues do të thotë të formosh karaktere dhe të përballesh çdo ditë me sfida të papritura. Përpiqem të jem korrekte, e arsyeshme, e rregullt dhe e përpiktë. Mundohem të vendos rregulla të qarta dhe t’i zbatoj me drejtësi për të gjithë. Dua të jem shembull në sjellje dhe komunikim.
Por ka momente kur provokimet janë të vazhdueshme, kur autoriteti vihet në lojë përpara klasës dhe kur fjalët tejkalojnë kufijtë e respektit. Atëherë përballesh me një provë të fortë njerëzore. Jam profesioniste, por jam edhe njeri. Ndodh që durimi të më soset dhe të ndihem e lënduar nga mungesa e mirënjohjes apo nga keqinterpretimi i mirësisë si dobësi.
Unë dua të bëj më të mirën e mundshme. I trajtoj nxënësit si të ishin fëmijët e mi, me mirëkuptim dhe përkushtim. Por kur kjo qasje keqpërdoret, është vërtet për të ardhur keq. Të dhemb kur sheh se disa prej tyre zgjedhin sfidën në vend të respektit dhe rebelimin në vend të dialogut. Atëherë pyet veten se çfarë brezi po rritet dhe çfarë vlerash po mbillen.
Megjithatë, përgjegjësia nuk është vetëm e mësuesit. Edukimi fillon në familje. Prindërit janë hallka e parë dhe më e rëndësishme. Mënyra si fëmija mëson të respektojë “jo”-në, si pranon rregullat dhe si flet për mësuesin në shtëpi, ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e tij në klasë. Nëse autoriteti relativizohet dhe mosrespekti tolerohet, shkolla e ka të vështirë ta korrigjojë atë që nuk është ndërtuar si duhet.
Prandaj trekëndëshi mësues–prind–nxënës duhet të mbështetet në besim dhe bashkëpunim. Mësuesi orienton dhe edukon, prindi mbështet dhe forcon vlerat në shtëpi, ndërsa nxënësi mëson të kuptojë se liria e tij mbaron aty ku fillon dinjiteti i tjetrit. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një klimë ku respekti mbizotëron mbi konfliktin.
Vlerësimi i figurës së mësuesit nuk është luks, por domosdoshmëri. Sepse mbi supet tona qëndron ndërtimi i njeriut të së nesërmes. Dhe pavarësisht lodhjes, zhgënjimeve apo sfidave, ne vazhdojmë të qëndrojmë aty, me shpresën se përmes durimit, drejtësisë dhe bashkëpunimit do të mund të formojmë një brez më të ndërgjegjshëm dhe më njerëzor.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Fenomeni i "Baby Gangs" dhe dhuna sociale – Analizë nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë