
Rrugëtimi i Mimoza Shkurtit në arsimin parashkollor: Dashuri, vizion dhe përkushtim
Intervistë me Mimoza Shkurtin, administratore e “Kopsht dhe Çerdhe Dielli” në Tiranë, e cila prej vitit 2006 ka ndërtuar një rrugëtim të mbushur me përkushtim, dashuri dhe vizion për arsimin parashkollor. Ajo ndan përvojat, sfidat dhe këshillat për një edukim më gjithëpërfshirës.
Në botën e edukimit parashkollor, ku dashuria për fëmijët ndërthuret me përkushtimin profesional, rrugëtimi i Mimoza Shkurtit është një shembull frymëzues. Me një përvojë që nis që prej vitit 2006 si edukatore dhe që vijon sot në rolin e administratores së “Kopsht dhe Çerdhe Dielli” në Tiranë, ajo ka ditur të kombinojë vizionin, përkujdesjen dhe profesionalizmin. Kujtoj me shumë emocion ditën kur ajo vizitoi disa prej ambienteve të botimeve Albas së bashku me fëmijët dhe edukatoret e saj, një ditë ku u ndjeva mes engjëjsh, mes librave dhe buzëqeshjeve të vogëlushëve. Çfarë më la më shumë mbresa ishte mënyra se si Mimoza e drejtonte me dashuri dhe qetësi çdo moment, duke u kujdesur për çdo detaj.
Ky takim u bë edhe shtysa që sot të ndajmë këtë bisedë, ku ajo rrëfen fillimet, sfidat, vizionin dhe këshillat e saj për një arsim parashkollor më cilësor e më gjithëpërfshirës.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
Çfarë ju tërhoqi fillimisht drejt mësimdhënies në kopsht, dhe si e kujtoni ditën tuaj të parë në një klasë parashkollore? Për më konkretisht, nisur nga CV-ja juaj, si e kujtoni fillimin tuaj në këtë profesion si edukatore që nga viti 2006? Si ju formuan ju këto eksperienca të hershme?
Dita ime e parë në klasën parashkollore ka qenë një emocion i madh, nga njëra anë ndihesha me shumë përgjegjësi, por nga ana tjetër kisha edhe një gëzim të papërshkrueshëm. Fëmijët më pritën me buzëqeshjet e tyre, dhe që aty kuptova se ky ishte vendi ku unë do të jepja gjithë energjinë dhe dashurinë time.

Eksperiencat që filluan në vitin 2006, në kopsht , më formuan si profesioniste dhe më mësuan durimin, përkushtimin dhe artin e komunikimit me çdo fëmijë. Çdo ditë ishte një mësim i ri: nga fëmijët, nga prindërit dhe nga kolegët. Pikërisht këto vite të para më bënë të kuptoj se edukimi i hershëm është një mision, jo thjesht një punë.
Pas disa viteve si edukatore, ju keni qenë drejtuese e kopshtit Uznove dhe më pas nën/drejtuese në Drejtorinë e Arsimit të Bashkisë Berat. Si ka ndryshuar qasja juaj ndaj edukimit dhe menaxhimit të kopshteve gjatë këtyre roleve udhëheqëse?
Kalimi nga roli i edukatores në atë të drejtueses së një kopshti dhe më pas në pozicion drejtues pranë Drejtorisë së Arsimit të Bashkisë Berat ishte një shkollë e re për mua. Si edukatore isha më afër fëmijëve, në kontakt të përditshëm me nevojat, ndjeshmëritë dhe gëzimet e tyre. Por kur mora rolin e udhëheqjes, kuptova se edukimi nuk është vetëm klasa apo lodrat, por edhe menaxhim, organizim dhe vizion afatgjatë.
Në kopshtin Uznove mësova si të drejtoj një ekip edukatoresh, si të krijoj harmoni mes tyre dhe si të ndërtoj një mjedis ku fëmijët të ndihen të sigurt e të dashur. Ndërsa në Drejtorinë e Arsimit të Bashkisë Berat pashë nga afër dimensionin më të gjerë të edukimit: politikat, standardet, sfidat e komunitetit dhe rëndësinë e bashkëpunimit me prindërit dhe institucionet.
Këto role udhëheqëse më bënë të kuptoj se për të pasur një kopsht cilësor, nuk mjafton vetëm dashuria për fëmijët, por nevojitet edhe vizion, planifikim, përgjegjësi dhe mbi të gjitha: të dish të frymëzosh ekipin që punon me ty.
Si administratore në Kopshtin Diell në Tiranë, ju menaxhoni jo vetëm staf dhe fëmijë, por edhe programe të ndryshme edukative. Cilat janë strategjitë tuaja për të krijuar një mjedis të sigurt, stimulues dhe zhvillues për fëmijët?
Në “Kopshtin Diell” kam dashur gjithmonë që fëmijët të ndihen si në një shtëpi të dytë, të rrethuar me dashuri, siguri dhe kujdes. Strategjia ime e parë është krijimi i një mjedisi të qetë e të ngrohtë, ku çdo fëmijë të ndihet i pranuar dhe i respektuar. Siguria është baza, që nga infrastruktura, higjiena, ushqimi i shëndetshëm, deri te kujdesi emocional që edukatoret tregojnë çdo ditë.
Strategjia e dytë është zhvillimi i programeve edukative të balancuara: ku fëmijët jo vetëm mësojnë njohuri bazë, por edhe stimulojnë krijimtarinë, imagjinatën dhe aftësitë sociale. Përdorim lojën si mjet kryesor mësimor, sepse loja është gjuha më e natyrshme e fëmijëve.
Një tjetër element thelbësor është përfshirja e prindërve. Besoj se edukimi i hershëm bëhet me partneritet mes kopshtit dhe familjes. Për këtë arsye, organizojmë takime, aktivitete dhe projekte ku fëmijët, edukatoret dhe prindërit bashkëpunojnë.

Ju flisni shpesh për rëndësinë e zhvillimit gjithëpërfshirës të fëmijës. Si e inkorporoni këtë vizion në programet e kopshtit, duke përfshirë artin, sportin dhe gjuhët e huaja?
Besoj fort se çdo fëmijë ka një potencial unik dhe se edukimi i hershëm duhet të ndihmojë në zhvillimin e të gjitha dimensioneve të tij, intelektual, emocional, social dhe fizik. Për këtë arsye, në programet e “Kopshtit Diell” kemi përfshirë qasje gjithëpërfshirëse ku çdo fëmijë ka mundësi të zbulojë aftësitë dhe prirjet e veta.
Arti është një pjesë shumë e rëndësishme, sepse i ndihmon fëmijët të shprehin emocionet, të zhvillojnë imagjinatën dhe të fitojnë siguri në vetvete. Ne përdorim pikturën, muzikën, teatrin me kukulla dhe këngët për ta bërë ditën më të gjallë e kreative.
Sporti, nga ana tjetër, nuk është vetëm aktivitet fizik, por edhe edukim për disiplinë, bashkëpunim dhe shëndet. Fëmijët tanë marrin pjesë në lojëra të organizuara, vallëzim dhe aktivitete që i mësojnë të lëvizin me gëzim dhe siguri.
Gjuhët e huaja janë gjithashtu një prioritet. Në një botë që bëhet çdo ditë më e ndërlidhur, është e rëndësishme që fëmijët të njihen herët me tingujt dhe fjalët e një gjuhe tjetër, në mënyrë që të zhvillojnë aftësinë e komunikimit dhe mendjen e hapur ndaj kulturave të ndryshme.
Në këtë mënyrë, vizioni i zhvillimit gjithëpërfshirës shndërrohet në realitet të përditshëm: një fëmijë i lumtur, aktiv, kreativ dhe i përgatitur për të ardhmen.
Një nga idetë tuaja të veçanta është integrimi i kurseve kulturore brenda kopshtit. Si mendoni se këto kurse ndihmojnë në zhvillimin e aftësive shoqërore, kreative dhe mendore të fëmijëve?
Idenë e kurseve kulturore e kam parë gjithmonë si një dritare që hapet për fëmijët drejt botës së madhe. Në moshën parashkollore, fëmijët janë si sfungjerë, ata përthithin çdo përvojë dhe çdo përjetim i lë gjurmë në zhvillimin e tyre.
Kursi i kulturës, qoftë nëpërmjet letërsisë, muzikës, traditave apo artit popullor, i ndihmon fëmijët të lidhen me identitetin e tyre dhe njëkohësisht t’i respektojnë e kuptojnë kulturat e tjera. Kjo forcon aftësitë shoqërore, sepse ata mësojnë të jenë pjesë e një grupi, të bashkëpunojnë dhe të ndajnë përvoja.
Në aspektin kreativ, këto kurse i nxisin fëmijët të shprehen lirshëm: të këndojnë, të recitojnë, të vizatojnë apo të performojnë, duke zbuluar talentet e tyre të fshehura. Ndërsa nga ana mendore, kultura i mëson fëmijët të mendojnë më gjerë, të bëjnë pyetje dhe të zhvillojnë kuriozitetin.
Në thelb, kurset kulturore janë një mënyrë për të ushqyer shpirtin dhe mendjen e fëmijës, duke e bërë edukimin jo vetëm më të pasur, por edhe më të bukur.
Gjatë karrierës suaj keni ndjekur shumë trajnime dhe kualifikime profesionale, duke përfshirë master profesional në pedagogji me profil menaxhim arsimi, certifikime mbi kurrikulat parashkollore dhe trajnim për nxënës me nevoja të veçanta. Si e kanë pasuruar këto trajnime punën tuaj të përditshme?
Çdo trajnim dhe çdo kualifikim që kam ndjekur ka qenë një hap i ri në rrugëtimin tim profesional dhe personal. Masteri në pedagogji me profil menaxhim arsimi më ka ndihmuar të shoh edukimin nga një perspektivë më të gjerë, vetëm si proces mësimor, por si një sistem që kërkon vizion, organizim dhe lidership.
Certifikimet mbi kurrikulat parashkollore më kanë dhënë njohuri të thelluara mbi mënyrat më bashkëkohore të të nxënit përmes lojës, zhvillimit të aftësive kognitive dhe emocionale, si dhe rëndësinë e planifikimit të aktiviteteve që janë të përshtatura për çdo moshë.
Trajnimi për fëmijët me nevoja të veçanta ka qenë një nga përvojat më të vlefshme për mua, sepse më ka mësuar të shoh çdo fëmijë si unik dhe të besoj se çdo fëmijë ka potencial për të mësuar dhe për t’u zhvilluar, mjafton t’i ofrojmë mjedisin dhe mbështetjen e duhur.
Këto përvoja më kanë bërë më të sigurt, më të përgatitur dhe mbi të gjitha më të ndjeshme ndaj çdo fëmije. Ato janë baza mbi të cilën ndërtoj punën time të përditshme në “Kopshtin Diell”, duke u përpjekur që çdo ditë të jetë një mundësi e re për rritje dhe frymëzim.
Si e menaxhoni marrëdhënien me stafin, prindër dhe institucione të tjera për të garantuar një eksperiencë edukative cilësore dhe të qëndrueshme?
Marrëdhënia me stafin, prindërit dhe institucionet është themeli mbi të cilin ndërtohet cilësia e çdo kopshti. Unë e shoh këtë si një partneritet të vazhdueshëm, ku secili ka rolin dhe kontributin e vet.
Me stafin tim, përpiqem të krijoj një mjedis bashkëpunues, ku çdo edukatore ndihet e vlerësuar, e dëgjuar dhe e mbështetur. Organizojmë trajnime të brendshme, takime periodike dhe shpërndarje përvojash, sepse besoj se një staf i motivuar është çelësi i suksesit të fëmijëve.
Marrëdhënia me prindërit bazohet tek transparenca dhe komunikimi i vazhdueshëm. I ftojmë ata të jenë pjesë e aktiviteteve, të japin sugjerime dhe t’i shohin përparimet e fëmijëve të tyre nga afër. Kjo krijon besim dhe siguri reciproke.
Ndërsa me institucionet e tjera, bashkëpunimi është i domosdoshëm për të qenë gjithmonë në përputhje me standardet dhe për të sjellë praktika të reja. Përmes këtyre marrëdhënieve sigurojmë që puna jonë të mos jetë e izoluar, por të jetë pjesë e një vizioni më të gjerë edukativ.
Në këtë mënyrë, duke bashkuar forcat e stafit, prindërve dhe institucioneve, arrijmë të garantojmë një eksperiencë edukative të qëndrueshme dhe me cilësi të lartë për çdo fëmijë.
Çfarë momentesh ose historish nga puna juaj me fëmijët ju kanë lënë më shumë përshtypje dhe kanë forcuar pasionin tuaj për këtë profesion?
Janë të panumërta momentet që më kanë lënë përshtypje, por ajo që më emocionon më shumë është mënyra se si fëmijët e shprehin dashurinë e tyre të sinqertë. Një përqafim i papritur, një vizatim i thjeshtë me fjalën “mësuese të dua”, apo një buzëqeshje kur arrijnë të bëjnë diçka të re, këto janë dhuratat më të çmuara që marr çdo ditë.
Më kujtohet një rast kur një fëmijë, që në fillim ishte shumë i ndrojtur dhe mezi fliste, pas disa muajsh u ngjit në skenë gjatë një aktiviteti dhe recitoi me zë të fortë një poezi. Në sytë e tij pashë krenari dhe besim në vetvete. Ajo ditë më konfirmoi edhe një herë se ky profesion është mision, sepse çdo fëmijë ka një dritë të brendshme që pret të ndizet.
Këto histori të vogla, të përditshme, janë frymëzimi im më i madh dhe arsyeja pse dashuria për këtë profesion vetëm sa rritet me kalimin e viteve.
Si e shihni të ardhmen e arsimit parashkollor në Shqipëri dhe cilat janë ndryshimet që do të dëshironit të shihni në mënyrën se si investohet te fëmijët e vegjël?
E ardhmja e arsimit parashkollor në Shqipëri besoj se duhet të orientohet drejt cilësisë dhe gjithëpërfshirjes. Fëmijët e vegjël janë themeli i shoqërisë së nesërme, prandaj çdo investim që bëhet tek ata është investim për të ardhmen e vendit.
Do të doja të shihja më shumë standarde të unifikuara, më shumë mbështetje për edukatoret, dhe më shumë investime në mjedise të sigurta, të pasura me materiale kreative dhe teknologji të përshtatura për moshën parashkollore. Është e domosdoshme që fëmijët jo vetëm të mësojnë, por edhe të luajnë, të eksplorojnë dhe të zhvillohen në të gjitha aspektet.
Gjithashtu, shpresoj që në të ardhmen të ketë më shumë vëmendje për fëmijët me nevoja të veçanta, që ata të mos ndihen të përjashtuar, por të jenë pjesë aktive e çdo klase. Kjo është ajo që e bën arsimin vërtet modern dhe njerëzor.
Në vizionin tim, arsimi parashkollor në Shqipëri duhet të shihet si një prioritet kombëtar – jo si një shpenzim, por si një investim i paçmueshëm për të rritur breza të shëndetshëm, të ditur dhe të lumtur.
Në një “kopsht ëndrrash” të imagjinuar nga ju, çfarë elementësh dhe programesh do të përfshiheshin për të ofruar një zhvillim të plotë dhe të lumtur për fëmijët?
Në “kopshtin e ëndrrave” që unë imagjinoj, çdo fëmijë do të kishte mundësi të rritej i lirë, i lumtur dhe i mbështetur në çdo hap. Do të ishte një hapësirë e gjelbëruar, e mbushur me dritë dhe ngjyra, ku fëmijët mund të luanin, të eksploronin dhe të ndiheshin të sigurt sikur të ishin në shtëpi.
Programet do të ishin të balancuara mes dijes dhe lojës: shumë art, muzikë, teatër me kukulla, sporte të ndryshme dhe aktivitete në natyrë. Do të kishte hapësira të veçanta për lexim, laboratorë të vegjël shkencorë për eksperimente të thjeshta, si dhe kantiere kreative ku fëmijët të mund të ndërtonin e të krijonin me duart e tyre.
Gjuhët e huaja do të mësoheshin në mënyrë argëtuese, përmes këngëve dhe lojërave, ndërsa kultura do të sillte një frymë të gjerë dhe respekt për traditat e ndryshme. Për fëmijët me nevoja të veçanta do të kishte ambiente dhe programe të personalizuara, ku ata të ndiheshin të barabartë me të gjithë.
Në thelb, “kopshti i ëndrrave” do të ishte një vend ku fëmijët rriten të lumtur, ku dashuria dhe kujdesi bashkohen me kreativitetin dhe mësimin. Një vend ku çdo ditë është një aventurë e re dhe çdo fëmijë është një yll që ndriçon me dritën e vet.

Çfarë këshille do t’u jepnit mësuesve të rinj ose prindërve që duan të krijojnë një fillim të bukur për fëmijët e tyre?
“Këshilla ime për mësuesit e rinj është që të kenë durim, të mësojnë çdo ditë nga fëmijët dhe të mos e shohin punën vetëm si detyrë, por si mision shpirtëror. Të jenë të dashur, të hapur ndaj ideve të reja dhe të respektojnë ritmin e zhvillimit të çdo fëmije. Për prindërit, këshilla ime është që të kalojnë sa më shumë kohë cilësore me fëmijët, të dëgjojnë ndjenjat dhe pyetjet e tyre dhe të bashkëpunojnë ngushtë me edukatoren. Vetëm me dashuri, mirëkuptim dhe përkushtim të përbashkët mund të krijojmë një fillim të bukur e të fortë për jetën e fëmijëve.”
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Mësuesi i letërsisë, Erget Cenolli, mes pasionit për mësimdhënien, krijimit poetik dhe shkrimit publicistik
Intervistë me Alberie Rraci Sejdiu: Një mësimdhënës i mirë duhet të jetë hulumtues dhe nxënës i përjetshëm
Rodian Akulli, mësuesi që ktheu klasën në një lëvizje bamirësie