PSIKOLOGJIA E FËMIJËVE

Përleshjet e fëmijëve dhe si duhet të reagojnë prindërit

Ndodh shpesh që kudo, si në shtëpi edhe jashtë saj, fëmijët të zemërohen e madje të përleshen me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër prindërit duke u munduar që përleshjet ditore t’i mbajnë në nivel minimal, mund të humbin durimin dhe energjinë. Këshillat e mëposhtme vlejnë për reagimet në këtë rast.

Ndërkohë që jeni ulur shkujdesur në stolin e këndit të lojërave dhe shikoni fëmijët tuaj duke luajtur, vëreni se e vogla juaj po dhunohet fizikisht nga dy vajza pak më të mëdha.


E sheh të tronditur, me sytë me lot dhe ju nuk dini se çfarë (së pari) të bëni! 


Vraponi tek fëmija juaj? I bërtisni të tjerave?  

Përqafimi juaj është padyshim përgjigja e parë. Përtej kësaj, megjithatë, sado i vështirë të jetë pozicioni juaj, duhet t'i thoni diçka asaj.


Qëndroni të qetë


Gjëja më e keqe që mund të bëni në atë moment është të filloni të bërtisni në panik dhe të nxitoni në vendin e ngjarjes në mënyrë agresive. Sigurisht, reagimi juaj do të varet nga diferenca e  moshës mes fëmijës suaj dhe të tjerave, si dhe nga lloji i sulmit, por është e rëndësishme që në atë moment të ruani gjakftohtësinë tuaj në mënyrë që të mund të kontrolloni situatën.

Sulmi fizik, edhe nëse është një shtytje e fortë, është i papranueshëm në çdo rast. Por a mban vetë fëmija juaj një pjesë të përgjegjësisë? A i shkaktoi dikujt një sherr? Nëse i kishit vëzhguar më parë fëmijët, ndoshta mund të nxirrni përfundimin se çfarë ndodhi. Fëmijët rrallë godasin njëri-tjetrin pa asnjë arsye.

Ndoshta fëmija juaj nuk donte të ndante një lodër ose të thoshte diçka që i mërziti fëmijët e tjerë. Kjo nuk do të thotë se ai e ka merituar të goditet, por ju do ta trajtoni problemin në një mënyrë tjetër.

Për shembull, një fëmije që ka provokuar një situatë mund t'i thoni se "ndoshta do të luanit më bukur, nëse do t'i ndanit lodrat ose nëse do të flisnit më mirë". Fëmijëve që bënë sulmin, megjithatë, ju thjesht mund t'u thoni me qetësi "ne nuk e godasim njëri-tjetrin" dhe të kërkoni prindërit e tyre që edhe ata të mund të ndërmarrin veprime.

Por ju nuk duhet të ndërhyni më shumë se kaq. Nëse shihni që sulmi po vazhdon dhe se prindërit e fëmijëve të tjerë nuk po ndërhyjnë për t'i bindur, edhe pas thirrjes suaj, gjëja më e mirë për të bërë është të merrni fëmijën tuaj dhe të largoheni nga zona. 


Lëreni fëmijën të gjejë vetë zgjidhjen


Nëse nuk është një situatë që kërkon ndërhyrjen tuaj të menjëhershme, p.sh. nëse është një grindje mes bashkëmoshatarëve, kjo mund të jetë një mundësi për të vëzhguar reagimin e fëmijës suaj.

Fakti është se ju nuk do të jeni gjithmonë aty për ta mbrojtur atë nga agresioni i të tjerëve, kështu që në një moment do t'i duhet të zhvillojë mbrojtjet e veta në mënyrë që të mund të përballet në mënyrë efektive me situata të ngjashme në të ardhmen.

Është e qartë se, nëse kemi të bëjmë me fëmijë shumë të vegjël, p.sh. nën 2 vjeç, është e rëndësishme të ndërhyni për të korrigjuar një situatë dhe për ta bërë më të lehtë për ta përballuar luftën e tyre. Por fëmijët më të mëdhenj duhet të mësojnë t'i zgjidhin vetë problemet e njëri-tjetrit.

Gjithashtu, mos harroni se për shumicën e fëmijëve, goditja e dikujt është mënyra më e lehtë për të shprehur zemërimin e tyre. Kjo mund të ndodhë edhe me fëmijët që normalisht nuk dorëzohen. Megjithatë, nuk është fundi i botës nëse ka një shtytje pa dhimbje në lojë.


Sheshi i lojërave ose këndi i lojërave nuk janë vende ku kërkohet rregull i përsosur.

Në vend të kësaj, ato janë hapësira të ndërveprimit real, të lirë dhe ofrojnë mundësi ideale të të mësuarit. Prandaj, është e dobishme t'i drejtoni fëmijët drejt sjelljeve të duhura, por në praktikë ata do t'i provojnë dhe do të mësojnë t'i zbatojnë ato.

Jo të gjithë fëmijët janë njësoj ekstrovertë, ndaj kanë guximin të ngrenë zërin dhe të mbrojnë veten. Nëse fëmija juaj bën pjesë në këtë kategori, është e rëndësishme t'i fuqizoni duke e ndihmuar të shprehë atë që ndjen në këtë moment, në mënyrën e duhur. 

Kjo do të thotë, nëse shihni një fëmijë tjetër që e sulmon, mund të ketë kuptim t'i thoni fëmijës tuaj: "Thuaji se si ndihesh“.

Thuaji se je lënduar dhe nuk dëshiron të luash më me të. Fëmija juaj duhet të mësojë se sa e rëndësishme është të shprehë ndjenjat e tij, jo vetëm për ta bërë veten të ndihet më mirë, por edhe për t'i bërë të ditur "ngacmuesit" se sjellja e tij nuk është e pranueshme.




Penni Syggrou 11 korrik 2023

Përktheu Mimoza Bejkollari Dako


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

869 Lexime
10 muaj më parë