Portali Shkollor interviston Rigelën dhe Nikoletën, dy motra studente që përjetuan sulmin në konvikt - Mes shqetësimit dhe vendimit për të mos u dorëzuar
Rigela dhe Nikoleta, dy motra studente nga Vlora, rrëfejnë për Portalin Shkollor përjetimin e sulmit në konviktet e Qytet Studenit më 13 tetor dhe largimin nga Tirana. Mes protestës dhe ndërprerjes së studimeve, ato tregojnë çfarë presin nga institucionet dhe pse nuk heqin dorë nga e ardhmja në Shqipëri.
Interviston Nanila Allkja Biçaku
Kur Rigela dhe Nikoleta u nisën nga Vlora drejt Tiranës, kishin planet e tyre për një vit të ri akademik. Rigela ndjek masterin në Bioteknologji, ndërsa Nikoleta është në vitin e tretë të studimeve Bachelor në IT. Por mbrëmja e 13 tetorit, kur konvikti ku banonin në Qytetin Studenti u sulmua, e ndryshoi rrjedhën e ditëve të tyre.
Të dyja ndodheshin brenda godinës. Pak ditë më vonë, u kthyen në Vlorë, duke lënë pas universitetin, shoqërinë dhe një përditshmëri që ende nuk e dinë kur do ta rifillojnë. Largimi, siç tregojnë, lidhet me shqetësimin për sigurinë, ndërsa ato vazhdojnë të mbështesin studentët që protestojnë.
Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, dy motrat rrëfejnë çfarë përjetuan atë mbrëmje, si po e përjetojnë këtë periudhë larg Tiranës dhe çfarë presin nga institucionet përpara se të mendojnë për rikthimin. Mes pasigurisë dhe ndërprerjes së jetës studentore, ato flasin edhe për arsyet që i kanë mbajtur në protestë dhe për dëshirën për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Rigela, Nikoleta, kur u nisët nga Vlora për të filluar vitin e ri akademik në Tiranë, me çfarë pritshmërish e nisët këtë periudhë? A do ta kishit imagjinuar se, vetëm pak ditë më vonë, do të ktheheshit në shtëpi pa e ditur kur do të mund të riktheheshit në jetën tuaj studentore?
Kur u nisëm nga shtëpia për në Tiranë, e dinim se na priste një periudhë e ngarkuar edhe për shkak se protesta nuk ka filluar më 13 tetor, por ka rreth 4 muaj që bëhet protestë paqësore. Megjithatë, sulmi që u bë në godinat e Qytetit Studenti ishte diçka që nuk e prisnim.
Le të kthehemi te mbrëmja e 13 tetorit. Ju ndodheshit brenda godinës ... kur ajo u sulmua. Çfarë kujtoni nga ato momente dhe çfarë ndjetë kur kuptuat se vendi ku banonit nuk ju dukej më i sigurt?
Ajo mbrëmje tregoi se sa e brishtë është siguria fizike në ambiente ku duhet të ishim të mbrojtura. Sulmi nga persona që nuk kanë asnjë lidhje me studentët na bëri të kuptojmë se vendi ku jetonim nuk ishte më i sigurt. Dukej si një situatë e stisur për të krijuar panik.
Kush ishin ata që ju sulmuan?
Ata që sulmuan kanë qëndruar pak minuta dhe më pas janë larguar me makinat që kanë qëndruar "në pritje" nga pamjet që kemi parë më vonë.
Studentët nuk e godasin asnjëherë shtëpinë e tyre, sepse ai mjedis u përket atyre.
Sot jeni në Vlorë, ndërsa universiteti, shoqëria dhe jeta juaj e përditshme kanë mbetur në Tiranë. Si duket kjo periudhë nga brenda? Çfarë ju mungon më shumë dhe cili është shqetësimi që ju shoqëron gjatë ditës?
Nuk është e lehtë të jesh larg Tiranës në këto momente. Na mungon prania fizike atje dhe përditshmëria me shoqërinë, megjithatë vëmendja jonë është te shokët që po rezistojnë dhe te e ardhmja e kësaj lëvizjeje. Shqetësimi kryesor që na shoqëron është pasiguria e së nesërmes dhe dëshira për të parë një zgjidhje të drejtë dhe dinjitoze për ne.
Sa e vështirë është të bësh plane për të ardhmen kur nuk e di se çfarë do të ndodhë javën e ardhshme? Çfarë do të donit të dinit nga institucionet përgjegjëse?
Në një situatë të tillë është e pamundur të bësh plane apo të mendosh për hapat e ardhshëm ndërsa gjendja agravohet çdo ditë e më shumë. Nga institucionet presim përgjigje zyrtare dhe llogaridhënie për kërkesat që janë parashtruar publikisht, si dhe për dhunën e ushtruar ndaj studentëve që nga data 13 tetor.
Njëra prej jush është në master, tjetra në vitin e tretë bachelor. Si po ndikojnë bojkoti dhe kjo ndërprerje në studimet tuaja, në përgatitjen për provime dhe në rezultatet që synoni të arrini? A keni frikë se po humbisni kohë të rëndësishme akademike?
Për ne nuk është çështje afatesh apo interesash personale.
Nuk e kemi idenë sa do të zgjasë bojkoti por kjo nuk eshtë çështja kryesore të paktën në këto momente. Shqetësimi ynë lidhet me vetë përballjen: kjo periudhë po tregon rezistencën dhe pjekurinë e studentëve përballë paaftësisë së sistemit për të ofruar zgjidhje reale.
Ju keni marrë pjesë edhe në protestat e zhvilluara më herët në Tiranë. Cilat janë kërkesat tuaja si studente dhe çfarë ju ka shtyrë të dilni në protestë? Çfarë dëshironi të ndryshojë konkretisht në realitetin ku studioni dhe jetoni?
Dalja jonë në protestë nuk është një zgjedhje e izoluar, por pjesë e një reagimi kolektiv për të ardhmen tonë. Kërkesat tona prekin si arsimin, ashtu edhe realitetin shoqëror. Së pari, në universitete kërkojmë kushte e infrastrukturë më të mirë, si dhe më shumë mbështetje financiare për të përballuar koston e studimeve. Më tej, duam një luftë reale ndaj korrupsionit e nepotizmit, kthim të meritokracisë dhe mundësi të vërteta punësimi pas diplomimit, sepse rinia ka nevojë për perspektivë që të qëndrojë këtu.
Në rrafshin më të gjerë, kërkojmë mbrojtjen e mjedisit përmes anullimit të projekteve që cënojnë zonat e mbrojtura natyrore, siç është rasti i Zvërnecit. Po ashtu, konsiderojmë të domosdoshëm reformimin e Kodit Zgjedhor, kontrollin dhe transparencën e plotë mbi financimin e partive politike nga fonde jo-legjitime, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit. Zëri i studentëve duhet të trajtohet si faktor real që kërkon zhvillim dhe mbrojtje të interesit publik.
Si studente që protestojnë, por njëkohësisht duhet të përgatiten për provime dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre, a ndieni se shqetësimet tuaja po dëgjohen? Apo ndonjëherë keni përshtypjen se për të rinjtë flitet shumë, ndërsa me ta flitet pak?
Është një ndjesi që e ndajmë me shumicën e të rinjve: për ne flitet shumë nëpër studio e tryeza, por kur vjen puna te zgjidhjet, zëri ynë shpërfillet. Rinia nuk kërkon thjesht të përmendet si temë diskutimi, por të merret parasysh si palë e barabartë në vendimmarrje sepse në fund të fundit është e ardhmja e vendit.
Kryeministri Edi Rama është shprehur këto ditë ndaj studentëve me një deklaratë që është interpretuar si kërcënuese. Si e pritët ju këtë deklaratë? Çfarë prisni nga drejtuesit e vendit kur të rinjtë ngrenë zërin për shqetësimet e tyre? A mendoni se një gjuhë e tillë ndihmon dialogun apo krijon më shumë distancë?
Deklaratat me ton kërcënues apo imponues vetëm sa e thellojnë hendekun mes të rinjve dhe atyre që janë në pushtet. Studentët nuk po protestojnë sepse është "trendy", por sepse u prek siguria dhe e ardhmja e tyre. Ne jemi kategorikisht kundër çdo forme dhune, por kjo nuk do të thotë se dhuna apo presioni ndaj studentëve mund të kalojnë në heshtje apo të konsiderohen normale.
Ju vetë keni qenë pjesë e protestave, por tani po i ndiqni zhvillimet nga Vlora. Si e përjetoni këtë distancë? A ndieni se po qëndroni larg një kauze në të cilën besoni, apo për momentin shqetësimi për sigurinë dhe vijimin e studimeve ka marrë përparësi?
Largimi ynë fizik u bë vetëm për arsye sigurie dhe nuk ka lidhje me studimet. Moralisht jemi plotësisht aty. Siguria është e rëndësishme, por ajo nuk e zbeh aspak solidaritetin tonë me shokët e shoqet që po rezistojnë çdo ditë në Tiranë.
Si e kanë përjetuar familjarët tuaj këtë situatë?
Familjarët u alarmuan me të drejtë kur panë se çfarë ndodhi. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe ankthin tyre, por nuk bëjmë kompromis me parimet tona. Bojkoti vazhdon nga të gjithë studentët pa përjashtim sepse kjo është e vetmja rrugë për të kërkuar të drejtat tona.
Nëse nesër do t'ju duhej të ktheheshit në Tiranë, çfarë do të dëshironit të ishte zgjidhur më parë? A mjafton që situata të jetë qetësuar, apo keni nevojë për garanci konkrete për sigurinë në konvikt dhe për vijimin normal të mësimit?
Nuk e dimë se kur do të qetësohet situata, sepse nuk ka asnjë ide të qartë se si do të rrjedhin ngjarjet. Një qetësim sipërfaqsor apo vetëm me fjalë nuk mjafton më. Rikthimi bëhet i mundur atëherë kur të ketë garanci të plotë institucionale për sigurinë e çdo studenti dhe një përgjigje zyrtare e dinjitoze ndaj kërkesave tona.
Përtej asaj që po ndodh sot, kur mendoni për të ardhmen tuaj, a vazhdoni ta shihni Shqipërinë si vendin ku dëshironi të ndërtoni jetën profesionale? Çfarë duhet të ndryshojë që ju dhe bashkëmoshatarët tuaj ta shihni të ardhmen me më shumë besim?
Shqipëria është atdheu ynë dhe ne duam të jetojmë e të kontribuojmë këtu me profesionin tonë ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët tanë. Por që të kemi besim, duhet të shohim ndryshime reale: vlerësim të drejtë sipas meritës, mundësi të barabarta punësimi dhe një shtet që nuk u përgjigjet të rinjve me presion apo shpërfillje.
Dua ta mbyll këtë bisedë me një pyetje personale për të dyja: kur u nisët nga Vlora, kishit ëndrra dhe plane për këto vite studimi. Çfarë do t'i thoshit sot vetes suaj të asaj kohe dhe çfarë do të donit të kuptonin institucionet për dy studente që nuk kërkojnë të ndërpresin jetën e tyre, por thjesht të kenë mundësi ta vazhdojnë atë?
Vetes sonë do t'i thoshim se pjekuria vjen edhe përmes sprovave që nuk i ke parashikuar. Ndërsa institucioneve u kërkojmë të kuptojnë se pas çdo zëri që ngrihet, qëndrojnë të rinj që nuk kërkojnë të ndërpresin rrugëtimin e tyre, por vetëm të jetojnë e të ndërtojnë të ardhmen e tyre me dinjitet, pa u dashur të luftojnë për të drejtat më themelore.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Luan Stafasani: 456 shprehje frazeologjike që përdoren më shpesh në Mat
Rezarta Kanushi: Mësuesi ndihmës nuk "rri kot", mos gjykoni një punë që nuk e kuptoni!