EDUKIMI I FËMIJËVE

Si të nxisni fëmijët në arritjen e suksesit?

Ndodh shpesh që fëmijët të ndalojnë së bëri gjëra për shkak të dështimit që u ndodh në një veprimtari që po kryejnë për herë të parë ose jo. Vetë natyra e tyre e brishtë bën që të humbasin besimin tek vetja.

Ndodh shpesh që fëmijët të ndalojnë së bëri gjëra për shkak të dështimit që u ndodh në një veprimtari që po kryejnë për herë të parë ose jo. Vetë natyra e tyre e brishtë bën që të humbasin besimin tek vetja. Si rrjedhojë, humbja e besimit shoqërohet me mendime negative, vetëvlerësim të ulët, ndalim në marrjen e iniciativave të reja, etj. Ky proces sjell ndrydhje të personalitetit dhe shmangie nga përgjegjësia personale dhe sociale. Ndaj, është themelore të jepni kontributin tuaj në nxitjen e fëmijëve për të vazhduar dhe përfunduar veprimtarinë që ata kanë marrë përsipër. 



Çfarë mund të bëni që fëmijët ta çojnë deri në fund një punë të marrë përsipër, duke patur sukses?


Gjithmonë ekziston një arsye përse fëmija shfaq mungesë dëshire, ose mungesë përpjekjeje. Mund të jenë të mërzitur, në ankth, të uritur, të lodhur, nuk dinë mënyrën e realizimit, mendojnë se suksesi është i lehtë për t’u arritur, etj. Është e rëndësishme të kuptoni se çfarë po ndodh me fëmijën tuaj dhe pse ata nuk janë duke u përpjekur. 



Në raste të tilla, çfarë këshillohet t’u thuhet fëmijëve? 


"Unë shoh që nuk po e ndihesh mirë sot, por ne do përpiqemi sërish bashkë". Pra, duhet të përfshini edhe veten tuaj, pasi fëmija e ka të domosdoshme këtë përkrahje emocionale. "Nëse ke ndonjë gjë që të shqetëson, për të cilën dëshiron të flasësh unë jam gjithmonë këtu". Ndihmoni fëmijën tuaj të vlerësojë veten dhe të ushqejnë vetëdijen. Kur fëmijët bëhen më shumë të vetëdijshëm, ata janë në gjendje të kuptojnë se çfarë po bëjnë dhe se çfarë po funksionon apo nuk po funksionon. Kur ata të provojnë sërish, do e kenë gjetur rrugën më të lehtë, për të shkuar drejt suksesit. 


Pyesni fëmijët për mendimin e tyre. "Më thuaj si mendon se e ke bërë?". Nëse ata përgjigjen, "Nuk e di!" thuaj "Unë mendoj se ke dhënë më të mirën tënde”. 



Mendo dhe krijo ide për gjëra që mund të bësh për t’u përmirësuar. Çdo përpjekje që ti bën jep një tjetër rrugëzgjidhje. Ndaloni dhe mendoni për qëllimin e detyrës. Të bësh më të mirën nuk është gjithmonë e nevojshme. Për shembull, nëse qëllimi i një detyre është të zhvillojë dashurinë për shkrimin krijues, zgjidhjen e problemeve ose aftësi të të menduarit, drejtshkrimi i përsosur në atë detyrë specifike nuk është aq i rëndësishëm. Prandaj pyesni veten: "Si vepruan ata në pjesën që ka vërtetë rëndësi?" Shqetësimi për atë pjesë që nuk është bërë më e mira vjen në rang të dytë.




Nga Adriana Lala, punonjëse sociale


Përgatiti për publikim Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,265 Lexime
3 vjet më parë