Bota digjitale

Rrjeti virtual, zgjedhje apo zgjidhje?

Dëshira për t’i shmangur “aleancat e ngatërruara”, për t’iu larguar së shkuarës apo së tashmes, çon në ikjen nga realiteti po aq sa vendosmëria për të ndërtuar gjëra të reja...

Nuk janë të paktë ata që vendosin të bëhen pjesë e pashqitshme e motorit virtual. Fundja, telefoni dhe rrjetet sociale janë krijuar për të na afruar me njëri-tjetrin, për të ndarë opinione të të gjitha ngjyrave, madje pa censurë, me një liri afrie, mirësie apo ligësie, një zukamë pa fre dhe sporadike në të shumtën e rasteve...

Shmangia apo izolimi është një zgjedhje, që shpesh duket anomali. E çuditshme. (?!)

T'i ikësh turmës rrallë ka qenë zgjedhje. Po i jap pak ngjyra vërtetësie. Horaci në fermën e tij donte vetëm këngën e Burimit të Bandusias; Virgjili u tret për të qëndruar në ndonjë shtëpi diku mes kodrave. Bukurinë e një ikje të tillë Hopkins e përkufizoi në poemën e tij “Strehë-parajsë”: Dhe m’u kërkua të jem / atje ku stuhitë nuk mbërrijnë / Në limanet e heshtura.

Për të mos harruar poetin, që mbledh plaçkat e niset për të gjetur “madhështinë e ëndrrave” e, në vetmi, mendon se “gjen” shpirtin e tij.

Dëshira për t’i shmangur “aleancat e ngatërruara”, për t’iu larguar së shkuarës apo së tashmes, çon në ikjen nga realiteti po aq sa vendosmëria për të ndërtuar gjëra të reja...

“Ikës”, ndokush do t'i quante. Ikës që endet dhe bën ecejake kundër rrymës...

“Ikës” të tillë janë të lumtur të mos kenë asnjë lloj shoqërie të (pa)këndshme për ditë të tëra... Pse i admiroj ca?!

Edhe pse nga kjo zgjedhje ndihesh i paqetë, sepse ikja nuk është zgjidhja! Sepse lëmë gjurmë pas vetes...që nuk fshihen dot.

Pse nuk pajtohesh(m), pra, me përshtatjen në botën digjitale. Sepse nuk do që të jesh në mënyrë të përhershme, i telefonuar, i vëzhguar, i gjykuar, pjesë e gjithë kësaj zhurmënaje.

E sigurt është se arratia nga realiteti nuk është zgjidhja, jo nuk është...edhe pse të duhet të zgjedhësh se si të përshtatesh...

(Artemisa Bushi)

2,851 Lexime
7 vjet më parë