ORIENTIM

Për prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe, sjellet që duhet të keni parasysh si mësues dhe terapistë

Këshillat e mëposhtëme kanë të bëjnë me sjelljet që duhet të kenë parasysh prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe, duke qenë se në këto kushte vetizolimi ata po luajnë rolin edhe si mësues e trapistë. Orientimi vjen nga psikologia Genta Ruçi.

Në punën me fëmijët me Aftësi Ndryshe është me rëndësi krijimi i rregullave të qarta të cilave duhet t’u përmbahemi në mënyrë rigoroze, me qëllim që të kemi një stabilitet në sjellje dhe në përvetësimin e informacioneve të reja. Rregulla të tilla duhet të ndiqen në shkollë, në mjediset terapeutike dhe në shtëpi, aty ku fëmija kalon pjesën më të madhe të kohës. E në këto ditë të vështira për të gjithë, rutina dhe rregullat që ishin vendosur mund të kenë ndryshuar. Mjedisi shtëpi  po mbush gjithë kohën e këtyre fëmijëve, ndaj prindi tashmë po luan role të shumta,jo vetëm si  prind por edhe si mësues dhe terapist. E kuptueshme që kjo nuk është aspak e lehtë dhe nën ndikimin e një presioni të tillë shume prej prindërve mund të kenë të vështirë t’i orientojnë dhe organizojnë aktivitet në funksion të fëmijës. 

Disa nga këshillat që liston më poshtë psikologia Msc Genta Ruçi, kanë të bëjnë me sjelljet e prindërve ndaj fëmijëve me Aftësi Ndryshe.


     Pranoni bashkëpunimin . Në shtëpi nuk ndodhen një pjesë e materialeve terapeutike apo të shkollës, por ndodhen të gjitha materialet e domosdoshme për të punuar me fëmijën në pavarsinë vetjake, me nxitjen e aftësive komunikuese, akademike dhe me përforcimin e sjelljeve pozitive. Pranoni dhe ndiqni udhëzimet që mësuesit u dërgojnë për tu kryer në kushte shtepie.


     Mos ndërhyni në gjithçka që fëmija bën . Vërtetë  ka shumë gjëra që fëmijët kanë vështirësi ti realizojnë, por ndërhyrja juaj e pengon edhe më shumë zhvillimin dhe aftësimin e tyre. Lërini të kryejnë veprime në mënyrë të pavarur( të ushqehen, lahen, lajnë dhëmbët, të vishën etj).


     Mos krahasoni arritjet e fëmijës suaj me fëmijët e tjerë.Komunikoni me mësuesin dhe terapistin e fëmijës suaj, por jo të kryenini punën që realizon një prind tjetër me fëmijën e tij. Zhvillimi ndryshon nga një fëmijë në tjetrin, ashtu siç ndryshojnë aftësitë, të kuptuarit, të komunikuarit, sjellja, ndaj, diçka që për një fëmijë është lehtësisht e perceptueshme për fëmijën tuaj mund të jetë irrituese, e pakuptueshme dhe mund të shkaktojë ankth,sjellje  të papërshtatshme dhe refuzim pune.


     Merreni ju situatën në kontroll. Ndosh shpesh që për të mos nxitur të qara , sjellje kundërshtuese dhe refuzuese, prindërit dorëzohen duke lejuar që fëmija të kryejë çdo veprim që dëshiron. Një mënyrë e tillë është në kundërshtim me rregullat e vendosura sëbashku, por mbi të gjitha është në kundërshtim me të mirën e fëmijës dhe me progresin e tij. Ato kanë nevojë të vazhdueshme për ndihmën tuaj, orientimin dhe nxitjen që të kuptojnë dhe jetojnë në përputhje me kërkesat e nevojshme.


     Përqëndrohuni te pikat e forta. Secili prej fëmijëve ka aftësi të veçanta dhe me rëndësi që këto aftësi ti përdorim si motivim por dhe si një mënyrë për të arritur përmbushjen e hapave të tjerë.


     Kujdes në ndërtimin e pritshmërive. Përmbajuni Planeve Edukative Individuale dhe jo të ndërtoni objektiva që nuk shkojnë në përputhje me to. Punoni në përputhje me zhvillimin e fëmijës dhe jo të quajmë informacionin e zotëruar thjeshtë sepse duam të kalojmë në objektiva të tjerë. Disa objektiva duan shumë kohë të arrihen, e disa të tjera kapërcehen shumë lehtë. Ecni me ritmin e fëmijës suaj dhe jo me ritmin që ju dëshironi  që të ketë.


     Mos i  mbingarkoni. Shpeshherë prindërit të frustruar nga fakti që po humbasin kohë, i mbingarkojnë fëmijët me informacione të shumta , kryesisht akademike, duke i vendosur përballë fletave format me ushtrime të shumta që duhen kryer çdo ditë. Kuptoni që jo të gjithë e kanë arritur aftësitë akademike, kuptoni që një tërsi informacioni e dhënë njëherësh do sjellë më pak rezultat në përgjigjet që do merrni. Oragnizoni kohën dhe sasinë e informacionit qe i paraqisni fëmijës, jepni kohë që të kuptoni nëse informacioni është zotëruar dhe përgjithësuar.  Mos harroni lojën, ka nevojë shumë për argëtim në këto ditë.


     Argëtojini dhe përfshini. Përpiquni të organizoni aktivitete sëbashku që nxisin emocione pozitive dhe përfshini në sa më shumë gjëra që ju kryeni në shtëpi.


Prindërimi i një fëmije me aftësi ndryshe kërkon që të përshtateni ndaj vështirësive dhe aftësive të fëmijës suaj. Të kërkoni dhe pranoni ndihmë profesionale dhe gjatë këtyre ditëve, duke respektuar ato “rregullat” e vendosuara së bashku me mësuesit dhe terapistin. E rëndësishme është të vazhdojmë të ndjekim sadopak rrjedhën e punës së mëparshme por duke pasur kujdes të vazhdueshëm për t’iu përmbajtur udhëzimeve që u jepen.



Përgatiti: Msc Genta Ruçi (Psikologe)


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,555 Lexime
4 vjet më parë