Aktualitet

Nga data 29 korrik deri më datën 3 gusht hapen aplikimet e maturantëve për në universitet

Hapen aplikimet e maturantëve për në universitet nga data 29 korrik deri më datën 3 gusht. Ministrja Kushi mesazh maturantëve: Përfitoni nga mundësitë e ofruara për ju.

Duke nisur nga dita e nesërme deri më datë 3 gusht, çdo maturant mund të aplikojë në portalin UAlbania për të zgjedhur listën e degëve ku dëshiron të studiojë. Rezultatet e provimeve, mesatarja, por edhe statistikat e viteve të kaluara i ndihmojnë maturantët që të orientohen më mirë në degët që duan dhe degët që mund të arrijnë.


Në një postim në rrjetet sociale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi i fton maturantët që të ndjekin studimet e larta në universitetet e Shqipërisë dhe të përfitojnë nga programet e studimit të përbashkëta apo të dyfishta të hapura në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit, si dhe veçanërisht programet e shpallura prioritet kombëtar, në të cilat mund të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursë mujore sa paga minimale.


Postimi i plotë i ministres Kushi:


“Të dashur maturantë dhe ju të rinj e të reja që dëshironi të vazhdoni studimet e larta në Shqipëri!

Duke filluar nga nesër, datë 29 korrik e deri në datën 3 gusht, portali UAlbania do të jetë i hapur për aplikimet tuaja në programet që dëshironi të ndiqni. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë ju, pasi zgjedhja që do të bëni do të përcaktojë drejtimin profesional dhe të ardhmen tuaj.

Në varësi të rezultateve të deritanishme dhe preferencave që keni, unë ju ftoj të vlerësoni edhe programet e studimit të hapura në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit, si dhe veçanërisht programet e shpallura prioritet kombëtar, në të cilat mund të përfitoni përjashtim nga tarifat dhe bursë mujore sa paga minimale. Këtë vit përfitues të këtyre bursave do të jenë studentët pavarësisht notës mesatare, por gjithmonë duke plotësuar kriteret e pranimit për çdo program studimi. Gjithashtu këtë vit, për herë të parë ju vjen në ndihmë edhe kredia studentore, e cila do të mbulojë tarifën e studimit dhe kostot e jetesës për ndjekjen e një programi studimi, të ciklit të parë ose të dytë.

Uroj sa më shumë prej jush t'i shfrytëzoni maksimalisht këto mundësi, për të vazhduar studimet në Shqipëri e pas diplomimit të jetoni, punoni e jepni kontribut për Shqipërinë tonë”.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

845 Lexime
10 muaj më parë