Rikthimi në shkollë

Si të përgatisim fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit për fillimin e shkollës? Orientime për prindërit

Këto janë disa orientime, të cilat mund t’iu ndihmojnë, por sigurisht ju jeni të lirë të zgjidhni dhe t’i ndryshoni sipas situatës dhe nevojave të fëmijës suaj. E rëndësishme është që fëmija të jetë i kënaqur dhe të dëshirojë kthimin në shkollë!

Nisja e shkollës ka një rëndësi të veçantë për të gjithë. Ajo është sa emocionuese, po aq dhe stresuese, për fëmijët dhe prindërit. Shumë prindër fillojnë të mendojnë për gjithçka që, ju duhet fëmijëve të tyre, në mënyrë që ata të mos kenë vështirësi. Akoma më tepër, për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, të cilët nuk e kanë të lehtë përshtatjen dhe ndryshimin. Në këto ditë të para nga fillimi i saj, parapërgatitja është kryesore. Kështu, shumë prindër mund të jenë duke menduar sesi t’i ndihmojnë fëmijët e tyre, që të kenë një fillim të suksesshëm të vitit shkollor. Për këtë arsye, po listoj disa mënyra, të cilat lehtësojnë kthimin në shkollë, të fëmijës suaj:


1. Përgatisni fëmijën tuaj


Parapërgatitja mund të jetë një faktor i rëndësishëm ndryshimi, në mënyrën sesi fëmija juaj përshtatet me vitin e ri shkollor. Prandaj është e rëndësishme të flisni shpesh me fëmijën tuaj për shkollën. Tregojini atij fotografi të miqve dhe aktiviteteve në shkollë nga viti kaluar për të nxitur bisedën rreth saj. Gjithashtu, nëse fëmija juaj ka një shok/shoqe të ngushtë, që është në të njëjtën klasë me të, ftojeni atë në takim. Është mirë të realizoni disa takime dhe lojëra së bashku, para fillimit të shkollës. Po kështu bisedoni me fëmijën tuaj se kur fillon shkolla, në cilën klasë do të shkojmë, emrin e mësuesit etj. Madje mund të përdorni një kalendar për të numëruar ditët, duke e shndërruar edhe në një aktivitet argëtues. Kjo gjë i ndihmon ata të reduktojnë ankthin dhe të fillojnë të parapërgatiten me një rutinë të re.


2. Krijoni rutina para fillimit të shkollës


Rutina është shumë e rëndësishme për fëmijët, sidomos me çrregullime të spektrit të autizmit. Ata e kanë më të vështirë përshtatjen, prandaj, ju duhet të filloni të ndërtoni rutina, përpara se të fillojë shkolla. Nëse gjatë verës fëmija juaj flinte më gjatë, mundohuni ta zgjoni atë më herët, në mënyrë që të mësohet me kohën e shkuarjes në shkollë. Po kështu, dilni me fëmijën në orarin kur fillon shkolla, në mënyrë që fëmija të fillojë të mësojë rutinën e të shkuarit në shkollë, nisjen dhe mbërritjen. Gjatë ditës zhvilloni aktivitete, përsërisni numrat dhe shkronjat, zhvilloni lojra, që fëmija të ndihet i përfshirë si në shkollë. Kjo do e ndihmojnë fëmijën tuaj të rivendosë orën dhe të jetë i përgatitur. Për këtë mund të përdorni edhe imazhe, ku fëmija të orientohet më mirë se çfarë duhet të bëjë. 


3. Vizitoni shkollën 


Është e rëndësishme që ta sillni fëmijën në shkollë, përpara se të fillojë shkolla, të paktën një javë para. Mundohuni ta njihni fëmijën me ambientin, mësuesen, klasën etj. Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e ankthit të fëmijës suaj.  Madje, së bashku me mësuesen mund të zhvilloni disa aktivitete argëtuese, në mënyrë që fëmija të dëshirojë të vijë sërish aty. 


4. Njihuni  me mësuesen/in e fëmijës suaj


Përpara se të çoni fëmijët tuaj në shkollë, njihuni me mësuesen/mësuesin e tij. Mundohuni të planifikoni një vizitë, për ta takuar dhe për të parë klasën. Siç e thamë më lart, pamja e klasës, banka mund ta ndihmojnë fëmijët të përshtatet më lehtë. Po kështu, edhe njohja me mësuesen e tij kujdestare dhe ndihmëse/mbështetëse ndihmon në krijimin e afërsisë dhe bashkëpunimit mes tyre. Nëse ju lejohet mund të bëni dhe fotografi të shkollës, klasës, mësueses  për të krijuar histori sociale, të cilat mund t’ia tregoni atij. Gjithashtu, bisedoni rreth nevojave të fëmijës suaj, gjendjes dhe gatishmërisë për të bashkëpunuar. Kjo shërben si bazë për të forcuar më tej komunikimin dhe bashkëpunimin tuaj.


5. Përgatisni mjetet shkollore


Blerja e mjeteve shkollore shpesh herë është një aktivitet i pëlqyer nga fëmijët. Ata ndihen të gëzuar tek zgjedhin çantën e preferuar, lapsat, ngjyrat, fletoret etj. Shndërrojeni këtë në një aktivitet argëtues duke shkuar me fëmijën për të zgjedhur gjërat e preferuara. Gjithashtu, mund ta ndihmoni atë me përgatitjen e librave dhe njohjen me to. Mund të zgjidhni një kod ngjyrash për mbështjellëset e librave dhe për t’ia memorizuar më mirë fëmijës suaj psh mund të mbështillni me letër të kuqe gjuhën, me letër blu matematikën, me rozë anglishten etj. Kështu fëmija juaj i memorizon ato më mire dhe njihet me librat.


6. Përgatisni një profil të fëmijës suaj


Fëmijët janë në ndryshim të vazhdueshëm. Kështu, është mirë të merrni një kopje të planit të individualizuar PEI të vjetshëm dhe ta rifreskoni. Shtoni ndryshimet që kanë ndodhur tek fëmija juaj si pikat e forta, arritjet akademike, sociale, komunikimi etj, në mënyrë që t’ia paraqesë mësuesit të tij. Pavarësisht vlerësimit të fëmijët, informacionet nga prindërit e ndihmojnë atë së tepërmi, në realizimin e PEI-t. Gjithashtu, nëse fëmija juaj ndjek terapi është shumë mirë, të krijoni një bashkëpunim të tyre me stafin e shkollës. Vazhdimin i programeve dhe terapisë, edhe në shkollë, përforcon ecurinë e tij. 


7. Përgatisni vetveten


Një nënë dhe një baba i qetë, janë në gjendje të ndihmojnë, më mirë fëmijën e tyre. Merrni kohë për të mbledhur mendimet dhe ndjenjat tuaja, në mënyrë që të jeni të përgatitur për ta ndihmuar atë. Flisni me prindër të tjerë, të cilët po bëjnë gati fëmijët e tyre për në shkollë. Kështu nuk do të ndiheni vetëm. Gjithashtu, fëmijët ndihen më pak të stresuar, kur shohin që prindërit e tyre nuk janë të stresuar. 

Këto janë disa orientime, të cilat mund t’iu ndihmojnë, por sigurisht ju jeni të lirë të zgjidhni dhe t’i ndryshoni sipas situatës dhe nevojave të fëmijës suaj. E rëndësishme është që fëmija të jetë i kënaqur dhe të dëshirojë kthimin në shkollë!


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,131 Lexime
1 vit më parë