Edukimi si nevojë emergjente

Ndihmojeni fëmijën tuaj t'i thotë stop bullizmit në internet

Bullizmi tek fëmijët dhe të rinjtë është i pranishëm në forma të ndryshme, jo vetëm në kontakt të afërt me dhunë fizike e verbale në shkolla apo ambiente të tjera, por shfaqet edhe nëpërmjet internetit. Ja se mund t'i vini në ndihmë fëmijëve tuaj në lidhje me bullizmin në internet.

Bullizmi kibernetik ose ndryshe (Cyber Bulling) , është bullizmi që ushtrohet përmes përdorimit të teknologjisë elektronike, duke përfshirë celularët, kompjuterët, tabletët si dhe mjete të tjera komunikimi, si website-t, sms-të, chat-et online, faqet e internetit të mediave të ndryshme, etj. 


Megjithëse mjetet elektronike janë shpikur dhe dizenjuar për të përmirësuar jetën e njerëzve përmes komunikimit më të shpejtë dhe pa kufizime fizike midis tyre, ato shpesh mund të kthehen në burim rreziku për jetën e të tjerëve, për shkak të keqpërdorimit të vullnetshëm të tyre (kjo i kthen ato në mjete të ushtrimit të bullizmit). Krijimi i profileve të rreme apo në emër të personave të tjerë në faqet e rrjeteve sociale online, kërcënimet apo komunikimet bezdisëse përmes sms-ve në numra të abonentëve të njohur apo të panjohur apo përpunimi dashakeqës dhe publikimi i fotografive për të cënuar imazhin publik të personave të caktuar, janë disa nga format e kësaj tipologjie të bullizmit.


Sipas një raporti të fundit të bërë, organizata UNICEF ngre alarmin se 1\3 e të rinjve janë viktimë e bullizmit online, i njohur ndryshe si cyberbullizëm.


Pra, vjen si emergjencë  që ju si prindër t'i edukoni fëmijët tuaj se askush nuk duhet të durojë sulme, ngacmime ose abuzime në internet. Të gjithë ju si prindër keni një rol të rëndësishëm për të luajtur në mbajtjen e fëmijëve të sigurt në internet. Ngacmimi në internet mund të ketë pasoja serioze për fëmijët tuaj.


Si mund t'i ndihmoni fëmijën tuaj ti thotë stop bullizmit në internet?


Një element i rëndësishëm i të pasurit marrëdhënie të shëndetshme, pozitive në internet dhe jashtë tij është respekti për të tjerët dhe veten.

Pjesë e të qenit një qytetar digjital i përgjegjshëm është të kuptuarit se çfarë janë marrëdhëniet e respektueshme dhe duke e zbatuar këtë kur jemi në internet. E rëndësishme është t'i mësoni fëmijët tuaj t'i trajtojnë shokët e tyre në internet në të njëjtën mënyrë si ata do të trajtonin dikë ballë për ballë.


Ja disa këshilla që ju mund t'i përdorini për të edukuar fëmijën tuaj se si të sillen në internet:

  • Flisni me fëmijët tuaj për mënyrën se si ata të komunikojnë në internet;
  • Diskutoni për respektin në marrëdhënie dhe jepni shembuj se si duken ndërveprimet me respekt;
  • Mësojuni fëmijëve që të gjithë kanë të drejtë të ndihen të sigurt në internet pa u abuzuar ose sulmuar;
  • Ndihmoni fëmijët të trajtojnë emocionet e vështira në mënyrë të shëndetshme dhe pozitive;
  • Theksoni rëndësinë e trajtimit të të tjerëve ashtu siç dëshirojë të trajtohen;
  • Flisni për ndërveprime pozitive dhe të kujdesshme dhe se si vetë fëmijët mund të jenë model pozitiv për të tjerët;
  • Inkurajoni të kenë sjellje pozitive në internet;
  • Edukojini  fëmijët tuaj të kenë respekt për të tjerët dhe mënyra se si të tregojnë kujdes për atë që mendojnë apo ndiejnë përsonat e tjerë.


Ja disa mënyra se si fëmija juaj të tregojë respekt për të tjerët:

  1. Mos të përdori sharje ose ofendime ndaj të tjerëve;
  2. Të mendojë për personin tjetër se si mund të ndihet kur ata do t'i dërgojnë një mesazh ose do të postojnë diçka të tyre; 
  3. Të përpiqen të njohin shokët e tyre kur janë të mërzitur ose zemëruar dhe të gjejnë një mënyrë për t'i ndihmuar ata;
  4. Të jenë të kujdesshëm kur  postojnë / dërgojnë mesazhe ;
  5. Të kuptojnë se të gjithë janë të ndryshëm dhe kjo është në rregull;
  6. Të mos përdorin fjalë ofenduese nëse dikush nuk pajtohet me ta;
  7. Të shmangin postimet / dërgimet  e një mesazhi në momentin kur ata janë të mërzitur ose të zemëruar;
  8. Të pyesë  shokët e tij para se të ndajë / dërgojë foto ose video të tyre.


Përgatiti: Marina Kërçeli

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,620 Lexime
3 vjet më parë