Fundi i 9-vjeçares

Shqetësimet e nxënësve të klasave të 9-ta për provimet e lirimit

Nga një bisedë që mësuesja Iriana Papamihali ka bërë me nxënësit e klasave të 9-ta, ka kuptuar disa nga shqetësimet e tyre rreth provimeve dhe së ardhmes. Shqetësimet e tyre ishin të ndryshme, parë nga këndvështrimi personal i secilit, të cilat ne i kemi sjellë të përmbledhura në këtë artikull.

Nga një bisedë që bëra me nxënësit e klasave të 9-ta, kuptova disa shqetësime të tyre rreth provimeve dhe së ardhmes. Shqetësimet e tyre ishin të ndryshme, parë nga këndvështrimi personal i secilit. Vendosa të bashkëbisedoja me ta, por donin t’i shprehnin mendimet me shkrim. Dhe kështu bëmë. Secili shkroi në një fletë mendimet dhe emocionet. Nga shkrimet e tyre kuptova që kanë shumë nevojë për mbështetje, sepse i tremb e ardhmja. 


Në ditët e para të klasës së nëntë, nxënësit mendonin se dita e provimeve të lirimit ishte shumë larg dhe se do të kishin kohë për t’u përgatitur, por tani që janë vetëm dy muaj larg, nuk i ndalojnë dot shqetësimet që i ndjekin kudo. Pavarësisht se testet e lirimit nuk përbëjnë një domethënie të madhe në notën mesatare, sipas tyre, sërish duan të dalin sa më mirë. Megjithatë testet e lirimit janë një fazë kalimtare dhe jo ajo çka i step më shumë është frika e gjimnazit dhe më pas ajo e universitetit, pra e ardhmja. Pa dyshim, shumica prej tyre e kanë një ide se çfarë dege do të vazhdojnë, por kanë frikë se mos nuk shkojnë gjërat sipas planit. Disa nuk shqetësohen ende për të ardhmen, disa i zë paniku nëse del diçka jashtë planit, dikush tjetër do që të jetë këmbëngulës deri në fund që të realizojë planet e veta. 


Më poshtë po ndaj me ju disa shqetësime të tyre.


Një nxënëse shkruan: 


“Për mendimin tim kjo është periudha më e vështirë për nxënësit e klasës së nëntë. Provimet e lirimit po afrojnë dhe bashkë me to edhe përgjegjësi e probleme të ndryshme lidhur me arsimimin e secilit prej nesh. Personalisht, kohët e fundit jam ndierë e shqetësuar dhe e pasigurtë për shumë arsye të ndryshme. Më kryesoret janë provimet e lirimit. Edhe po përpiqem të mësoj dhe të përgatitem sa më shumë përsëri frika se nuk do dal mirë, më ndjek pas. Krahas provimeve është edhe vështirësia e zgjedhjes së gjimnazit të duhur që do të më përgatisë për shkollën e lartë. Ndihem po ashtu e shqetësuar për faktin se do të filloj shkollën e mesme pa patur asnjë ide në lidhje me profesionin që do ndjek në të ardhmen. Një nga ato shqetësimet e mia kryesore është fakti se nuk do të njoh asnjë në gjimnaz dhe ndoshta nuk do arrij të krijoj shoqërinë e duhur”.


Dikush nga nxënësit nuk ka shqetësim provimet, por ka shqetësim nëse nuk bëhet i suksesshëm dhe nuk arrin qëllimet e veta, duke mos bërë krenarë ata që besuan tek ai.


Dikush tjetër ka shqetësim gjimnazin ku do të shkojë nëse do përshtatet dot me shoqërinë e re dhe shkruan: “Edhe pse thuhet që testet e lirimit janë të thjeshta përsëri është ajo frika se ti nuk di asgjë rreth tyre. Edhe pse do mësoj jam e sigurtë që do bëj gabime, por shpresoj që do t’ia dal. Pas çdo gjëje të keqe vjen një e mirë!”.


Dikush tjetër mendon se përmendja nga mësuesit dhe prindërit, shpesh e këtyre provimeve i bën të pasigurtë dhe i streson nxënësit. Rëndësi ka motivimi dhe besimi në vetvete. Një nxënëse mendon se "Nëse nuk motivohemi si mund t’ia dalim mbanë? Përpiqem të harroj provimet, sepse jam e stresuar dhe pres vetëm të mbarojnë”.


Një nxënëse shkruan se në moshën që është ka disa shqetësime dhe provimet e lirimit janë në listën e saj: “Para meje shtrihet e ardhmja ime dhe provimet më shfaqen gjithmonë. Më duket sikur nuk do t’ia dal dhe pse mund të jetë i lehtë. Frikësohem shumë për krijimin e shoqërisë së re, përshtatja me shkollën, miqtë e rinj, mësuesit. Për mua gjimnazi është një hap tjetër i rëndësishëm i jetës sime, sepse arsimimi im do të më hapë rrugën drejt universitetit. Mendoj shpesh për këtë temë, për të ardhmen, që duhet të punoj fort. Edhe pse kam këto pikëpyetje dhe shqetësime në mendje, përsëri mundohem të mendoj me pozitivitet që do t’ia dal".


Një nxënës ka frikën se mos humbet pikë nga gabimet e shpejtësisë dhe thotë të dal si të dal. Nuk kam frikë nëse do mësoj dhe do bëj më të mirën time.


Dikush tjetër mendon që këto provime nuk janë aq të nevojshme dhe nuk ndikojnë shumë tek ai. Sigurisht do që të futet në gjimnaz dhe të arsimohet sa më mirë, por nuk mendon se këto provime do ndikojnë tek ai. Por kjo nuk do të thotë që nuk do mësojë dhe nuk do bëjë më të mirën e tij. 


Një nxënëse tjetër shkruan që, është e qetë, sepse mendon që këto provime nuk përcaktojnë gjithë njohuritë që ajo ka. Më shumë e merakosin provimet e lëndëve të ndryshme që bëhen në shkollë, sepse mendon që janë më të rëndësishme. Por frika e gjimnazit është si një peng që ajo ka, shkruan vajza, por duke e njohur veten e saj, mendon se çdo gjë do të shkojë mirë për të. 


Dikush tjetër merakoset që duhet të fillojë përsëritjen për provimet, sepse do kalojë koha dhe nuk do jetë i përgatitur sa duhet. Shqetësim mbetet gjimnazi, e ardhmja dhe sa do jetë shkalla e vështirësisë për të arritur rezultatet e duhura, si dhe në çfarë klase do jetë.


Një tjetër shkruan: “Në qershor si një nxënëse e klasës së 9-të, kam për të bërë provimet e lirimit. A duhet të kem frikë? Për mendimin tim nuk duhet, pasi frika na bën të dobët.  A kam unë frikë? Sigurisht që unë kam frikë, pasi nuk jam një nxënëse e shkëlqyer me mësime dhe sado që të mundohem mangësitë e vjetra do t’i kem kurdo. Gjithashtu një lëndë që do të jetë në provimet e lirimit është edhe matematika, që për mua është e vështirë. Frika ime është edhe gjimnazi, pasi nuk e di se ku do vazhdoj, nuk e di si do të jetë shoqëria atje. Gjithashtu si një person që kam dëshirë të kem shoqëri nuk e di si do përshtatem me të tjerët. Por pavarësisht këtyre pasigurive, e pres me padurim gjimnazin, sepse kam dëgjuar që thonë vitet e gjimnazit janë më të bukurat. Të shpresojmë!”.


Dikush tjetër thotë se duhet të dalë shumë mirë në provimet e lirimit, për të nderuar veten dhe shkollën. Për këtë e kanë ndihmuar edhe testet e tremujorëve që bëjnë në shkollë, sepse janë afër provimeve. Prioriteti i tij kryesor janë mësimet të cilat i ka në plan të parë. Beson në vetvete dhe mendon se do ja dalë të arrijë rezultatet e duhura, duke menduar pozitivisht.


Një tjetër mendon se është një provim që do ta bëjnë të gjithë dhe është si praktikë për provimet e maturës. Sigurisht do të mësojë për veten, që të ketë nota të mira, sepse notën e merr për vete dhe jo për të tjerët. “Dua vetëm të dal me rezultate të larta në këto provime për të kënaqur dhe për të inkurajuar veten time”. 


“Në provimet e lirimit ne tregojmë aftësitë tona. Nga emocionet ka frikë se mos harroj edhe ato që di. Përfundimi i këtyre provimeve do të thotë që mbarojmë një etapë dhe fillojmë një të re, etapën e gjimnazit, të cilën duhet ta marrim seriozisht. Kam pak emocione se si do përshtatem me klasën, mësuesit si dhe nga ngarkesa mësimore që do të kemi”.


“Meraku im është provimi i gjuhës, sepse nuk ndjehem i sigurtë. Momentalisht po mundohem të përsëris dhe të ndjek rregullisht konsultimet. Duhet t’i jap vetes forca për të arritur ambiciet e mia dhe për të ecur përpara. Qëllimet e mia tani janë të përparoj e të zhvillohem personalisht në fushën e sportit dhe në ata akademike. Për sa i përket provimeve mundohem të jem sa më i qetë dhe sa më i përqendruar që të bëj më të mirën time. Këtë ide do ta kem në mendje gjatë gjithë jetës”.


“Shqetësimi im për provimet e lirimit është se nuk dua të marr nota më poshtë se 9-ta. Dua të dal sa më mirë që të bëj krenar prindërit e mi. Nuk e kuptoj nëse unë mbaroj më shpejt provimin, pse duhet të rri të pres?”.


“Kam një pasiguri të madhe për gjimnazin ku do të shkoj. Gjimnazi do të ndikojë në jetën time, në shoqërinë, në rrjedhën e jetës sime. Dua të kem një eksperiencë sa më të mirë në gjimnaz me shoqëri të mirë dhe po mendoj se si zgjedhja ime do të ndikojë në këtë rast”. 


Një nxënëse tjetër shkruan se këto katër vite i janë dukur si katër muaj. Këtë ide e ka ndoshta edhe nga karantina, që tashmë na duket si një ëndërr. Ajo mendon për provimet e lirimit dhe për gjimnazin që do të zgjedhë si dhe mësuesit e rinj që do të ketë.


Një nxënës tjetër shkruan se klasa e nëntë kaloi kaq shpejt si pa e kuptuar dhe ai nuk donte të mbaronte kaq shpejt. Për provimet ka frikë edhe pse nxënësit e një viti më parë i kanë thënë që janë të thjeshta, përsëri frika mbetet. Ndërsa për në gjimnaz do dëshironte shumë të ishte me shokët dhe shoqet që ka aktualisht në klasë.


Një nxënës shkruan me shumë emocion: “Fundi i klasës së nëntë po afron dhe nuk do të jetë si të ndahesh me shokët dhe rishihesh pas tre muajsh. Këtë herë do të ndajmë rrugët përgjithmonë me pjesën më të madhe të klasës, gjë që më mërzit shumë kur e mendoj. Dihet që në gjimnaz dhe universitet shoqëria zgjerohet. Për një pjesë të klasës do të më marrë malli, për mësueset gjithashtu, sepse kam krijuar marrëdhënie të mira me të gjitha prej tyre, por gjithashtu për disa nuk do më marrë malli dhe është normale. Kam shqetësim provimet e lirimit, sidomos provimin e matematikës, pasi nuk është pika ime e fortë. Gjithashtu më shqetëson gjimnazi, sepse ngarkesa mësimore është më e madhe dhe presioni më i lartë. Deri tani jam mësuar jo me shumë ngarkesë. Rrugëtimit tim në këtë shkollë po i vjen fundi. Kam kaluar bukur, por mendoj që ka ardhur koha të largohemi dhe të fillojmë një etapë të re të jetës sonë. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”.


Suksese në provimet e lirimit nxënës të dashur! 

Sfidat janë pjesë e jetës dhe do t’ju shoqërojnë gjithmonë, duke u përballur me to bëheni më të aftë për t’i kapërcyer. Dyert e jetës po hapen për ju!



Nga Iriana Papamihali

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,620 Lexime
10 muaj më parë