Mësuesi ndihmës: mes domosdoshmërisë dhe paradokseve

“Mësuesi ndihmës: mes domosdoshmërisë dhe paradokseve” nga Dr. Besnik Rama sjell një analizë kritike mbi rolin e mësuesit ndihmës, mes nevojës reale për mbështetje profesionale të nxënësve me aftësi të kufizuara dhe paradokseve burokratike që rrezikojnë cilësinë e arsimit gjithëpërfshirës.

Nga Dr. Besnik Rama

(Shënime të rastësishme)


Mësuesi ndihmës është një nga figurat më të rëndësishme për integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme. Por a mjafton që një nxënës me AK të ketë përballë një mësues ndihmës, apo duhet të flasim seriozisht për cilësinë e shërbimit që ofron ky rol?


Mësuesi ndihmës u përfshi në sistemin tonë arsimor parauniversitar për nxënësit me aftësi të kufizuara (AK) për të mbështetur nevojat e këtyre nxënësve me qëllim integrimin e tyre në klasat e zakonshme. Ky hap nisi në vitin 2012 (me ligjin nr. 69/2012 për sistemin arsimor parauniversitar), u konkretizua në vitin 2014 dhe u konsolidua vit pas viti, falë politikave arsimore gjithëpërfshirëse. Rolin e mësuesit ndihmës e kryenin mësues nga profile të ndryshme, që plotësonin kriteret minimale të përcaktuara në atë kohë.


Ndërkohë, çdo vit vijonin të diplomoheshin në master profesional “Pedagogji e Specializuar Sociale” dhjetëra mësues të punësuar dhe studentë të rinj. Për ironi të fatit, atyre nuk ua hapte derën kush, deri kur u arrit që ata të gëzonin të drejtën e licencimit me provim shteti për arsimin special.


Sot shërbejnë në sistem me qindra e mijëra mësues ndihmës të licencuar. Krahas tyre, një pjesë e mirë e mësuesve ndihmës nuk zotërojnë diplomën përkatëse. Kërkesa për mësues ndihmës është rritur vit pas viti, si pasojë e shtimit të fëmijëve me AK në shkolla dhe e vetëdijësimit të prindërve.


Sipas normave, një mësues ndihmës duhet të punojë me 2-3 nxënës me AK. Por jo gjithmonë është zbatuar kjo. Ka raste kur një mësues ndihmës punon vetëm me një nxënës. Dhe këtu nis paradoksi: disa vendime burokratike duket se nuk synojnë përmirësimin e shërbimit, por thjesht “sistemimin” e mësuesve pa ngarkesë mësimore. 


Tentativa për të ‘ligjëruar’ raportin një mësues për një nxënës është shprehur me një gjuhë të ngatërruar, tipike për paqartësitë institucionale. Synohet të zhvendosen mësues nga profili në të cilin janë diplomuar, në fushën e mësuesve ndihmës të mirëfilltë. Edhe pse të gjithë mësuesit janë profesionistë në fushën e tyre, kjo nuk i bën automatikisht të aftë për arsimin special. Një kasap nuk mund të jetë kirurg.


Nga ana tjetër, kjo krijon edhe një shtysë të rrezikshme: çdo prind do të kërkojë që mësuesi ndihmës të merret vetëm me fëmijën e tij me AK. Në praktikë, mësuesit e licencuar punojnë me 2–3 nxënës dhe përballojnë 2-3 PEI njëkohësisht, ndërsa “të ardhurit” kanë luksin të merren vetëm me një fëmijë me AK. Dhe të gjithë paguhen njësoj.


Pyetja që mbetet e hapur:

Po u japim fëmijëve me aftësi të kufizuara mbështetjen më cilësore që meritojnë, apo po bëjmë thjesht aritmetikë me numra mësuesish dhe ngarkesa orësh?

Nëse duam arsim vërtet gjithëpërfshirës, atëherë profesionalizmi i mësuesit ndihmës duhet të jetë në qendër, jo rastësia, as kompromiset burokratike.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

372 Lexime
2 orë më parë