Reflektim

Një letër për ju…

Në mbarim të këtij viti, shkrimi i radhës nga bashkëpunëtori unë, mësuesi Evans Drishti, është si një kartolinë urimesh, një reflektim për të qenë më shpirtërorë e më të ndjerë qoftë kjo edhe në mesazhet që do të përcjellim apo do të na përcjellin për festa dhe jo vetëm...

Dikush u fejua…

“I qoftë për hajër!”- foli tjetri dhe asgjë më shumë…

Krejtësisht thatë dhe pa asnjë emocion! 

Dikush pati ditëlindjen…

“Edhe 100!” -foli tjetri dhe asgjë më shumë…

Krejtësisht thatë dhe pa asnjë emocion! 

Dikush u sëmur… 

“T’shkuara!” -foli tjetri dhe asgjë më shumë… 

Krejtësisht thatë dhe pa asnjë emocion! 

Dikush mori një çmim…

“Suksese!...” -foli tjetri dhe asgjë më shumë…

Krejtësisht thatë dhe pa asnjë emocion! 

Dikush bleu diçka…

“E gëzoftë!” -foli tjetri dhe asgjë më shumë…

Krejtësisht thatë dhe pa asnjë emocion! 


Në epokën e teknologjisë, u bëmë akoma më të dembelosur… 

Shkruajmë shkurt, madje edhe me shkurtime! Madje as të shkruajmë nuk dimë duke na ardhur në ndihmë “SHENJA” të larmishme “gëzimesh” dhe “hidhërimesh” …

Gjoja tregues të botës sonë shpirtërore duke mos kuptuar nëse vërtet qeshim apo qajmë, gëzohemi apo hidhërohemi… 

“Fjala” pret respekt nga ne “njerëzit”, që na është dhënë urtësia dhe mirësia, për ta shprehur atë në mënyrën më të bukur dhe më të larmishme të mundshme… 

“Fjala” pret emocion si një “mjet” i fuqishëm që duhet të depërtojë në shpirtin dhe mendjen tonë për të reflektuar intelektin njerëzor, domosdoshmëri jo vetëm e kohës, por edhe e vetë jetës njerëzore… 

“Fjala” pret urtësi nga ne “njerëzit” për të treguar vlerat qytetare dhe bashkëkohore, pasi që në mbyllje të gjimnazit njeriu “u diplomua” për maturinë dhe urtësinë e tij intelektuale dhe njerëzore… 

“Fjala” pret arsyetim nga ne “njerëzit” duke qenë se dita – ditës zhvillohemi dhe integrohemi individualisht dhe profesionalisht për të arrirë në shkallët e niveleve të larta… 

“Fjala” pret “të lexohet” dhe “të kuptohet” nga të gjithë ne, NJERËZIT… 


Çdo njeri pret një “fjalë” të mirë nga tjetri, si për të ngrohur zemrën dhe shpirtin, si për të krijuar një mbarëvajtje të bashkëbisedimit, si për të dhuruar diçka të urtë dhe fisnike… 


Çdo urim që përcillet transmeton peshën e intelektualitetit, të karakterit, të formimit dhe të vlerave njerëzore si një domosdoshmëri e normave shoqërore… 

Urimin shpirtëror dhe plot emocion njeriu e pret në çdo kohë, në çdo rrethanë, kudo të ndodhet, kudo të shkojë, në çdo shërbim që ofron apo i ofrohet… 

Urimin shpirtëror njeriu e pret në çdo lloj bisede telefonike, sado e shkurtër qoftë…

Urimin shpirtëror dhe plot ndjesi njeriu e pret edhe në mesazhet që dërgohen në raste apo evente të ndryshme të jetës… 

Edhe tashmë që jemi në mbarim të këtij viti dhe natyrshëm presim të dërgojmë apo të na dërgojnë, të përcjellim apo të na përcjellin, të shkëmbejnë apo të na shkëmbejnë mesazhe “urimi”, qofshin ato me shkrim apo me zë, le të jemi: 

  • më shpirtërorë
  • më të ndjerë
  • më domethënës 
  • më mbresëlënës 
  • më kuptimplotë
  • më emocionues 
  • më dashamirës 
  • më rrëqethës 
  • më koherentë 
  • më fisnikë 
  • më të qartë 
  • më të kuptueshëm 
  • më elegantë
  • më estetikë, 
  • më të hijshëm 
  • më të hirshëm 
  • më me delikatesë, 
  • më harmonikë 
  • më të çiltër
  • më të gjallë 
  • më fjalëmirë 
  • më fjalë urtë 
  • më të peshuar 
  • më të matur 
  • më jetësorë … 


Le të komunikojmë me “tjetrin” jo me “shenja”, por me fjalë të ëmbla dhe plot gjallëri që reflektojnë dhe tejçojnë në mendjen dhe zemrën e “tjetrit” urtësinë dhe maturinë që na karakterizon si njerëz të një intelekti të lartë… 


Mos ta “cungojmë” shpirtin dhe mendjen tonë duke e kufizuar në ca “fjalëza” të papeshuara që s’përcjellin asnjë lloj emocioni dhe dëshire, asnjë lloj dashurie dhe respekti ndaj “tjetrit”, por që në fakt është edhe ndaj “vetes”… 


Mos harrojmë:

Njeriu peshohet nga FJALA, pasi është ajo që pasqyron atë çfarë njeriu ka në mendjen dhe në shpirtin e tij, është ajo që përcjell formimin e tij, bagazhin, gjykimin, arsyetimin, mprehtësinë, botëkuptimin, vizionin, largpamësinë… 

FJALA është ajo që tregon më së miri sa “të lexuar” dhe “të lexueshëm” jemi, sa “të thelluar”, sa “të menduar”, sa “të depërtueshëm” jemi… 


  • Një “Fjalë të Urtë” ka nevojë fëmija të dëgjojë nga nëna, babai, motra, vëllai, të afërmit, miqësia … 
  • Një “Fjalë të Urtë” ka nevojë nxënësi të dëgjojë nga mësuesi i vet…
  • Një “Fjalë të Urtë” ka nevojë arsimtari të dëgjojë nga kolegu dhe drejtuesi… 
  • Një “Fjalë të urtë” ka nevojë i sëmuri të dëgjojë nga mjeku… 
  • Një “Fjalë të urtë” kanë nevojë bashkëshortët të dëgjojnë nga njëri-tjetri… 
  • Një “Fjalë të Urtë” ka nevojë punëmarrësi të dëgjojë nga punëdhënësi… 
  • Një “Fjalë të urtë” ka nevojë klienti të dëgjojë nga punonjësi …  
  • Një “Fjalë të Urtë” ka nevojë të dëgjojë e tërë shoqëria nga dikush që meriton të quhet “DREJTUES” … 
  • Kjo “Fjalë e urtë” kërkon urtësi, mençuri, kthjelltësi, gjakftohtësi, finesë… 
  • Kjo “Fjalë e Urtë” kërkon VLERA… 


Shfrytëzojeni çdo çast tuajin si një moment emocionues, pasi përditshmëria dhe procesi ynë jetësor s’janë gjë tjetër veçse një bashkësi çastesh gëzimesh dhe brengash, që natyrshëm “presin” një orientim nga “intuita” dhe “intelekti” individual… 


Zoti lumturoftë çdo njeri në lartësinë e vlerave që mbart dhe me dashurinë e zemrës së vet!... 




Nga Evans Drishti 

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,112 Lexime
1 vit më parë