Projekt: "Integriteti në shkollë - Unë zgjedh ndershmërinë"

Shkolla 9-vjeçare “Yzberish” përmbyll projektin “Integriteti në shkollë - Unë zgjedh ndershmërinë”, një nismë që forcoi kulturën e ndershmërisë dhe përgjegjësisë te nxënësit. Më poshtë gjeni projektin, shtojcën dhe prezantimin e tij si materiale model.

Shkolla 9-vjeçare “Yzberish” ka përmbyllur me sukses projektin shkollor “Integriteti në shkollë - Unë zgjedh ndershmërinë”, i zhvilluar gjatë vitit 2025-2026, një nismë edukative që synoi forcimin e kulturës së integritetit, ndershmërisë dhe përgjegjësisë në mjedisin shkollor.


Projekti, i përgatitur nga Juliana Muçi dhe me kohëzgjatje 6-8 javë, u zbatua nga mësuesit, drejtoria, psikologu i shkollës dhe Qeveria e Nxënësve, duke përfshirë nxënësit e klasave 6-9, si dhe bashkëpunimin e prindërve, komunitetit dhe organizatave lokale.


Qëllimi kryesor i kësaj nisme ishte ndërtimi dhe forcimi i një kulture të qëndrueshme integriteti në shkollë, duke nxitur ndershmërinë në të nxënë, drejtësinë në vlerësim, përgjegjësinë personale dhe respektimin e rregullave, si dhe duke adresuar në mënyrë konkrete fenomenin e kopjimit dhe mashtrimit.


Gjatë zbatimit të projektit u arritën objektiva të matshme, përfshirë rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve mbi konceptin e integritetit, hartimin dhe afishimin e “Kodit të Integritetit të Klasës” në të gjitha klasat, si dhe përfshirjen aktive të prindërve në proces përmes deklaratave të bashkëpunimit. Po ashtu, u realizuan produkte të ndryshme sensibilizuese si postera, video të shkurtra, rubrika në gazetën digjitale, podcast dhe nisma simbolike si “Kutia e besimit”.


Ky projekt u vlerësua si një praktikë e suksesshme edukative që kontribuon në formimin qytetar të nxënësve dhe në krijimin e një klime shkollore më të hapur, më të drejtë dhe më bashkëpunuese. Përmes tij, shkolla synoi jo vetëm të transmetojë dije, por edhe të forcojë vlera që mbeten themelore për zhvillimin e personalitetit të nxënësit.


Më poshtë gjeni të bashkëlidhura: projektin, shtojcën e tij dhe prezantimin e projektit.




PROJEKTI 

SHTOJCA 

PREZANTIMI 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

133 Lexime
5 orë më parë