
Shokimi i një prindi nga e bija gjimnaziste...
Një prind përballet me shokimin e parë nga e bija gjimnaziste: ndryshime të papritura në sjellje, zhgënjime nga realiteti i shkollës dhe ndikimet sociale të bashkëmoshatarëve. Mes dilemave e shqetësimeve, ai kupton se gjimnazi është sfidë e përbashkët prind-fëmijë, që kërkon dialog e bashkëpunim.
Nga Evans Drishti
Kishte pritur me shumë emocione dhe kënaqësi ditën që e bija do të niste tanimë gjimnazin. Ajo kishte përfunduar me shumë sukses ciklin e 9-vjeçares duke i dhënë fund një faze fëmijërore, dhe duke nisur periudhën e një adoleshence të mirëfilltë.
Si prind i kishte folur herëpashere për ciklin e gjimnazit, si një fazë kyçe dhe domethënëse për një të ri/të re. E kishte informuar se stafi i mësuesve të gjimnazit i presin me shumë kënaqësi gjimnazistët duke ardhur tashmë në një tjetër stad të rritjes së tyre, se përtej mësimeve që natyrshëm duhet të jenë gjithnjë në mesatare shumë të lartë, ka rëndësi edhe jeta sociale dhe kulturore, si një mënyrë e mirëfilltë e plotësimit të një identiteti që do bëjë zgjedhjet e duhura për të ardhmen.
Por, që në ditët e para të shkollës kishte vënë re disa sjellje dhe reagime aspak të këndshme tek e bija. Sa herë që dilte nga shtëpia për në shkollë nguronte ta shihte në fytyrë prindin, edhe përgjigjet e saj kishin nisur të merrnin një tjetër refleks, aspak të dëshiruar nga ana e tyre.
Një ditë në mëngjes e ndoqi të bijën në heshtje, teksa po përgatitej të bëhej gati për në shkollë. Vuri re se nga çanta e saj po nxirrte disa tualete me të cilat po lyente buzët me buzëkuq, sytë dhe vetullat me remel.
U shokua. U bllokua. S’arrinte t’u besonte syve. S’e kishte menduar ndonjëherë që e bija do arrinte që në atë moshë të merrej me të tilla elemente. S’foli për momentin.
Pas disa ditësh mendoi të ulej me të, e të fliste rreth përshtypjeve që kishte ajo tashmë gjimnaziste për nisjen e kësaj faze të re jetësore.
Por, sërish pësoi një tjetër shokim, kur ajo i tregoi
- se në gjimnaz nuk është se zhvillonin një mësim të rregullt,
- se miqtë e rinj të klasës në përgjithësi nuk kishin një nivel të kënaqshëm,
- se numëroheshin me gishtat e njërës dorë ata që ishin më të mirët,
- se gjatë orëve të mësimeve zhurma dhe bisedat në klasë nuk mbaronin asnjë çast,
- se vajzat dhe djemtë kishin nisur njohjet e tyre të para,
- se bisedat e tyre nuk bëheshin për librat shkollorë apo për aktivitete kulturore, por për bisedat në Instagram, në Snapchat, në Tik-tok,
- se tendencat e të rinjve të shkollës ishin qejfet dhe daljet nëpër kafenetë e qytetit, zbukurimet e veshjeve të tyre, tatuazhet,
- se përveç djemve kishte edhe shumë vajza që pinin rëndomtë duhanin,
- se ishin jo të pakta rastet e bullizimeve si brenda klasës ashtu edhe në ambiente të shkollës,
- se sjelljet dhe reagimet e tyre në shumë raste shfaqeshin shumë problematike deri në agresivitet…
Mendoi me vete: “Ç’po ndodhte vallë?!”, “Në ç’nivel kishin rënë të rinjtë e sotëm?”, “Përse të mirët ngeleshin në minorancë?”.
E teksa shtronte të tilla pyetje me veten, përpiqej me mish e me shpirt dita- ditës ta sqaronte të bijën për dëmet që shkaktonin të tilla sjellje dhe mendime, se nuk duhej humbur aq shumë kohë në të tilla “argëtime”, dhe se duhej të mësohej ta menaxhonte kohën e saj të vyer me angazhime që do ta plotësonin atë për t’u bërë një zonjë me prestigj në shoqërinë ku do vendoste të jetonte.
E kishte kuptuar se vetë e bija pësonte një tronditje dhe çoroditje ideore dhe mendore, përveçse psikologjike, nga fakti i një ndryshimi të dukshëm mes atyre që i kishin rrëfyer prindërit në lidhje me fazën e gjimnazit dhe realitetit që ajo si një e re po përballej në përditshmërinë e saj.
Çfarë të ndryshonin më parë? Cilin nga këto vese do të duheshin t’ia shmangin fillimisht së bijës që ajo të kishte një proces sa më të lehtësuar për ta plotësuar?
Tashmë ishte mëse e qartë, se kjo “një tjetër fazë” nuk i përkiste vetëm vajzës si gjimnaziste, por edhe vetë prindërve, nëse do të “pajtoheshin” me të tilla realitete apo të “përvishnin” mëngët që të bashkëudhëtonin me të bijën e tyre për t’ia spastruar të tilla “vese” lënduese dhe famëkeqe duke ia qetësuar shpirtin e mendjen e saj të brishtë.
Nuk vonoi vizita e tyre në shkollë dhe një takim i drejtëpërdrejtë me drejtorinë e shkollës dhe kujdestarinë e klasës duke kërkuar një bashkëpunim të mirëfilltë në përmirësimin e këtyre situatave shqetësuese. Hapat që duhet të ndiqnin ishin të kuptueshme, tashmë nuk ishte vetëm vajza e tyre adoleshente që vijonte gjimnazin, por edhe ata vetë si prindër që bashkëudhëtonin në këtë proces. Ata do të ishin me të dhe pranë saj ashtu siç kishin qenë të tillë që në hapin e parë të ardhjes së saj në jetë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Flori Kasaj: Çmimi Nobel në Fizikë 2025 dhe sfidat e arsimit shkencor në Shqipëri
Muri i Madh Kinez, një nga mrekullitë moderne të botës
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"